Një letër drejtuar liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, nga funksionarë të kësaj partie ndryshe të quajtur si “ Grupi i Zjarrit” ka ngjallur debat brenda partisë, por edhe interpretime të ndryshme në opinion. Analistët politikë kanë vlerësuar se kjo nuk është hera e parë që partia e Ahmetit ballafaqohet me turbulenca të tilla të brendshme. Sipas tyre, deri më tash lideri i BDI-së ka arritur t’i menaxhojë mirë këto konflikte të brendshme partiake. Analistët vlerësojnë se kjo situatë nuk do të shkojë deri në ekstrem, që do të nënkuptonte rrezikimin e koalicionit qeveritar apo formimin e një partie të re për shkak se, sipas tyre, homogjen i gjithë procesit është ende Ali Ahmeti.
Shkruan: Enis Shaqiri
Aktualiteti politik është shënuar me një turbulencë politike brenda subjektin politik BDI. Pjesëtarë të ashtuquajturit “Grup i Zjarrit” përbrenda Bashkimit Demokratik për Integrim, një grup i funksionarëve veteranë përmes një letre të nënshkruar dy ditë më parë kanë theksuar se “janë të detyruar të ngrenë zërin dhe të reagojnë që atë që e kanë krijuar me mish e me shpirt, pra Bashkimin Demokratik për Integrim, ta kthejnë në pozitën siç zhvillohej plot 18 vite, mirë të organizuar dhe mirë të strukturuar”. Mes tjerash ky grup brenda partisë shqiptare në pushtet BDI-së ka kërkuar nga vetë lideri i partisë, Ali Ahmeti që të gjejë zgjidhje për ruajtjen e unitetit partiak.
Sipas tyre, gati për dy vite nuk funksionojnë dhe nuk themelohen organet statutare partiake dhe se vendimmarrja politike është bërë pronë individuale.
“Në BDI gati për dy vite nuk ekzistojnë dhe nuk themelohen organet statutare partiake! Si pasojë e kësaj, vendimmarrja politike është bërë pronë individuale! Nuk ka debat dhe konsultime me bazat partiake! Zgjedhjet kadrovike janë shndërruar në privilegje të individit Artan Grubi! Nuk ka llogaridhënie për punën e Qeverisë dhe programin politik për gati dy vjet”, thuhet mes tjerash në këtë letër.
Sipas nënshkruesve, revolta qëndron tek Artan Grubi, pasi që viteve të fundit zgjedhjet kadrovike janë shndërruar në privilegj të tij dhe se sjellja arrogante e ekzekutivit ka shkaktuar pakënaqësi, revoltë dhe pasivitet të strukturave dhe votuesve, që është reflektuar në zgjedhjet e fundit në Tetovë, ku sipas tyre, partia ka shënuar rënie.
Ndryshe, kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, i është kërkuar “kthimi i BDI-së në misionin e nisur 18 vjet më parë”.
Në ndërkohë, Ahmeti ka deklaruar se partia e tij ka ngritur struktura të qëndrueshme me bazë të fortë.
“Bashkimi Demokratik për Integrim ka ngritur struktura të qëndrueshme që mund të funksionojnë pa Ali Ahmetin, pa Blerim Bexhetin, pa Musa Xhaferin, pa Izet Mexhitin. Do të thotë ky është investim kombëtar dhe ky investim kombëtar ka bazë të fortë dhe përkrahje të fortë”, ka deklaruar Ahmeti.
Nga ana tjetër ministri për Punë të Jashtme nga radhët e BDI-së, Bujar Osmani, njëherësh anëtarë i lartë në kryesinë e partisë, thotë se krahas demokracisë në parti, fjalën e fundit e ka kryetari Ali Ahmeti.
“Është e njohur se në BDI ka demokraci, ku gjithsecili ka të drejtën ta thotë qëndrimin e tij, por fjalën e fundit e ka kryetari i partisë Ahmeti, ndërkaq ai dje e tha qëndrimin e tij dhe pas kësaj këtu përfundojnë të gjitha debatet në BDI dhe gjithkush vazhdon me punët e tij në kuadër të aktiviteteve dhe angazhimeve që ka,” ka theksuar Osmani.
Analisti politik, Xhelal Neziri, nga Qendra për Hulumtime SCOOP, ka deklaruar për DW, se Bashkimi Demokratik për Integrim ka kohë që po ballafaqohet me konflikte të tilla të brendshme brenda partiake, ndonëse sipas tij, Ali Ahmeti, ka arritur që t’i menaxhojë me sukses ndarjet e tilla.
“Deri më tani Ahmeti ka menaxhuar disi me sukses ndarjet e tilla, duke e mbajtur partinë të bashkuar rreth figurës së tij. Po duke se tani, Ahmeti ua ka treguar derën veteranëve në parti, të njohur si ‘Grupi i Zjarrit’, emrin e të cilëve e ka vënë vetë kryetari i kësaj partie. Për herë të parë Ahmeti mori një anë, ajo e zyrtarëve aktual nga garda e re, duke lavdëruar punën e tyre nëpërmjet një postimi në Facebook. Nuk besoj se është në pyetje vetëm Grubi apo Osmani, të cilët padyshim nuk e kanë përkrahjen e shumicës së degës së Shkupit. Unë mendoj se lufta lidhet me pasardhësin e Ahmetit në krye të partisë, ku drejtuesit e ‘Grupit të Zjarrit’ kanë ambicie. Nëse ky grup vendos të largohet nga BDI, atëherë partia do të përballet me ndarjen më të madhe në historinë e saj, e cila mund të rezultojë në një rënie të madhe të mbështetjes në zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë Neziri
Edhe analisti politik, Albert Musliu ka deklaruar për Kanal 5 se fjalën e fundit në BDI e ka ende kryetari i kësaj partie Ali Ahmeti,
“Kjo nuk është hera e parë që ndodh, tentime të tilla ka pasur dy herë gjatë formimit të qeverive, natyrisht bartës këtu kanë qenë dy zyrtarë të lartë të BDI-së, Izet Mexhiti dhe Blerim Bexheti, të cilët kanë qenë më të suksesshëm në zgjedhjet e fundit. Dhe sigurisht që shprehin këtë pakënaqësi për mos pasqyrimin e qëndrimeve që janë ndarë sipas votave që kanë mbledhur dhe nuk shoh asgjë dramatike në këtë proces. Nuk beson se kjo do të shkojë deri në ekstrem që të përfundojë me formimin e partive, sepse homogjen i gjithë procesit është ende Ali Ahmeti dhe nuk besoj se grupi do të vendoste të shkonte në atë drejtim. Nuk besoj se do të shkojë deri në atë masë që të rrezikohet koalicioni mes BDI-së dhe LSDM-së dhe deputetët e pakënaqur të shkojnë deri në ekstremin e rrëzimit të qeverisë, ” ka thënë Musliu