Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka bërë thirrje që Rusia të ndëshkohet për agresionin kundër Ukrainës dhe që në Këshillin e Sigurimit të OKB-së asaj t’i merret e drejta e vetos. Zelensky, në një mesazh të regjistruar paraprakisht, iu drejtua Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila aktualisht po mbahet në Nju Jork,- transmeton kdpolitik.com njoftimin e Zërit të Amerikës.
Këshilli i Sigurimit mblidhet të enjten, një ditë pasi presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi një mobilizim të pjesshëm që përfshinë rreth 300.000 rusë, paralajmëroi se Moska do të aneksonte pjesë të Ukrainës dhe u kanos me përdorimin e armës bërthamore.
“Kundër Ukrainës është kryer krim dhe kërkojmë që kjo të ndëshkohet,”- tha Zelensky në OKB dhe bëri thirrje që “dënim i drejtë” të jetë që Rusisë t’i merret e drejta e vetos në Këshillin e Sigurimit.Këshilli i Sigurimit deri tani ka dështuar të marrë vendime në lidhje me luftën në Ukrainë për shkak të vetos së Rusisë dhe mbledhja e së enjtes do të jetë e 20-ta me radhë po për këtë çështje.Shefi i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov do të takohet me homologët perëndimorë, përfshirë edhe Sekretarin amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, kur Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres të informojë anëtarët e Këshillit të Sigurimit.Ukraina, SHBA dhe vende të tjera perëndimore kanë akuzuar Rusinë për krime lufte, megjithëse Moska mohon që ajo të ketë në shënjestër civilët.
Të mërkurën presidenti rus, Vladimir Putin bëri të ditur vendimin për një mobilizim të pjesshëm, që u prit me protesta dhe arrestime anembanë Rusisë. Ai gjithashtu kërcënoi se do të përdorte armë bërthamore, duke thënë se “nuk po bënte blof”.Udhëheqësit separatistë pro-rusë në Ukrainë kanë paralajmëruar se katër rajone – Kharkivi, Zaporizhia, Donetski dhe Luhanski – në periudhën prej datës 23-27 shtator do të votojnë në referendume për t’u bashkuar me Rusinë. Kjo është rreth 15 për qind e territorit të Ukrainës.Presidenti amerikan Joe Biden përsëriti në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së se Putin duke u kanosur me armë bërthamore po shkel marrëveshjen e mospërhapjes së saj.Kryeministri kanadez Justin Trudeau dënoi “përshkallëzimin e papërgjegjshëm të luftës” të Rusisë dhe vlerësoi se sjellja e Putinit tregon se “pushtimi nuk po ka sukses”.Ministrat e jashtëm të BE-së ranë dakord të përgatisin sanksione të reja kundër Rusisë dhe paketa të reja armësh për Kievin.“Është e qartë se Putini po përpiqet të shkatërrojë Ukrainën”,- ka deklaruar kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell,-transmeton kdpolitik.com.