E diel, 27 Prill, 2025

IKJA E FUQISË PUNËTORE SHQETËSIM PËR BIZNESET

Gjithnjë e më shqetësues po bëhet trendi i ikjes së fuqisë punëtore jashtë vendit. Pronarë të kompanive e pohojnë një gjë të tillë. Ata thonë se kanë mungesë të fuqisë punëtore dhe janë për ndryshim të ligjit që të mund të marrin punëtorë nga jashtë. Përfaqësues të institucioneve ekonomike, ikjen nuk e shohin të ndërlidhur vetëm me gjendjen e rëndë ekonomike. Sipas tyre, ka shumë shkaqe dhe ndër to theksojnë mosfunksionimin e institucioneve dhe të gjyqësorit. Ato shpresojnë që hapja e negociatave me BE-në të rregullojë shumë gjëra.

 

Shkruan: Gentuar Ismaili

 

Trendi i ikjes së fuqisë punëtore jashtë vendit, po bëhet çdo ditë e më shqetësues. Rreth 260 000 persona kanë dalë jashtë shteti,  gjegjësisht 26 përqind e popullatës aktive në tregun e punës është jashtë vendit. Kështu thonë të dhënat zyrtare të Enti Shtetëror të Statistikës.

Kështu, shumë biznese kanë mungesë të theksuar të krahut të punës dhe kërkojnë nga shteti lehtësime ligjore që të marrin punëtorë nga jashtë.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Veriperëndimore Drilon Iseni thekson arsyet e ikjes së të rinjve nga vendi, por, sipas tij, më së paku ky trend ka të bëjë me situatën ekonomike.

“Ndër shkaqet më kryesore të shpërnguljes së të rinjve janë shumë arsye, pos asaj ekonomike. Të rinjtë kanë mosbesim tek institucionet në përgjithësi, gjyqësori dhe sundimi i ligjit si segmente kryesore nuk janë diçka tek të cilat të rinjtë por edhe qytetarët në përgjithësi kanë besim. Një ashtu kemi sistemin arsimor i cili nuk premton shumë dhe paralelisht me të, sistemi shëndetësor i cili si rrjedhojë e fenomenit të shpërnguljes vazhdon të ketë mungesë të stafit profesional“, thotë Iseni.

Ndërsa mes tjerash, ai fajin e kësaj situate e hedh tek mos funksionimi i administratës publike, ndërsa shpresën për rregullimin e këtij problemi e sheh tek hapja e klastereve të negociateve me BE-në.

Ndërkohë biznesmeni Xhemal Ademi thekson se si kompani për momentin kanë vetëm 12 punëtorë. Ai thotë se vitin e kaluar 15 punëtor e kanë lënë punën dhe kanë shkuar në mërgim.

“Ne si kompani jemi pro ndryshimit të ligjit për punëtorë jashtë vendit. Si kompani ndërtimi po edhe kompani tjera, kemi mungesë të punëtorëve në të gjitha sferat. Ne kemi për momentin 12 punëtorë. Kemi nevojë edhe për 20 të tjerë, por nuk ka. Vitin që shkoi nga kompania jonë janë larguar rreth 15 punëtorë dhe kanë ikur jashtë vendit. Dëshira e tyre për tu larguar është shumë e madhe. Ne pagat e tyre i kemi rritur edhe më parë, por jemi të gatshëm që të bëjmë edhe rritje tjetër, vetëm që të kemi punëtorë”, thekson Ademi.

Përndryshe, gjatë dimrit sipas paralajmërimeve pritet një krizë e madhe sa i përket zinxhirit të furnizimit dhe mungesës me energji elektrike.

Kryeministri i vendit Dimitar Kovaçevski, gjatë ditëve të kaluara ka qenë në një turrë vizitash jashtë vendit, për të siguruar energji elektrike.

Të fundit