E hënë, 21 Prill, 2025

BETEJA PËR MBIJETESË NË KOHËN E RRITJES ENORME TË ÇMIMEVE

Kostoja e jetesës dhe indeksi i çmimeve me pakicë shënojnë rritje në gusht në krahasim me muajin paraprak. Rritje më të madhe ka buka, e cila vetëm në muajin gusht është rritur për 6.4 për qind, ndërsa për një vit rritja e çmimit arrin deri mbi 44 për qind. Qytetarët ankohen se rritja e vazhdueshme e çmimeve po vështirëson çdo ditë jetën e tyre. Ata thonë se po luftojnë për mbijetesë. Shporta konsumatorë nga muaji në muaj po rritet, ndërsa të ardhurat mbesin të njëjta. Sipas tyre çmimet nuk rriten vetëm nga muaji në muaj, por nga dita në ditë.

Shkruan: Eljesa Dervishi

Ekonomia botërore hyri në vitin 2022 me inflacion të lartë, borxhe të larta të sektorit privat dhe publik, si dhe ndërprerje të zinxhirit furnizues në të gjithë botën. Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të ndajë fatin e ekonomisë botërore, e veçanërisht të Evropës. Komisioni Evropian pret që inflacioni i lartë në eurozonë të vazhdojë. Sipas parashikimit ekonomik të paraqitur nga autoritetet në Bruksel, çmimet në eurozonë pritet të rriten mesatarisht me 4.8 për qind në tre muajt e parë të vitit që vjen, pasi ata ishin rritur me shifër rekord prej 4.6 për qind në tremujorin e fundit të vitit 2021. Për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë, efekteve të variantit Omikron të virusit Korona dhe ulja e dërgesave, Komisioni Evropian pret një lehtësim të ndjeshëm të presionit ndaj çmimeve për konsumatorët dhe kompanitë pak para fundit të vitit 2022.

Shporta minimale në muajin gusht për një familje katëranëtarëshe ishte 48.234 denarë, thonë nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë. Sipas të dhënave të fundit, një familje që jeton në shtëpi prej 50 metrave katrorë dhe nuk posedon veturë, vetëm me produkte bazë i nevojiteshin 41.295 denarë, por me rritjen e inflacionit prej 16.8 për qind kjo shumë shënoi rritje për 6.937 denarë. Në këtë përllogaritje nuk janë përfshirë shpenzimet e materialeve të nevojshme për fillimin e vitit shkollor për një nxënës, për të cilin duhet të ndahen 6000 denarë shtesë.

Sipas të dhënave, vetëm për ushqim dhe pije ku janë përfshirë 63 produkte, të cilat nuk i shprehin nevojat e plota për ushqim, por i shprehin mundësitë, shprehitë dhe traditën për ushqim, ndërkaq vlera e të njëjtave nuk merret si mesatare, por si vlerë minimale, u nevojiten 18.324 denarë apo për 324 denarë më shumë se rroga minimale, thonë nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.

Edhe të dhënat e Entit Shtetëror për Statistikë thonë se kostoja e jetesës dhe indeksi i çmimeve me pakicë shënojnë rritje në gusht në krahasim me muajin paraprak. Rritje më të madhe ka buka, e cila vetëm në muajin gusht është rritur për 6.4 për qind, ndërsa për një vit rritja e çmimit arrin deri mbi 44 për qind.                                                                                                                                                                    “Rritja e indekseve të kostos së jetesës në gusht të vitit 2022, krahasuar me muajin paraprak është shënuar te buka dhe dridhërat edhe atë për 6.4 për qind, frutat e freskëta dhe të ftohta për 3.8 për qind, te qumështi për 3.6 për qind, mishi për 2.5 për qind dhe produktet e tjera ushqimore për 1.8 përqind”, thonë nga ESHS.

Sa u përket vendeve të BE-së, vetëm në Çeki, Lituani, Letoni dhe Estoni ka inflacion më të lartë. Në vendet e tjera, sipas të dhënave të Eurostat-it, inflacioni është më e ulët se në Maqedoni, kurse mesatarja evropiane është 8.6 për qind.

Qytetarët ankohen se rritja e vazhdueshme e çmimeve po vështirëson çdo ditë jetën e tyre. Thonë se po luftojnë për mbijetesë. Shporta konsumatorë nga muaji në muaj po rritet, ndërsa të ardhurat mbesin të njëjta. Sipas tyre çmimet nuk rriten vetëm nga muaji në muaj, por nga dita në ditë.

Ankesat e qytetarëve për çmimet e produkteve bazë ushqimore duket se nuk do të ndalojnë edhe një periudhë të gjatë, pasi çdo muaj vlera e shportës konsumatorë sa vjen e rritet. Madje e njëjta ka mbërritur deri në 42 mijë denarë. Tani shqetësim kryesor për banorët e vendit është mbijetesa.

 

 

Të fundit