E enjte, 18 Prill, 2024

PRESIDENTI SERB PAS TAKIMIT ME LAJÇAKUN: NA U DHA NJË “ARMATURË E RE”

Pas seancës së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se biseda e së premtes me përfaqësuesit e presidentit francez Macron, të kancelartit gjerman Scholz dhe të dërguarin e BE-së, Miroslav Lajçak “nuk ka qenë e lehtë”.

“M’u kumtua se Putini ka ‘ngritur perden’ dhe tani i takon të gjithëve të deklarohen se në cilën anë duan të qëndrojnë, në anën e perdes ku ekonomia nuk ekziston, apo në anën e suksesit ku ata janë,” transmeton KDP deklaratën e presidentit serb, sipas të cilit ditëve në vijim “do të ketë shumë më tepër presion për të arritur zgjidhjen të cilën Serbia do ta pranonte”.

Vuçiq duke iu referuar bisedimeve me treshen evropiane la të kuptohet se prej tyre kishte marrë “propozimin e armaturës plotësisht të re të bisedimeve në Bruksel”, të cilat, sikurse transmeton media në Beograd, duhet të mundësojnë së shpejti zgjidhjen përfundimtare “të problemeve me të cilat jemi përballur dhe të të gjitha çështjeve të pasqaruara lidhur me Kosovën e Metohinë”, – ka deklaruar presidenti Vuçiq të premten në mbrëmje menjëherë pas takimit me diplomatët nga Evropa dhe pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

“Biseda nuk ishte aspak e lehtë, por në thelb mund të them disa gjëra: Përfaqësuesit e vendeve më të fuqishme evropiane, të cilët theksuan se për këtë kanë mbështetjen e SHBA-së dhe të Turqisë, konsiderojnë se në kushtet kur ka një luftë në Evropë, nuk nevojiten konflikte të reja dhe se është e nevojshme të arrihet një zgjidhje sa më e shpejtë, dhe nën dy – ajo që mendoj se është shumë më e rëndësishme – që fuqitë e mëdha perëndimore, plus Turqia, siç më thanë, dëshirojnë zgjidhjen e problemit, sepse në Evropë ka luftë, ndoshta ne këtë në Serbi nuk e kuptojmë, Evropa duhet të mbrohet dhe në përputhje me këtë zgjidhje potenciale, ata do të shmangnin mundësinë për t’i ofruar një përgjigje të qartë Presidentit Putin në lidhje me çështjen e precedentit juridik dhe dhënies së pavarësisë Kosovës, pas kësaj do të thoshin – u arrit marrëveshja, kështu që ne në gjithë këtë u bëmë dhe një herë dëm kolateral i konflikteve të të mëdhenjve dhe i sjelljes së tyre joparimore nga e kaluara,”- citon TV N1 presidentin Vuçiq.

Ndërkaq, koha.net raporton se i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka kërkuar dinamikë të re në procesin e dialogut, në takimet e ndara që të premten ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë, dhe me presidentin e Serbisë në Beograd. Ndërsa po zhvilloheshin bisedimet, Vuçiqi ka publikuar një deklaratë të tij në të cilën ka thënë se janë të gatshëm për kompromis, porse nuk do të ketë njohje të Kosovës.

“Bashkëbisedim për të ardhmen e Serbisë dhe nuk do të ketë njohje të Kosovës!”- transmeton KDP njoftimin e koha.net bashkë me parlajmërimin e Lajçakut se në ditët e ardhshme do të ketë intensifikim të përpjekjeve të BE-së për procesin e dialogut:

“Sot, bashkë me këshilltarët e lartë për politikë të jashtme të presidentit francez dhe kancelarit gjerman, pata diskutime gjithëpërfshirëse, të rëndësishme me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandar Vuçiq për të shikuar opsionet për progres në dialog. Procesi do të vazhdojë në ditët e ardhshme,” – ka shkruar Miroslav Lajçak në Twitter.

Të fundit