E mërkurë, 24 Prill, 2024

ANALIZË E WASHINGTON POST: PSE BE-JA NUK PO MUND T’I JAPË FUND KONFLIKTIT MES KOSOVËS DHE SERBISË?

Një sondazh i ri sugjeron se shumë njerëz në Kosovë nuk i miratojnë përpjekjet e BE-së.

Analizë nga Cameron Mailhot, Washington Post.

Muajin e kaluar, Bashkimi Evropian priti bisedime të mëtejshme mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë, megjithëse përfaqësuesit e të dyja palëve u larguan edhe një herë nga Brukseli pa një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.

Duke u përpjekur për të përfituar nga çdo moment i mbetur, BE dhe të dërguarit e ShBA-së vizituan të dy vendet në fund të gushtit, me sukses minimal.

Pse BE-ja po përballet me vështirësi për të realizuar një marrëveshje përfundimtare midis dy vendeve për normalizimin e marrëdhënieve?

Hulumtimi im sugjeron se ekziston një faktor i anashkaluar: çfarë dëshiron populli i Kosovës.

Ndërsa një sërë organizatash ndërkombëtare janë të përfshira në ndërtimin e paqes, shumë kosovarë nuk e miratojnë rolin e BE-së në këto përpjekje. Kjo tregon se për qytetarët rëndësia e asaj se kush ndërmjetëson procesin është ndoshta po aq sa vetë ndërmjetësimi.

Çfarë po ndodh mes Kosovës dhe Serbisë?

Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë kanë mbetur të tensionuara në 20 vitet e fundit.

Një ish provincë e Serbisë – brenda Jugosllavisë, pas luftës dyvjeçare dhe një fushate bombardimi të NATO-s, e krijuar për t’i dhënë fund dhunës së përhapur kundër shqiptarëve etnikë, Kosova u kalua nën administrimin e OKB-së në vitin 1999.

Me mbështetjen perëndimore, Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, megjithëse Serbia refuzoi ta njohë atë. Në atë kohë, BE-ja vendosi një mision për të marrë përsipër detyrat e OKB-së për të ndihmuar në rindërtimin e institucioneve qeveritare të Kosovës dhe për të ndërmjetësuar procesin e dialogut.

Përparimi i parë i madh në normalizimin e marrëdhënieve u bë në vitin 2013 me nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit të ndërmjetësuar nga BE.

Por që atëherë, progresi ka ngecur. Edhe pse parlamenti i Kosovës e ratifikoi marrëveshjen, pas protestave të mëdha ajo nuk u zbatua – dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës nxori një anulim të pjesshëm të marrëveshjes në vitin 2015. Dy vjet më vonë, BE udhëhoqi krijimin e një gjykate jopopullore për të gjykuar krimet e luftës në Kosovë të kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës etnike shqiptare.

Pas një pauze të shkurtër, BE nisi prapë procesin e dialogut në vitin 2020. Megjithatë, situata vetëm sa është tensionuar më shumë.

Shtatorin e kaluar, në përgjigje të protestave të serbëve etnikë kundër vendimit të qeverisë së Kosovës për të kërkuar dokumentacion gjatë kalimi të kufirit, qeveria serbe mobilizoi ushtrinë e saj. Një muaj më vonë, policia e Kosovës arrestoi kontrabandistët e dyshuar në veriun e Kosovës me shumicë serbe, duke nxitur kritika nga BE-ja, për “veprim të njëanshëm”.

Tensionet u ndezën sërish këtë vit pasi Serbia rifilloi fushatën e saj për të inkurajuar vendet që të “ç’njohin” Kosovën dhe qeveria e Kosovës përsëri i shtyu serbët etnikë në Kosovë të aplikonin për targa kosovare dhe të tregonin dokumentet e identifikimit në kufi.

Më 27 gusht, të dy palët arritën një moratorium të përkohshëm për çështjen e regjistrimit.

Çfarë mendojnë kosovarët?

Për të kuptuar se çfarë mendojnë njerëzit në Kosovë për përpjekjet e BE-së, në qershor dhe korrik, kam realizuar një anketë telefonike 20-minutëshe me 1,608 të rritur.

Një ekip hulumtuesish me përvojë të trajnuar në mënyrë të pavarur përdori metoda të telefonimit me shifra të rastësishme për të përzgjedhur qytetarët kosovarë (ose banorët e përhershëm) për intervistë.

Të gjithë të anketuarit e kontaktuar ranë dakord të marrin pjesë.

Mostra e anketës është e ngjashme për nga mosha, gjinia, arsimimi dhe statusi socio-ekonomik me popullatën e gjerë të rritur të Kosovës. Megjithatë, demografia etnike e anketës është paksa e anuar drejt shqiptarëve, të cilët përbëjnë rreth 93 për qind të popullsisë së Kosovës.

Të anketuarëve, u bëra pyetje në lidhje me qëndrimet e tyre ndaj punës së BE-së në Kosovë, të NATO-s dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Opsionet e përgjigjes varionin në pesë pika të ndryshme.

A janë kosovarët të kënaqur me kontributin e BE-së, NATO-s dhe OSBE-së për paqen dhe stabilitetin?

Rezultatet tregojnë se në mënyrë sistematike kosovarët nuk e miratojnë rolin e BE-së, si në terma relativë ashtu edhe në absolut.

Ndërsa 42 për qind e të anketuarve ishin të kënaqur me kontributin e BE-së për paqen dhe stabilitetin, 44 për qind ishin të pakënaqur. Kjo është në kontrast me mënyrën se si ata e shohin kontributin e NATO-s dhe OSBE-së – 94 për qind e të anketuarve ishin të kënaqur me përpjekjet e NATO-s, ndërsa 73 për qind ndiheshin ngjashëm edhe për përpjekjet e OSBE-së.

Në mënyrë të ngjashme, një numër i konsiderueshëm 64 përqind e të anketuarve besonin se BE-ja ishte e njënashme, konstatim në përputhje me akuzat e bëra nga shumë kosovarë për tendecat e anti-shqiptare dhe pro-serbe të misionit të BE-së.

Këto gjetje pasqyrohen më tej në përgjigjet në një pyetje më të gjerë: “Sa të suksesshëm apo të pasuksesshëm kanë qenë në kryerjen e detyrave të tyre në Kosovë?”

Ndërsa shumica dërrmuese e të anketuarve besonin se NATO dhe OSBE-ja kanë qenë të suksesshme (përkatësisht 95 për qind dhe 78 për qind), vetëm 42 për qind mendojnë në mënyrë të ngjashme për BE-në.

A besojnë kosovarët që BE, NATO dhe OSBE i kryejnë me sukses detyrat e tyre?

Ky konstatim vlen të përmendet, duke pasur parasysh detyrat e secilës organizatë në Kosovë. Ndërsa BE-ja, ka marrë drejtimin në dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe reformat institucionale, NATO-ja është kryesisht e ngarkuar me parandalimin e konflikteve të mëtejshme dhe dhunës ndëretnike, megjithatë kërcënimi i të dyjave është rritur ndjeshëm në 12 muajt e fundit.

Pavarësisht vështirësive me të cilat përballen të dy misionet, duket sikur kosovarët janë bërë gjithnjë e më shumë dhe në mënyrë disproporcionale të ngurtësuar në qëndrimet e tyre negative ndaj përpjekjeve të BE-së.

Çfarë do të thotë kjo për përpjekjet e BE-së për ndërmjetësim?

Përderisa këto të dhëna vijnë nga Kosova, rezultatet e tjera të anketës tregojnë nivele të ngjashme mosbesimi në Serbi. Një studim i Eurobarometrit zbuloi se qytetarët serbë janë më mosbesues ndaj BE-së, sesa qytetarët e tjerë në Ballkanin Perëndimor. E ndërsa Serbia kërkon anëtarësim në BE, një sondazh i fundit i IPSOS zbuloi se serbët janë bërë gjithnjë e më të zhgënjyer me premtimet e saj, prandaj po shohin drejt Rusisë për paqe, siguri dhe stabilitet.

Këto tendenca kanë rëndësi. Aftësia e BE-së për të ndërmjetësuar një marrëveshje të qëndrueshme midis Serbisë dhe Kosovës varet nga mënyra se si dy palët e perceptojnë efektivitetin dhe paanshmërinë e saj. Kjo është veçanërisht e vërtetë pasi përpjekjet për të ndërmjetësuar konfrontimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë bëhen gjithnjë e më të zgjatura.

Pavarësisht humbjeve të fundit, BE, vazhdon të vendosë shpresa të mëdha në aftësinë e saj për të zbutur kërcënimet në rritje ndaj paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Megjithatë, këto gjetje mund të shërbejnë si një paralajmërim që nëse BE do të sjellë një fund të qëndrueshëm të mosmarrëveshjes midis dy vendeve – mund t’i duhet të kapërcejë më shumë sfida sesa krijimi i kushteve të përshtatshme të një marrëveshjeje.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme pasi BE-ja, rifillon dialogun këtë javë.

Ncionale.com/ Miranda Shala

Të fundit