Sfera e politikës duket se nuk është në foksin e të rinjve. Sipas tyre, një përfshirje e mundshme në politikë e të rinjve mund të ndodh vetëm nëse ndryshon qasja nga ana e politikbërësve. Ata theksojnë se të rinjtë shumë pak janë të përfshirë në politikë dhe përgjithësisht në proceset vendimmarrëse. Sipas të rinjve, fytyra të njëjta me vite të tëra janë në politikë dhe flasin për të ardhmen e vendit. Të rinjtë nuk respektohen, por edhe nuk janë këmbëngulës, thonë ata. Sipas tyre, të rinjtë duhet të përfshihen aktivisht në politikë, sepse shumëçka nuk është në rregull.
Shkruan: Gentuar Ismaili
Politika është fusha që zakonisht të rinjtë ngurojnë t’i futen, por në fakt të gjitha grupmoshat më së shumti diskutojnë e merren me politikë e zhvillime politike.
Skenën politike dhe institucionet dominohen më tepër nga udhëheqës të moshës e tretë të shoqërisë, që më tepër vjen për shkak të mendësisë dhe jo të cilësisë.
Të rinjtë nuk e shprehin gatishmërinë për t’u aktivizuar politikisht, jo për shkak se nuk e kanë përgatitjen profesionale ose guximin, por për shkak të qasjes së politikbërësve.
Sabir Xhemaili shprehet se nuk e ka ndërmend të kyçet në politikë. Mendimin mund ta ndryshoj, thotë ai, vetëm nëse politikbërësit ndryshojnë qasjen ndaj të rinjve.
“Unë personalisht nuk është që kam menduar ndonjëherë të kyçem në politikë. Besoj që për momentin nuk ka ndonjë arsye, por në të ardhmen nëse shohim ndryshim se si politika, partitë politike apo shteti ynë si i trajton të rinjtë në politikë, nëse kjo ndryshohet në rrugën pozitive dhe nëse kjo jep rezultate dhe fryte të duhura atëherë, do mundesha të kyçem. Në proceset e rëndësishme politike, unë mendoj se të rinjtë nuk përfshihen aspak tek ne proceset e rëndësishme vendimmarrëse politike duke e pasur parasysh edhe persona që janë të zgjedhur në Kuvendin e RMV-së si deputet të gjithë por shumica nuk janë të rinj, shumica apo të gjithë mbi 30 apo 50 vjet”, thekson studenti Xhemaili.
I diplomuari në Departamentin e komunikimit ndërkulturor Fitim Marovci thotë se nuk e ka menduar të kyçet në politikë, por të tjerët thotë se kanë shumë arsye për t’u angazhuar aktivisht.
“Unë personalisht nuk kam menduar të kyçem në politikë. Por, mendoj se ka shumë arsye se përse të rinjtë duhet të kyçen, pasi shumëçka nuk është në rregull. Fytyrat e njëjta që për vite të tëra janë në politikë, sot flasin për të ardhmen e vendit. Të rinjtë nuk respektohen, por edhe nuk janë këmbëngulës. Mashtrohet lehtë e futen në rrjetin e politikanëve të vjetër. Thjeshtë, bëhen instrumente të tyre”, thekson Marovci.
Përndryshe, mosha mesatare e personave që merren aktivisht me politikë është 40 vjet.
Të rinjtë edhe pse janë shumica të shkolluar e të diplomuar, shumë pak janë të kyçur në parti politike apo janë udhëheqës të funksioneve kyçe në shtet.