E shtunë, 13 Korrik, 2024

XHEZAIRI PËR KTV: SFORCIMI I LIDHJEVE DO TË NA KUSHTOJË

Gazetari në Maqedoninë e Veriut, Seladin Xhezairi, ka thënë se mostakimi i delegacionit të Kosovës me kryetarin e Luginës së Preshevës, Shqiprim Arifi, është incident nga i cili duhet nxjerrë mësim, përcjell kdpolitik.com.

Ai në emisionin 60 Minuta në KTV ka thënë se kohëve të fundit ka pasur plasaritje mes forcave qeverisëse në Luginën e Preshevës.

Ka thënë se këto incidente nuk i bëjnë mirë asnjërës palë.

“Sforcimi i lidhjeve nuk është që nuk kushton. Nuk është që nuk thellon përçarjen brenda korpusit politik edhe në Luginën e Preshevës, por edhe Prishtinës. Përzierja në skenën politike të një vendi tjetër, nuk është që nuk i jep të drejtë edhe Serbisë të përzihet në Kosovë. Abazoviq pati thënë se nuk po bëhet kryeministër si shqiptar por si përfaqësues i një partie. Klasës politike shqiptare i duhet një unitet mendimi dhe veprimi për ato që mund të cilësohen si shtylla të politikës kombëtare”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se kur është fjala për komunikim të ndërsjellë, liderët politikë shqiptarë lënë shumë për të dëshiruar.

Sipas tij, në mbledhjet e përbashkëta ka shumë marrëveshje, por që në realitet ato nuk vihen në implementim.

Xhezairi ka thënë se Ballkani i Hapur nuk rezultoi i suksesshëm ashtu siç u pretendua në fillim.

Ai ka thënë se liderët tjerë shqiptarë, kanë kërkuar nga kryeministri shqiptar, Edi Rama, që të ketë konsultim lidhur me Ballkanin e Hapur.

Sipas tij, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq fiton epërsi nga një qëndrim i tillë mes liderëve shqiptarë.

“Beogradi zyrtar po ia del me temat që ka planifikuar. Duhet pritur se Kosova dhe Serbia ta kapërcejnë rubikonin e dialogut. Politikanët në Maqedoni kanë manifestuar rezervat e tyre. Në samitin e Ohrit, Abazoviqi tha se projekti i Ballkanit të Hapur nuk mund të jetë i plotë pa të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Prishtina ka mundur të shfrytëzojë praninë në Tiranë dhe në Ohër dhe për t’iu thënë se pse nuk shkon. Siç po zhvillohen tani punët edhe nga Kosova edhe nga Serbia, duhet pritur ditë më të mira”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se pozita e shqiptarëve në Maqedoni në skenën politike është përmirësuar. Por ka shtuar se Maqedonia po zbrazet për shkak të kushteve ekonomike.

Sipas tij, investimet në Maqedoni bëhen në baza etnike.

Të fundit