E hënë, 21 Prill, 2025

SHËNOHET PËRVJETORI I SHUARJES DHE SHENJTËRIMIT TË NËNË TEREZËS

Sot mbushen 25 vjet nga vdekja e humanistes shqiptare, fituese e Çmimit Nobel për Paqe, Shën Nënë Tereza. Po ashtu, si sot gjashtë vite më parë, Papa Françesku njohu dy mrekullitë e Nënë Terezës duke vendosur që Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, të njihet tashmë si Shën Tereza, – transmeton KDP. Përvjetorët shënohen me manifestime rasti në mbarë hapësirat shqiptare.

Shën Tereza, emri i plotë i së cilës është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, u lind më 26 gusht 1910 në Shkup. Ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqen, ndërsa më 19 tetor 2003 u shpall e bekuar nga Vatikani.

Ajo ishte nënë kujdestare e 7.500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960.000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë qe trajtonte 47.000 viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3.400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitim e bonjakë. Këto janë shifrat e mesit të viteve ’80, dhe derisa Shën Tereza ishte gjallë dhe sot e kësaj dite shifrat kanë ndryshuar shumë.

Shën Tereza ka ndërruar jetë më 5 shtator 1997 në Kalkuta të Indisë.

Papa Françesku më 4 korrik 2016, duke lexuar formulën e shenjtë në emrin e Zotit ka shpallur Nënë Terezën, si Shën Tereza. Kjo erdhi pas lituanive të shenjta që u bën në Vatikan.

Dy janë mrekullitë të njohura botërisht që i hapën rrugën shenjtërimit të murgeshës shqiptare.

E para ishte dëshmia e Monika Besras nëna e 5 fëmijëve. Ajo është shprehur se lutja përpara ikonës në Nënë Terezës e shëroi nga sëmundja e tumorit në stomak. Ngjarja ndodhi në vitin 1998 një vit pas vdekjes së Nënë Terezës. Ajo rrëfeu se ndjekëset e saj e çuan në një kishë dhe i thanë të lutej përpara fotos së shqiptares. Ato i kishin dhënë një medaljon të Nënës Terezës të cilin e vendosën mbi stomakun e saj. Kur u zgjua Besra tha se dhembja e sëmundja ishte zhdukur. Kjo mrekulli u njoh nga në vitin 2003 Papa Gjon Pali i Dytë.

Mrekullia e dytë u njoh në vitin 2015 nga Papa Françesku. Një 25-vjeçar nga Brazili konfirmoi se falë murgeshës shqiptare ishte kuruar nga tumori në tru.

Me rastin e këtij përvjetori, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka përcjellë një mesazh   duke nënvizuar se e sotmja duhet të jetë një ditë reflektimi për secilin nga ne për më shumë solidaritet për të afërmit dhe dashuri për njërin tjetrin: “ Shenjt Tereza e Kalkutës, dëshmi e gëzimit, që buron nga dashuria për jetën dhe për madhështinë e dinjitetit njerëzor.

Bija shqiptare është simbol i mohimit të privilegjit vetjak dhe shërbimit të pakursyer ndaj të vuajturit, të uriturit, të pamundurit e të harruarit.

Në një botë, që rend drejt materiales, shembulli i saj na fton të shohim brenda vetes, brenda familjeve dhe shoqërive tona për të kultivuar dashurinë për tjetrin dhe vlerat më të mira shpirtërore të popullit tonë, të cilat Nënë Tereza i ka lartësuar si askush tjetër në botë. E sotmja duhet të jetë një ditë reflektimi për secilin prej nesh për më shumë solidaritet për të afërmin, dashuri për njëri-tjetrin dhe shërbim për vendin!”- theksohet në mesazhin e Presidentit shqiptar.

Në një shkrim autorial në drita.info, Don Fatmir Koliqi, thekson se Nënë Terezame shenjtërinë e saj magnetike, thjeshtësinë prekëse, dashurinë ledhatuese, njerëzinë  shumëdimensonale, ajo është bërë ikona e kohës sonë”.

Gruaja e tejkohshme

“Kjo grua, “gjigantja shtatëshkurtër”, është person që tërheq e grish për ta njohur atë gjithnjë e më shumë. Arsyeja e kësaj tërheqje qëndron te e përhershmja cilësi e saj: personi dhe jeta e saj e hirshme me veshje hyjnore.

Gjithnjë, para 5 shtatorit, që është ditëfesta liturgjike e asaj, kjo tërheqje bëhet edhe më e fuqishme, thuajse e parezistueshme: shndërrohet në grishje të flaktë për ta ritakuar, për të mësuar prej saj dhe për ta imituar personin e saj.

5 shtatori, është ditëfesta e Shenjtëreshës Shqiptare.

5 shtatori, është dita e lindjes së saj për përjetësi, si dhe ditëfesta jonë për Nënën. Pjesëmarrja në këtë festë nuk duhet të jetë vetëm ditë pushimi e çlodhje fizike, por mbi të gjitha, një ditë e shenjtë në kuptimin e plotë të fjalës, ditë e ripërtëritjes, freskisë shpirtërore, për të përjetuar e mishëruar atë që Nëna e ka jetuar me mendje e me zemër, me vepra e me gjeste, gjatë jetës së saj tokësore. Me një fjalë: është festë për të frymuar shpirtin terezian.

5 shtatori, është edhe ditë ndërkombëtare e bamirësisë e shpallur nga Kombet e Bashkuara, dhe nga Parlamenti i Kosovës, që u inspirua nga Nëna jonë Tereze dhe e identifikuar me të. Ne, populli i saj, e përjetojmë këtë ditëfeste për ta bërë ditën tonë të dashurisë dhe të bamirësisë: ditë për vlerat e brumit të identitetit tonë, që i kanë dhanë shpirt qenies sonë mijëravjeçare.

5 shtatori, është një ditëfestë për ta njohur Shenjtëreshën, për ta takuar Nënë Terezën dhe për t’u inspiruar prej personit të saj. Të njohësh, në kuptimin biblik – të krishterë, është e barasvlershme me: të pranosh, të identifikohesh, të përthithësh shpirtin veprues të saj: të mishërosh shpirtin terezian. Kjo, jo vetëm pse është një bijë e krishterimit tonë të lashtë, vlerë e kombit tonë, por sepse ajo është vlerë e tejkohshme për çdonjërin prej nesh. Ajo, është figura e një bote që njerëzimi e ëndërron. Sepse ajo është si gurrë e pashtershme, nga i cili buron uji i kulluar e i freskët, që shuan etjen shpirtërore në çdo stinë. Ajo, përfaqëson vlerat për të cilat ndjejmë etje dhe uri të përhershme. Së fundmi, pikërisht sepse personi i saj është derdhje e ngjeshur e një bote të pathënë, të ngujuar ndër shekuj, e pa shfaqur tek vëllezërit tanë dhe motrat tona, për shkak të “këmishave të ngushta e frymëzënëse” që i janë ofruar e imponuar ndër shekuj. Ajo, është liria jonë e kërkuar, dashuria jonë e parealizuar dhe paqja jonë e pa përjetuar.

5 shtatori, i përçdovjetshëm, në Kosovë, pashmangshmërisht lidhet me tempullin e Shën Nënë Terezës që është ndërtuar në tokën e Pjetrit të zhvarrosur. Katedralja kushtuar personit të saj të shenjtë, është ‘vizatuar’ të jetë Katedra e Mësimit dhe e Shpalljes; një vendtakim i dashurisë për ata që dashurinë e kanë mision të jetës, një vendmësim për ata që ajo u ka munguar e u mungon akoma. Është Katedër e Nënës së urtë, Nënë Lokes plotë dashuri, me duar të ngrohta, të mëshirshme, ledhatuese dhe me përqafim pranimi, shërimi. Është Katedër për bijtë e bijat e saja që i do pamasë, me atë dashuri me të cilën qe mbrumur jeta e saj. Është Katedër prej së cilës, do të mësojnë pasardhësit e saj të uritur për dijen e shpirtit, përvujtërisë, solidaritetit dhe dashurisë në vepër.

5 shtatori, është ditëfestë për Gruan e tejkohshme.

5 shtatori, është ditëfestë e lutjes së shqiptarëve drejtuar Shenjtëreshës së tyre.

Na mëso, o Shenjtëresha jonë, ta duami njëri-tjetrin me atë fuqi dashurie që ti e deshe çdo njeri, ata të varfër ndër më të varfër, të mënjanuarit, të lënët, të përjashtuarit… të padashurit. Ne, bijtë e të bijat e tua, kemi nevojë për përvojën dhe fuqinë tende, sepse s’mund të rrojmë pa e dashur të afërmin tonë, vëllanë dhe motrën, me të cilët ndajmë jetën e përditshme”.

 

 

Të fundit