E premte, 19 Korrik, 2024

ABETARJA E UNIFIKUAR NEVOJË E PASHMANGSHME, SHAQIRI SIGURON SE SHUMË SHEPJTË DO TË JETË KËTU

Brenda kohës është hapur debati për përdorimin e abetares së unifikuar edhe për nxënësit shqiptarë të Maqedonisë së Veriut. Profesoresha Floretina Fetahu thotë se është tepër e nevojshme që kjo abetare të jetë në duart e nxënësve shqiptarë edhe në Maqedoninë e Veriut. Sipas saj, abetarja ekzistuese është diskriminuese për nxënësit shqiptarë sepse mungojnë emetimet shqipe. Ndërkohë, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri thekson se po shqyrtohen të gjitha mundësitë që kjo abetare të jetë e pranishme dhe në Maqedoninë e Veriut. “Jam i bindur se shumë shpejtë kjo do të ndodh edhe tek ne. Ju e dini se në Shqipëri dhe Kosovë është promovuar ky libër, viti shkollor atje fillon më vonë, ne pak më herët. Do të siguroj librin dhe do të shohim se si do të rrjedhin gjërat më tej”, ka theksuar Shaqiri.

Shkruan: Gentuar Ismaili

Edhe pse prej vitesh në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Ministrin e Arsimit e kanë udhëhequr disa ministra shqiptarë, përdorimi i abetares së unifikuar shqiptare, ka mbetur thjeshtë në nivelin e premtimeve dhe deklaratave politike.

Me fillimin e viti shkollor, sërish shtrohet pyetja se pse nxënësit shqiptarë të vendit tonë mos ta gëzojnë të drejtën sikur bashkëmoshatarët e të njëjtës etni matanë kufirit, për të mësuar me abetaren e unifikuar.

Profesoresha e gjuhës shqipe, Floretina Fetahu thekson se shteti tonë i duhet një abetare shqiptare pasi në abetaren ekzistuese kemi diskriminim të shqiptarëve të Maqedonisë.

 

“Çdo pranues i posteve politike që anashkalon çështjen e arsimit shqip,  në një farë mënyre është bashkëfajtor për mosndërmarrjen e masave të duhura për t’u realizuar ky qëllim. Meqë gabimet gramatikore dhe gjuhësore që hasim në abetaren tonë janë aq trashanike, sa edhe qesharake. Këto lëshime nuk bëhen tek abetarja e dy shteteve shqipfolëse. Përveç kësaj në abetaren shqipe në Maqedoninë e Veriut përdoren emra njerëzish e qytetesh maqedonase, gjë që është diskriminuese për emërtimet shqipe tonat”, u shpreh profesoresha Fetahu.

Ndërkohë, ministri i Arsimit Jeton Shaqiri përsëriti premtimin se së shpejti edhe nxënësit tanë do ta kenë këtë pasuri kombëtare, kurse fajin e hodhi tek labirintet burokratike. I pyetur në lidhje me abetaren e përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë, se kur edhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut do të përdorin abetaren e unifikuar, Shaqiri tha se procedurat atje kishin filluar më herët dhe se po shqyrtohen të gjitha mundësitë që kjo të ndodh edhe tek ne.

“Jam i bindur se shumë shpejtë kjo do të ndodh edhe tek ne. Ju e dini se në Shqipëri dhe Kosovë është promovuar ky libër, viti shkollor atje fillon më vonë, ne pak më herët. Do të siguroj librin dhe do të shohim se si do të rrjedhin gjërat më tej”, u shpreh Ministri Shaqiri.

Përndryshe, para disa muajve në mbledhjen mes dy qeverive shqiptarë asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, u vendos që të ketë një abetare kombëtare shqiptare. Me nisjen e vitit të ri shkollor, në opinion u rikthye debati se pse vetëm në Maqedoni nuk ka një abetare të tillë.

Me fillimin e shkollës në të dyja vendet u vu në funksion ky libër, kurse tek ne ende nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim.

 

Të fundit