E diel, 27 Prill, 2025

NENAD ÇANAK: SERBIA PRAKTIKISHT E NJOHU KOSOVËN

Kryetari i Lidhjes së Socialdemokratëve të Vojvodinës (LSV), Nenad Çanak, ka deklaruar të enjten se me njohjen e dokumenteve personale të Kosovës Serbia e ka njohur praktikisht Republikën e Kosovës dhe sovranitetin e saj thelbësor mbi këtë territor. Vendimi i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq për të njohur dokumentet e Kosovës, shtoi Çanak, është një “lëvizje e drejtë e detyruar”.

Çanak i ka deklaruar agjencisë serbe të lajmeve Beta se ka kohë që është e qartë, që nga viti 1999, se udhëheqja e Republikës së Serbisë do të bëjë çmos përveçse “të pranojë se e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”.

“Burimi i tensioneve në Ballkan vështirë se mund të ruhet në terma afatgjatë dhe ishte plotësisht e qartë se me Kosovën do të bëhej një marrëveshje e qëndrueshme. Pasi pala kosovare insistonte në konceptin e reciprocitetit, ishte e pritshme se Serbia të detyrohet të njohë dokumentet e Republikës së Kosovës”, – citon KDP deklaratën e Çanakut për agjencinë Beta.Ndërkaq, pyetjes nëse presidenti Vuçiq do t’i njohë edhe targat e RKS-së, ai i është përgjigjur duke thënë se nuk ka dallim në mes të njohjes së letërnjoftimeve dhe targave dhe se është logjike që autoritetet t’i njohin targat RKS.

“Meqenëse Rubikon është kapërcyer, është vetëm çështje kohe se kur do të njihen edhe targat RKS. Pres se nuk do të ndalohen  targat KM që do t’i dhemb kryeministrit kosovar Albin Kurti. Ashtu sikurse i dhembin Vuçiqit letërnjoftimet kosovare , po ashtu edhe Kurtit do t’i dhembin targat serbe,’– ka deklaruar lideri i Lidhjes së Socialdemokratëve të Vojvodinës, Nenad Çanak për agjencinë Beta.

 

Të fundit