E premte, 19 Korrik, 2024

MESAZHET E THELLA DHE HUMANE TË NJË PROTESTE

Sigurisht përballë këtij brutaliteti mashkullor që me kohë ushqehet me stereotipe familjare dhe shoqërore tashmë ndodhet zëri i protestës, zëri i grave dhe meshkujve që kërkojnë dënim të kryerësve të këtij akti monstruoz, por që në të njëjtën kohë nga Prishtina, Tirana dhe Shkupi dhanë mesazhin human dhe preventiv për parandalimin e të gjitha formave të dhunës ndaj grave. Shumë nga mesazhet në këto protesta detektonin pikërisht ato shtresime shoqërore që në një fare mënyre e stimulojnë dhunën dhe krijojnë potencialitete për përsëritje të rasteve.  Pikërisht këto mesazhe të protestave në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup, do të duhet të jenë baza e reagimit institucional, do të duhet të jenë baza e një analize shumë më të thellë për të identifikuar dhe çrrënjosur shkaqet e një psikologjie të këtillë të dhunshme që po përsëritet vazhdimisht. Dhuna nuk prodhohet vetvetiu, dhunën për më tepër e prodhojnë diskurset publike dhe jopublike, e prodhojnë mendësitë që gruan e shohin në raporte krejtësisht të pabarabarta me mashkullin.

Shkruan: Bardhyl Zaimi

Rasti i përdhunimit të 11 vjeçares nga Kosova ka alarmuar shoqërinë shqiptare. Një rast brutal që ka tronditur opinionin, një rast që shpërfaq anomali të shumta në sistemin e edukimit, por që njëkohësisht shpërfaq edhe një mendësi potenciale komentuesish në rrjetet sociale që në forma latente, por edhe të hapura e justifikojnë këtë akt monstruoz. Kjo ngjarje po krijon tronditje të dyfishtë, tronditjen se deri ku mund të shkojë brutaliteti përdhunues, por edhe deri ku mund të shkojnë justifikimet e një pjese të komentuesve, deri në çfarë shkalle cinizmi brutal ndaj një rasti që tashmë përveç që duhet të marr epilog ligjor duhet të analizohet edhe si dukuri pak më e gjerë atavizmash që rishfaqen me një brutalitetit të paparë.

Sigurisht përballë këtij brutaliteti mashkullor që me kohë ushqehet me stereotipe familjare dhe shoqërore tashmë ndodhet zëri i protestës, zëri i grave dhe meshkujve që kërkojnë dënim të kryerësve të këtij akti monstruoz, por që në të njëjtën kohë nga Prishtina, Tirana dhe Shkupi dhanë mesazhin human dhe preventiv për parandalimin e të gjitha formave të dhunës ndaj grave. Shumë nga mesazhet në këto protesta detektonin pikërisht ato shtresime shoqërore që në një fare mënyre e stimulojnë dhunën dhe krijojnë potencialitete për përsëritje të rasteve të dhunës ndaj grave.

Pikërisht këto mesazhe të protestave në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup, do të duhet të jenë baza e reagimit institucional, do të duhet të jenë baza e një analize shumë më të thellë për të identifikuar dhe çrrënjosur shkaqet e një psikologjie të këtillë të dhunshme që po përsëritet vazhdimisht. Dhuna nuk prodhohet vetvetiu, dhunën për më tepër e prodhojnë diskurset publike dhe jopublike, e prodhojnë mendësitë që gruan e shohin në raporte krejtësisht të pabarabarta me mashkullin.

Dënimi maksimal i dhunuesve mbetet i patjetërsueshëm, ndërkohë që mbetet shumë e nevojshme që të analizohet dhe të krijohet një strategji parandaluese e fenomenit të dhunës ndaj grave. Kjo kërkon një debat të gjerë dhe përfshirje të më tepër aktorëve, për shkak se ky tashmë është një fenomen kompleks që ndërlidhet me shtresëzime ataviste si pasojë e një dekompozimi shoqëror që reflektohet një gjithë sistemin e edukimit dhe arsimimit.

Pikërisht shtylla të kësaj nisme humanizuese dhe emancipuese duhet të jenë familja, shoqëria dhe në veçanti shkolla. Dhe në këtë drejtim do të duhet padiskutim të afirmohet koncepti i barazisë gjinore, i kuultivimit të “shpirtit të djalit” siç e ngërthen këtë nocion debati sociologjik dhe psikologjik shqiptar i viteve 30-ta.

Nuk ka rrugë tjetër, sepse pa një analizë të thellë socio-psikologjike, pa identifikim të kësaj anomalie që shfaqet ataviste dhe brutale, pa një afirmim të koncepteve tjera që nënkuptojnë barazinë gjinore dhe atë humanitet sipëran raportesh të shëndosha mes gjinive, rrezikojmë që këto raste të përsëriten brutalisht.

Të fundit