Deputeti i Bundestagut gjerman, njëherësh edhe kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme, Michael Roth tha se vendi duhet të vazhdojë angazhimin për negociatat për anëtarësim në BE. “Unë shpresoj që tani në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut do të krijohen parakushte që të mund të vazhdohet angazhimi për negociatat aderuese. E di që shumëkujt aspak nuk i bie lehtë kur bëhet fjalë për këto ndryshime kushtetuese, por secili duhet ta parashtrojë pyetjen: Jo si unë mund t’i ndihmojë partisë sime, por si mund unë t’i ndihmojë dhe të kontribuojë për vendin tim”, tha Roth.
Shkruan: Enis Shaqiri
Deputeti nga radhët e partisë Socialdemokrate të Gjermanisë, dhe njëherit kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Bundestagut Michael Helmut Roth, në takimin e sotëm me kryetarin e Parlamentit Talat Xhaferi theksoi se vizita e tij realizohet në mbështetje të hapave të radhës që duhet të ndërmarrë Kuvendi për mbarëvajtjen e procesit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, mes tjerash, duke potencuar se Maqedonia e Veriut duhet që të vazhdojë angazhimin për negociatat për anëtarësim në BE.
“Unë shpresoj që tani në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut do të krijohen parakushte që të mund të vazhdohet angazhimi për negociatat aderuese. E di që shumëkujt aspak nuk i bie lehtë kur bëhet fjalë për këto ndryshime kushtetuese, por secili duhet ta parashtrojë pyetjen: Jo si unë mund t’i ndihmojë partisë sime, por si mund unë t’i ndihmojë dhe të kontribuojë për vendin tim”, tha Roth.
Për më tepër Micheal Roth, nënvizoi se liderët e partive politikë duhet që të angazhohen për ndryshimet kushtetuese, me çka bullgarët, bashkë me etnitë tjera duke përmendur këtu malazezët dhe kroatët do të duhet që të futen në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.
Në ndërkohë, sipas kumtesës së Kuvendit të RMV-së, Micheal Roth gjatë takimit ka theksuar se BE-ja nuk ka të drejtë të ndërhyjë në identitetin gjuhësor dhe kulturor të maqedonasve dhe kjo duhet respektuar.
“Në raport me ndryshimet kushtetuese në pritje për hyrjen në fazën e ardhshme të negociatave për anëtarësim në BE, e shprehu qëndrimin se duhet të përmbushen obligimet e ndërmarra dhe se kjo nuk do të jetë në dëm të asnjë maqedonasi apo maqedonaseje në vend, ndërsa Gjermania do të qëndrojë fortë pas zbatimit të premtimeve të dhëna ndaj vendit nga Bashkimi Evropian, për përshpejtimin e rrugës eurointegruese që nuk është vetëm në dobi të rajonit, por edhe në dobi të të gjitha vendeve anëtare të Unionit”, thuhet në kumtesën e Kuvendit.
Nga ana tjetër, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, ka përshëndetur vizitën e Micheal Rothit, duke vlerësuar këtu kohën kur vendi do të duhet që të nisë procesin e screeningut si fazë e parë e fillimit të negociatave për anëtarësim në BE.
Xhaferi mes tjerash shprehu mirënjohje të veçantë për mbështetjen e vazhdueshme të Republikës Federale të Gjermanisë në arritjen e synimeve strategjike të vendit.
“Njëherazi falënderoi për bashkëpunimin e shkëlqyer ekonomik dhe bilateral në më shumë nivele ndërmjet dy vendeve dhe për lidhjet me diasporën, që së bashku kontribuojnë në avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve të ndërsjella. Në këtë kontekst, veçanërisht e theksoi bashkëpunimin me Bundestagun Gjerman për sigurim të pavarur të Kuvendit, si një nga segmentet e pavarësimit të Kuvendit,” ka thënë Xhaferi.
Roth ka përcjellë deri tek kryetarit i Kuvendit Talat Xhaferi, falënderimet e Presidentes së Bundestagut gjerman Barbel Bas, për ndërtimin e urave të mbështetjes në një kohë polarizimi, sfidash ekonomike, dhe agresioni ushtarak dhe se askush nuk ka përfituar nga dobësimi i demokracisë sepse e gjitha kjo shkon në dëm të qytetarëve që kanë bërë shumë në vitet e kaluara.