Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masë paraburgimi prej një muaji, të dyshuarit të pestë për dhunimin e një 11-vjeçareje ditë më parë në kryeqytetin e Kosovës.
I pandehuri me inicialet SH.K është ndaluar nga Policia e Kosovës pak kohë pas raportimit të rastit te autoritetet e sigurisë.
Masë e njëjtë e paraburgimit prej një muaji u është caktuar edhe katër të dyshuarve të tjerë me inicialet: G.R, G.J, XH.S dhe E.R.
Rasti i dhunimit dyshohet se është kryer në një park të qytetit më 27 gusht.
Shoqëria civile dhe shumë qytetarë kanë shprehur mllef lidhur me këtë rast dhe më 30 e 31 gusht janë organizuar dy protesta në Prishtinë me kërkesa për mbrojtje të grave dhe luftim të dhunës ndaj tyre.