E premte, 12 Korrik, 2024

JEP DORËHEQJE DREJTORI I POLICISË PAS RASTIT TË DHUNIMIT TË 11-VJEÇARES

Samedin Mehmeti ka dhënë dorëheqje nga udhëheqja e Policisë së Kosovës, bëri të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Arsyeja e dorëheqjes, sipas Sveçlës, lidhet me “arsye personale dhe ndërgjegje profesionale”, pas rastit të dhunimit të një 11-vjeçarjeje në Prishtinë nga pesë të dyshuar.

“Tashmë kryeministri [i Kosovës, Albin] Kurti ka liruar nga detyra Mehmetin dhe ka caktuar si ushtrues detyre të drejtorit të përgjithshëm, Fehmi Hoti, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës”, tha Sveçla përmes një postimi në Facebook.

Autoritetet e Kosovës më herët gjatë ditës bënë të ditur se kanë arrestuar edhe të dyshuarin e pestë. Prokuroria Themelore e Prishtinës, ndërkaq, tha më 30 gusht, se ka shqiptuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj dy personave që dyshohet se kanë dhunuar 11-vjeçaren.

Një ditë më herët, masë e njëjtë iu caktua edhe dy të dyshuarve të tjerë.

E mitura dyshohet se u dhunua nga pesë persona më 27 gusht në Prishtinë. Policia e Kosovës tha se ajo është dërguar në një strehimore.

Rasti dyshohet se ka ndodhur në një park të kryeqytetit dhe në një lokacion tjetër të panjohur.

Ky rast nxiti zemërim në mesin e qytetarëve dhe në Prishtinë u mbajt një protestë më 30 gusht kundër dhunës ndaj vajzave dhe grave.

Të fundit