E shtunë, 13 Korrik, 2024

KËSHILLI EVROPIAN MIRËPRET MARRËVESHJEN KOSOVË-SERBI PËR DOKUMENTET

Arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi për njohjen e dokumenteve të identifikimit gjatë hyrje-daljeve nga të dyja vendet i është gëzuar edhe Këshilli Evropian.

Kryetari i Këshillit Evropian, Charles Michel, përshëndeti marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë për dokumentet personale dhe tha se kjo marrëveshje e arritur është në interes të qytetarëve, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“Unë mirëpres ngrohtësisht marrëveshjen që u arrit sot si pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE, për të siguruar udhëtime të papenguara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në interes të qytetarëve”, shkroi Michel në Twitter.

Kujtojmë se lajmin për arritjen e marrëveshjes e bëri të ditur mbrëmjen e së shtunës, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.

“Nën Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet e hyrjes/daljes për mbajtësit e ID-së së Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i prezantojë ato për mbajtësit e ID-së serbe”, ka shkruar Borrell në Twitter.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kjo marrëveshje dëshmon se “zgjidhjet normalizuese duhet ta kenë reciprocitetin përbrenda, teksa marrëdhëniet e mira fqinjësore e nënkuptojnë atë”.

Të fundit