E premte, 12 Korrik, 2024

PAULO COELHO MBUSH 75 VJEÇ/ SHKRIMTARI BRAZILIAN FESTON 35-VJETORIN E BOTIMIT TË PARË “PELEGRINI I KOMPOSTELËS”

Braziliani me ndikimin më të madh ndërkombëtar dhe një nga shkrimtarët më të lexuar në botë, Paulo Coelho, feston ditëlindjen e tij të 75-të.

Viti 2022, shënon gjithashtu 35-vjetorin e botimit të parë të “Pelegrini i Kompostelës. Libri u shkrua pas pelegrinazhit të autorit, në vitin 1986, përgjatë rrugës për në Santiago de Compostela, në Spanjë, dhe u botua nga shtëpia botuese “Eco”, në Rio-de-Zhaneiro, vitin pasues, më 1987.

Librat e Paulo Coelho-s, të botuara në mbarë botën, kanë arritur shifrën mahnitëse prej rreth 320 milionë kopjesh të shitura në më shumë se 170 vende. Autori më i përkthyer nga portugalishtja është botuar në 88 gjuhë të ndryshme.

“Alkimisti”, libri i tij më i suksesshëm, u botua në qershor 1988, fillimisht nga i njëjti botues “Eco”. Meqenëse pronari i shtëpisë botuese të parë nuk besonte shumë në suksesin e titullit, ribotimi i “Alkimistit” u bë nga botuesi tjetër “Rocco” dhe shpejt u bë një nga fenomenet më të mëdha të shitjeve në Brazil. Libri shitet rreth 1 milion kopje çdo vit vetëm në Shtetet e Bashkuara, duke qenë libri më i dhuruar për nxënësit që mbarojnë gjimnazin atje. “Alkimisti” ka një rekord duke qëndruar për 427 javë rresht në listën e librave më të shitur të “The New York Times” .

Në tregun e Amerikës së Veriut, ekziston një version audio i “Alkimistit” i treguar nga aktori i madh anglez Jeremy Irons, fitues i “Oscar”-it për aktorin më të mirë në vitin 1991.

Në vitin 1996, Paulo Coelho mori titullin “Kalorës i Urdhrit Kombëtar të Legjionit të Nderit”, ­­nga presidenti francez Jacques René Chirac dhe në të njëjtin vend ai mori titullin “Oficer në Urdhrin e Arteve dhe Letrave”, më 2003.

Në vitin 2003, “Alkimisti” fitoi rekordin botëror “Guinness” si libri që kishte më shumë përkthime në gjuhë të tjera; në vitin 2009, Paulo Coelho fitoi një rekord të ri botëror “Guinness” si autori më i përkthyer nga i njëjti libër.

Në vitin 1980, Paulo Coelho u martua me artisten Christina Oiticica, e cila dizajnoi kopertinat e librave të tij të parë dhe me të cilën jeton ende në Gjenevë të Zvicrës.

Të fundit