E mërkurë, 24 Korrik, 2024

KURTI PËR AL JAZEERA: ASKUSH NUK MUND T’I NDALOJË FORCAT E NJËSISË SPECIALE TË SHKOJNË NË VERI

“Askush nuk mund t’i ndalojë forcat e Njësisë Speciale të shkojnë në veri të Kosovës”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për mediumin Al Jazeera, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.

Kurti ka ripërforcuar besimin se 1 shtatori është data përfundimtare kur masat e reciprocitetit për targat dhe dokumentet me Serbinë do të hynë në fuqi.

Kryeministri i vendit këtë e ka thënë pas takimeve që pati me të dërguarin e BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak si dhe emisarin e SHBA’së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në Prishtinë.

E nëse do të cënohet siguria në veri të Kosovës, në ditën kur edhe vendosen masat e reciprocitetit për dokumentet dhe targat, kryeministrit Kurti ka thënë se institucionet e Kosovës do të reagojnë dhe se askush nuk mund t’i ndalojë forcat e Njësisë Speciale të shkojnë në veri të vendit për të mundësuar mbajtjen e rendit, tha tutje Kurti për Al Jazeera, përcjell Reporteri.net.

“Dje jam takuar me gjeneralin [Ferenc] Kajari [komandantin e KFOR-it], po ashtu edhe me policinë tonë dhe EULEX-in. Barrikadat nuk janë zgjidhje. Ka një mekanizëm shtetëror që do të reagojë, nuk është vetëm policia, por edhe forcat speciale të policisë dhe askush nuk mund ta ndalojë policinë speciale që të vijë në veri. Veriu i Kosovës është pjesë e Kosovës, ndodhet në Kosovë dhe nuk ka pasur kurrë më shumë sundim të ligjit në veri të Kosovës sesa tani”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kujtojmë se kryeministri Albin Kurti së bashku me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, të mërkurën e 24 gushtit kanë pritur në takim komandantin e Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), Gjeneral Major Ferenc Kajári.

Në këtë takim, u theksua zotimi për angazhim dhe koordinim ndërmjet Qeverisë, institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR) për garantimin e sigurisë dhe lëvizjen e lirë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në intervistë për mediumin Al Jazeera/ Foto: Al Jazeera

“Kryeministri Kurti dhe Ministri Sveçla falënderuan Gjeneral Major Kajárin për angazhimin dhe përkushtimin e KFOR-it, veçanërisht javëve të fundit. Gjeneral Major Kajári e njoftoi Kryeministrin Kurti për praninë, angazhimet dhe përgatitjet shtesë të KFOR-it për të garantuar paqe e siguri në veri të Ibrit”, shkruhej në komunikatën e Kryeministrisë.

“U ritheksua gatishmëria për komunikim, bashkërendim të veprimeve e bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional, në shërbim të paqes, e në ruajtje të rendit publik dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”. /Reporteri.net/.

Të fundit