Rritja drastike e çmimit të energjisë elektrike ka ngjallur reagime të komuniteti i biznesit. Nga OEMVP kanë kërkuar që qeveria menjëherë të ndihmojë kompanitë përmes heqjes së TVSH-së për energjinë elektrike, ngrirjen e çmimit të energjisë elektrike sipas shembullit të vendeve fqinje, përshpejtimin e procedurave për instalimin e fotovoltaikëve dhe së fundi, rialokim të një pjesë të madhe, nëse jo të gjithë shumën e fondeve nga shpenzimet kapitale, për t’u investuar në burimet e rinovueshme të energjisë, me qëllim shfrytëzimin maksimal të të gjithë kapaciteteve shtetërore për prodhim të energjisë elektrike. Nga ana tjetër ka reaguar edhe partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE. Sipas kësaj partie, përderisa vendet tjera bëjnë marrëveshje për energji elektrike më të lirë, tek ne paralajmërohet shtrenjtim.
Shkruan: Enis Shaqiri
Rritja drastike e çmimit të energjisë elektrike, sot ka qenë pjesë e diskutimit ndërmjet Qeverisë dhe organeve tjera të administratës shtetërore me përfaqësues të sektorit të biznesit.
Në kuadër të këtyre takimeve të rregullta të Platformës për Dialog publiko-privat, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) në bashkëpunim me anëtarët e saj doli me një sërë masash dhe propozimesh për zbutjen e kësaj krize.
Sipas tyre, qeveria duhet menjëherë dhe me kapacitet të plotë, të fillojë dhe të ndihmojë bizneset- kompanitë përmes heqjes së TVSH-së për energjinë elektrike, ngrirjen e çmimit të energjisë elektrike sipas shembullit të vendeve fqinje, përshpejtimin e procedurave për instalimin e fotovoltaikëve etc.
“Qeveria menjëherë të ndihmojë kompanitë përmes heqjes së TVSH-së për energjinë elektrike, ngrirjen e çmimit të energjisë elektrike sipas shembullit të vendeve fqinje, përshpejtimin e procedurave për instalimin e fotovoltaikëve dhe së fundi, rialokim të një pjesë të madhe, nëse jo të gjithë shumën e fondeve nga shpenzimet kapitale, për t’u investuar në burimet e rinovueshme të energjisë, me qëllim shfrytëzimin maksimal të të gjithë kapaciteteve shtetërore për prodhim të energjisë elektrike”.
Në ndërkohë OEMVP, këto propozime të lartpërmendura i ka dorëzuar edhe nëpër institucionet kompetente ku mes tjerash kanë pasur edhe shpjegime të detajuara me qëllim implementimin e tyre në kohë sa më të shkurtër.
Kujtojmë se në prag të marrjes së vendimit, në Qeveri nuk u arrit ndonjë marrëveshje, por përkundrazi qeveria shpalli vendimin e gjendjes së re të krizës në sektorin e energjisë.
Seanca e rregullt e Komisionit për Dialog Publiko-Privat, u kryesua nga zëvendëskryeministri, i ngarkuar për çështjet ekonomike, koordinimin e departamenteve ekonomike dhe investimet, Fatmir Bytyqi.
Sipas tij, energji elektrike dhe ngrohje, do të ketë gjatë gjithë dimrit, ndërsa qytetarët nuk duhet që të shqetësohen.
“Plani i prodhimit të SH.A. ESM për vitin 2022 është bërë me një rritje prej 25% në krahasim me vitin 2021 dhe me këtë ESM do të prodhojë të gjithë energjinë elektrike që u nevojitet qytetarëve dhe konsumatorëve të vegjël dhe nuk ka nevojë për blerjen e energjisë elektrike. Gjithashtu, do të vihen në funksion të gjitha objektet e prodhimit vendor dhe për këtë arsye i siguroj qytetarët se nuk kanë nevojë të shqetësohen, do të ketë energji elektrike dhe ngrohje të mjaftueshme gjatë gjithë dimrit”, ka thënë Bitici.
Nga ana tjetër ka reaguar edhe partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, nga atje thonë se përderisa vendet tjera bëjnë marrëveshje për energji elektrike më të lirë, tek ne paralajmërohet shtrenjtim.
“Maqedonia me Kovaçevskin kryeministër sërish është lënë në baltë. Qymyri blihet me çmime të shtrenjta dhe nuk dihet as sa ka, nuk ka mjaftueshëm naftë dhe TEC-i i Negotinës funksionon me gjysmë kapaciteti dhe gazi kushton. Kovaçevski kishte gjithë verën për të marrë energji dhe nuk e bëri. Sa për krahasim, vendet fqinje dhe Evropa që nuk kanë qymyr e blejnë atë, e ruajnë gazin dhe lidhin kontrata për blerjen e energjisë elektrike sipas kushteve të tregut”. thonë nga VMRO-DPMNE