E hënë, 21 Prill, 2025

ZGJEDHJET NË TETOVË: SFIDA PËR KËSHILL FUNKSIONAL DHE REFLEKTIMET POLITIKE

Në kohën kur dihen rezultatet e zgjedhjeve për Këshillin e Tetovës, analistët theksojnë se në këto zgjedhje ka parti fituese, por jo fitimtarë absolut. Analisti politik, Qenan Aliu thekson se kur nuk ka subjekt apo koalicion fitimtar, çështja është se cili subjekt do të arrijë të formojë shumicë në këshill, pra rezultatet preliminare vënë në pah se partitë opozitare në përbërjen e re të këshillit do të kenë një shumicë të brishtë”, shkruan Aliu. Ndërkohë, pas rezultatit të dobët në këto zgjedhje të Aleancës për Shqiptarët, kryetari i kësaj partie, Ziadin Sela ka dhënë dorëheqje. Analisti politik, Sefer Selimi, duke komentuar këtë dorëheqje ka theksuar se ASH ka nevojë të rikonsolidohet dhe të krijoj alternativë qeverisëse dhe jo të synoj të jetë zëvendësuese e BDI-së. Skena politike, posaçërisht ajo shqiptare në RMV, ka nevojë për freski programore dhe njerëzore”, ka theksuar Selimi.

Shkran: Enis Shaqiri

Në zgjedhjet e 20 gushtit në Tetovë për Këshillin e Komunës nga njëmbëdhjetë lista të partive politike, dhe dy lista të pavarura, Lëvizja Besa arriti të grumbulloi 9.620 vota, gjegjësisht arriti të fitojë 12 këshilltarë, kundrejt BDI-së me 8.702 me 11 këshilltarë. Partia e tretë më e votuar është VMRO-DPMNE me 3.332 vota që i bie se ka fituar 4 këshilltarë, e pasuar nga LSDM me 1.953 vota, gjegjësisht me 2 këshilltarë. Ndërkaq, Alternativa me 1.118 vota dhe PDSH me 1.058, arritën që të sigurojnë nga një ulëse duke lënë prapa Aleancën për Shqiptarët me 777  vota dhe listën e pavarur “Më mirë për Tetovën ” me 761 votues, dhe pa asnjë këshilltarë të fituar.

Qenan Aliu, analist politik shkruan se zgjedhjet e jashtëzakonshme të 20 gushtit për Këshillin komunal të Tetovës shfaqën parti fituese, mirëpo sipas tij, jo fitimtare, duke nënvizuar këtu se pa asnjë subjekt apo koalicion fitimtar absolut, vështirë se do të arrihet të formohet një këshill funksional.

Rezultati i Zgjedhjeve të jashtëzakonshme për anëtarë të Këshillit në Tetovë shpërfaq parti fituese, por jo fitimtare. Pra, asnjëra nga partitë nuk ka fituar shumicën absolute nga numri i përgjithshëm i anëtarëve të Këshillit të komunës së Tetovës. Lëvizja BESA ka dalë fituese e pasuar nga BDI-ja pastaj VMRO-DPMNE,LSDM, AA dhe PDSH. Pra, kur nuk ka subjekt apo koalicion fitimtar, çështja është se cili subjekt do të arrijë të formojë shumicë në këshill, pra rezultatet preliminare vënë në pah se partitë opozitare në përbërjen e re të këshillit do të kenë një shumicë të brishtë. Dhe kjo ngjall dilemën se a do të ketë Tetova këshill funksional apo jo? ” shkruan Aliu.

Sipas KSHZ, trupi votues në Tetovë kap shifrën e 84.072 qytetarëve me të drejtë vote, por që të shtunën votuan vetëm 29.690 qytetarë, në 117 vendvotime, që le të kuptohet se dalja në votime ka qenë rreth 35.31%.

Xhelal Neziri, analist politik, shkruan se dalja e ulët në zgjedhje ka sjellë probleme tek disa subjekte  politike, duke i ndëshkuar këtu edhe lëvizjet qytetare.

Një jehonë tepër e ulët zgjedhore që nuk legjitimon sa duhet përbërjen e re të Këshillit komunal. Në krahasim me zgjedhjet lokale të rregullta, të mbajtura në tetor të vitit 2021, në këto zgjedhje ka plot 6.843 vota me pak. Edhe pse kohë pushimesh verore, pritej që të drejtën e votës ta shfrytëzojnë edhe mërgimtarët që u gjetën në vendlindje dje. Por, kjo nuk ndodhi” shkruan Neziri.

Sipas tij, problemi qëndron te besimi i humbur i qytetarit të Tetovës se nëpërmjet procesit demokratik zgjedhor do të mund të zgjidhë problemet, me të cilat ballafaqohet çdo ditë. “Kanë defiluar shumë kryetarë e këshilla komunalë, por ngelën problemet e njëjta, si: Punësimi me kontrata i qindra militantëve partiakë, kaosi në komunikacion dhe mungesa e parkingjeve , mungesa e shëtitoreve (pedonaleve) dhe e hapësirave për këmbësorët, mungesa parqeve dhe qendrave për rekreim etj”, shkruan Neziri

Në ndërkohë, të dielën më 21 gusht, pas disfatës së thellë të Aleancës për Shqiptarët në zgjedhjet për këshillin komunal në Tetovë, Ziadin Sela dha dorëheqje nga posti i kryetari të partisë. Kjo dorëheqje vjen pas disfatës së thellë të kësaj partie që nuk arriti të sigurojë asnjë vend në përbërjen e re të Këshillit të Komunës që numëron 31 ulëse për këshilltarë .

Nga ky moment marr përgjegjësinë dhe jap dorëheqjen e parevokueshme si kryetar partie. Në periudhën në vijim, organet më të larta të partisë duhet të vendosin se kush do të jetë ushtrues detyre i kryetarit të partisë”, ka deklaruar Sela

Ndërkaq Sefer Selimi, analist politik, në lidhje me dorëheqjen e kreut të ASH-së shkruan se Aleanca për Shqiptarët ka nevojë që të rikonsolidohet dhe të krijojë alternativë qeverisëse, dhe se nuk ka nevojë për partner koalicionesh, duke shtuar se skenës politike në RMV i nevojitet freskia programore dhe njerëzore.

Dorëheqjes së Ziadin Selës më së shumti i është gëzuar VMRO-DPMNE se sa partitë konkurrente shqiptare. Megjithatë, kushdo që do vjen në krye të ASH, le ta ketë vath në vesh dhe pikënisje humbjen e 30,000 votave si pasojë e flirtimit me VMRO-DPMNE (të pareformuar në mentalitet) në zgjedhje e kaluara lokale. ASH ka nevojë për hapje, jo për partner. ASH ka nevojë për fitore dhe jo për mëshirë. ASH ka nevojë të rikonsolidohet dhe të krijoj alternativë qeverisëse dhe jo të synoj të jetë zëvendësuese e BDI-së. Skena politike (posaçërisht ajo shqiptare në RMV) ka nevojë për freski programore dhe njerëzore”, shkruan Selimi.

Kujtojmë se përveç Tetovës, të dielën zgjedhje janë mbajtur edhe në dy komunat e vogla, Zhupë dhe Mavrovë-Rostushë ku nuk ka pasur kryetar të komunave për shkak të mos arritjes së pragut për daljen në votime në zgjedhjet e vitit 2021. Këto dy komuna janë fituar nga Lidhja Social Demokrate-LSDM.

Të fundit