Besa është fituese – relativisht. BDI është humbëse – relativisht. Në të dy rastet kemi të njëjtin konstatim, jo aq pozitiv për të dyja palët
Shkruan: ARSIM ZEKOLLI*
1. Dalja e ulët e votuesve lë të mendosh se numri i votave sipas partive reflekton numrin e klientelës partiake të motivua /detyruar të votojë. Askush as qe çanë kokën të bën hulumtim mbi arsyet për kaq interesim të ulët (e dëshmuar në Tetovë, por gjithsesi prezente edhe në qytete tjera). Partitë ekzistuese duken të vetëkënqura me klientelizmin e tillë dhe vullnetarisht tolerojnë mundësinë që ndonjë forcë tjetër të ofrojë ndryshim që kap imagjinatën dhe aspiratën e qytetareve.
2. Besa është fituese – relativisht. BDI është humbëse – relativisht. Në të dy rastet kemi të njëjtin konstatim, jo aq pozitiv për të dy palët. Të fitosh me 500-1000 vota dallim në dalje kaq të ulët, në përvjetorin e fatkeqësisë me Spitalin Modular, arsyeton gëzimin Besa në mbrëmje. Në të njejtën kohë, të dallosh me 500-1000 vota më pak se fituesi në përvjetorin e krimit të ndodhur nën qeverisjen tënde, dëshmon se ne kemi problem më të madh me shoqerinë se me BDI-në.
3. Aleanca humbi, apo thënë ndryshe – fitoi aq sa mundet në rrethana kur nuk ka klientelë të veten, ashtu si që ka në Gostivar. Nuk është humbja e djeshme ajo që duhet të brengos ASH-në, sa që është devalvimi i misioneve (shumës) të kësaj partie që dihet si filloi, kujtojmë si zhvillohej dhe tani tybe që edhe vet Ziadini mund të sqarojë se si u katandis në një labirinth nga i cili dyshoj se mund të ketë dalje. Ndoshta fillimi i rrugëdaljes është guximi i Ziadinit që të shikojë përreth dhe t’i numërojë – nëse jo t’i identifikojë – se sa “gjumasha” apo “agjenta të fjetur” ia ka fut Alia, Zaevi, Mickoski në parti.
4. Një dukuri tani është e dukshme me sy, pa syza. Rrymimi politik është shkëputur dhe tani kemi moçale mahallash me jarani kafenesh dhe 2-3 portale partiake që i madhërojnë deri në qiell. Për shumë arsye, deri tani jemi përmbajtur nga zbërthimi i zhvillimeve në fushë, nga analiza e strukturave që kanë ngulfatur të përgjithshmen për ca kolltuqe dhe karrike. Rezultatet e tre cikleve të fundit zgjedhore kudo në vend dëshmojnë lodhjen e qytetarëve nga jarani-partitë të cilat imponojnë të ashtuquajturën Reduced-Democracy të bazuar mbi maksimumin e minimumit dhe sabotimit të qëllimshëm të demokracisë të bazuar mbi maksimumin e maksimumit. Qasja e tillë u dëshmua jofunksionale dhe vet-dështuese në nivel vendi, tani dëshmohet edhe në rrafshin lokal. Për këtë – më vonë, më gjerësisht…