E premte, 12 Korrik, 2024

SISTEMI I DREJTËSISË I BRISHTË, NEVOJITET PËRSHPEJTIM I REFORMAVE NË GJYQËSOR

Maqedonia e Veriut tash sa kohë ka një sistem të brishtë të drejtësisë. Brenda kohës janë shfaqur shumë anomali funksionimi. Në ndërkohë, kemi përplasjen më të fundit mes dy institucioneve Prokurorisë për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe Drejtorisë së Policisë Financiare. Disa herë është theksuar nevoja për reforma në sistemin e drejtësisë. Ekspertët thonë se në aspektin formal juridik gjërat duken në rregull, por në praktikë ka shumë dobësi. “Në aspektin juridik formal, me dispozitat kushtetuese dhe ligjet në fuqi, mund të konstatohet se ka progres në sferën e drejtësisë. Mirëpo aspekti praktik fatkeqësisht dallon, ngase hasen raste të cenimit të lirive dhe të drejtave themelore të qytetarëve. Drejtësia është vlera themelore e një shoqërie, e një shteti, ajo është vështirë të jetë ideale, por mund të jetë e zbatueshme ashtu siç përcaktohet me norma juridike ”, thekson profesori universitar Jusuf Zejneli.

Shkruan: Enis Shaqiri

Funksionimi dhe avancimi i sistemit të drejtësisë paraqet një parakusht kyç për zhvillimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut kundrejt negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Përplasjet e fundit të Prokurorisë për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe Drejtorisë së Policisë Financiare lanë të kuptohet se sa i brishtë është sistemi i drejtësisë në Maqedoninë e Veriut dhe se jo rastësisht Maqedonia e Veriut, pas mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në, kapitullin e parë e filloj me sfidat e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë. Kujtojmë se në këtë kapitull thuhet se politikat e BE-së synojnë të ruajnë dhe ta zhvillojnë më tej Unionin si një zonë lirie, sigurie dhe drejtësie.

Për më tepër, çfarë do i nevojitej sistemit për ta lehtësuar qasjen në drejtësi dhe çfarë parakushte mund të kërkohen për një sistem funksional më të mirë, për Maqedoninë e Veriut mbetet një sfidë e vërtete.

Profesor universitar pranë fakultetit Juridik në Universitetin e Tetovës, Jusuf Zejneli,  në një prononcim për KDP, thotë se Maqedonia e Veriut ka bërë progres në aspektit juridik formal, duke i numëruar këtu dispozitat kushtetuese dhe ligjet, mirëpo, sipas tij, praktika dallon, nga se ka raste të cenimit të lirive dhe të drejtave themelore të qytetarëve.

Në aspektin juridik formal, me dispozitat kushtetuese dhe ligjet në fuqi, mund të konstatohet se ka progres në sferën e drejtësisë. Mirëpo aspekti praktik fatkeqësisht dallon, ngase hasen raste të cenimit të lirive dhe të drejtave themelore të qytetarëve. Drejtësia është vlera themelore e një shoqërie, e një shteti, ajo është vështirë të jetë ideale, por mund të jetë e zbatueshme ashtu siç përcaktohet me norma juridike ”, thekson Zejneli.

Sipas tij, sistemi juridik së bashku me institucionet e saja duhet që të jetë në dispozicion dhe të reflektojë për secilën problematik që i tangon shtetit, qytetit dhe qytetarit.

Institucionet e sistemit juridik duhet të reflektojnë në mënyrë që, secili të realizojë atë që i takon. Zbatim i rreptë i parimit të Badinterit (votimit të dyfishtë) me rastin e miratimit të ligjeve, vendimmarrja konsensuale, përshpejtimi i reformave në sistemin gjyqësore, ndryshimet eventuale në sistemin zgjedhor duke zbatuar sistemin proporcional me lista të hapura, janë atributet kryesore të drejtësisë

Për më tepër Prof.Dr.Jusuf Zejneli, potencon se vendit më shumë se kurrë i duhet një administratë publike efikase, sepse tashmë gjendet edhe përballë Bashkimit Evropian.
Nisur nga fakti se jemi afër rrugës për në Bashkimin Evropian, detyrimisht na duhet administratë publike më efikase. Parimi i përfaqësimit të drejtë mund të llogaritet i realizuar, mirëpo është koha që kjo administratë të ofrojë shërbime më cilësore në çdo sferë, sikurse në shëndetësi, arsim, kulturë, ekonomi, jurisprudencë, dhe gjitha shërbimet publike, ” thekson për KDP Zejneli.

 

Të fundit