E diel, 22 Qershor, 2025

TRAGJEDI NË MAL TË ZI: VRITEN 11 E PLAGOSEN GJASHTË VETA

Në Mal të Zi, Qeveria  ka shpallur tri ditë zie kombëtare  me rastin e tragjedisë së të premtes në qytetin e Cetinjës ku mbetën të vrarë 11 persona, mes tyre edhe sulmuesi. Mes viktimave edhe dy fëmijë. Gjashtë persona janë shtruar në spital, ndërsa për tre prej tyre thuhet se janë në rrezik për jetë.

Drejtori i policisë malazeze, Zoran Bërgjanin, ka thënë se sipas informacioneve të policisë, rreth orës 15:30 të datës 12 gusht, 34-vjeçari me inicialet V.B. nga Cetinja ka qëlluar me armë në drejtim të një familjeje, anëtarët e të cilës ishin qiramarrës në shtëpinë e tij, në vendbanimin Medovina.

“Në këtë rast, duke përdorur armën e zjarrit – pushkë gjuetie – ka marrë jetën e dy fëmijëve, njëri tetë dhe tjetri 11 vjeç dhe ka plagosur nënën e tyre, e cila vdiq në spital nga plagët e marra. Më pas ai ka dalë dhe ka qëlluar banorët të kësaj lagjeje me të njëjtën armë zjarri, me ç’rast u ka marrë jetën shtatë personave të tjerë, ndërsa gjashtë të tjerë i ka plagosur”- transmeton KDP deklaratën e kreut të policisë malazeze.

Policia është përpjekur ta neutralizojë vrasësin i cili nuk ka pranuar të  dorëzohet dhe ka shtënë edhe në drejtim të pjesëtarëve të saj. Sipas deklaratës së prokurores Andrijana Nastiq sulmuesi është vrarë nga një bashkëqytetar.

Media në Podgoricë thotë se vrasësi i identifikuar si Vuk Boriloviq, ka qenë një punëtor i qetë dhe i tërhequr i Parkut Kombëtar “Lovqen”. Gazeta ‘Pobjeda’ duke iu referuar dëshmitarëve okularë raporton se aksioni i përgjakshëm ka zgjatur më shumë se gjysmë ore, rreth dyqind metra larg manastirit të Cetinjes, ku zakonisht ka patrullë të policisë.

Të fundit