E diel, 27 Prill, 2025

SHKOLLA PËR LIDERË TË RINJ NJË FORUM DIALOGU I SHUMANASHËM

Me rastin e shënimit të 21 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive ka organizuar Shkollën për Liderë të Rinj “Peace Forum Dialogue”. Shkolla ka hapur dyert në Mavrovë për të rinjtë, ndërkohë që profesorë universitarë dhe përfaqësues institucionesh kanë trajtuar aspekte të ndryshme të Marrëveshjes së Ohrit, por edhe çështjen e interkulturalitetit dhe të lidershpit. Të rinjtë pjesëmarrës kanë pasur rastin që të jenë në interaksion me ligjëruesit mbi dobitë e Marrëveshjes së Ohrit si dhe horizontin integrues që ofron kjo marrëveshje. Vëmendje e veçantë i është kushtuar tematikave të demokracisë konsensuale, kohezionit social, barazisë, politikave paqësore si dhe parimeve të qeverisjes së mirë

Shkruan: Enis Shaqiri


Në vigjilje të përvjetorit të 21-të të Marrëveshjes Kornizë së Ohrit, është mbajtur Shkolla për liderë të rinj “Peace Forum Dialogue” në Mavrovë, e organizuar nga Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive.

Mbi 60 pjesëmarrës, të reja dhe të rinj, janë bërë pjesë e këtij projekti, ku patën mundësin të krijojnë miqësi dhe të fitojnë dije të reja, dhe gjithashtu të përfitojnë njohuri për aktivitetet pjesëmarrëse në ngjarjet e shoqërisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Shkolla e Forumit të Dialogut të Paqes, zgjati 3 ditë, dhe në kuadër të kësaj shkolle përpara të rinjve ligjërues ishin: Prof. Dr.Jusuf Zejneli, Prof. Dr Lidija Georgieva, Prof. Dr. Gordan Georgiev, Xhelal Hoxhiq (zëvendës drejtor i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Bashkësive), Robert Allagjozovski (ish ministër dhe kordinator nacional për politika të interkulturalizmit), Prof. Dr. Rizvan Sulejmani, Doc. Dr Vedije Ratkoceri, Xhabir Deralla Gazetar, dhe Arben Çejku (ish ambasador në Maqedoni) ndërkaq u zhvilluan nëntë sesione ligjëratash, ndërsa fokusi i ligjëratave ishte kryesisht në tematika të demokracisë konsensuale, politikave paqësore në vend, kohezionit social, barazisë gjinore, si dhe qasja mbi integrimin e vendit në NATO dhe fillimi i negociatave me Bashkimin Europian

Përshkrimi i ditës së parë filloj me ligjëratën e Gordan Georgievit, profesori i Fakultetit Juridik dhe Shkencave Politike dhe ish politikan me temë “Shekulli 21 është një shekull i krizës së lidershipit
Georgiev për më tepër foli se cilat janë postulatet kryesore të lidershipit, dhe si të ndjekësh dhe të bëhesh lider.

Bota është plot me liderë politikë ambiciozë, por për fat të keq pak prej tyre hyjnë në kategorinë e liderëve të mirë, sepse u mungojnë disa nga cilësitë më të rëndësishme, siç është integriteti. Por përvoja na tregon se janë të paktë ata që i afrohen parametrave të një lideri politik të suksesshëm.
Për të qenë një udhëheqës afatgjatë dhe i mirë, lideri duhet të ketë një mekanizëm për të dëgjuar njerëzit rreth tij, madje edhe atë që ai nuk dëshiron të dëgjojë dhe të largohet në kohën e duhur
.”, tha Georgiev.

Ndërsa profesoresha e Fakultetit Filozofik, Lidija Georgieva foli për Marrëveshjen e Ohrit dhe jetëgjatësinë e saj.

Sipas Georgievës, jetëgjatësia e Marrëveshjes së Ohrit është dëshmi që është një zgjidhje e mirë, dhe se duhet t’u jepen mirënjohje atyre që implementuan këtë marrëveshje që solli paqen në vendin tonë.

Duhet t’u jepet mirënjohje aktorëve që realizuan dhe implementuan Marrëveshjen e Ohrit. Kemi marrëveshje që zgjasin vetëm një muaj, ajo është marrëveshje e keqe”, tha Georgieva

Ish ministri i Kulturës dhe koordinator nacional për politikat e interkulturalizmit, Robert Allagjozovski në ligjëratën e tij të tretë, tha se fokusi duhet që të vendoset tek rishikimi i ligjeve dhe riafirmimi i tyre.

Janë nënvizuar disa probleme si nënpërfaqësimi i komuniteteve më të vogla dhe mungesa e respektimit të të gjitha të drejtave që u janë dhënë komuniteteve me Kushtetutë dhe Marrëveshjen Kornizë të Ohrit. Strategjia përmend mungesën e kapaciteteve, mungesën e besimit të qytetarëve në gjyqësor dhe moszbatimin e Ligjeve aktuale”, tha Allagjozovski.

Ai më tej shtoi se nëpër institucionet shtetërore, nuk zbatohet siç duhet korniza ligjore për mbrojtjen e bashkësive të ndryshme etnike

Ekziston një kornizë ligjore për mbrojtjen e bashkësive të ndryshme etnike dhe përfaqësimin e tyre në institucionet shtetërore, por nuk zbatohet si duhet. Prandaj, prioritetet dhe objektivat fokusohen në rishikimin e ligjeve dhe kornizave ligjore tashmë ekzistuese dhe riafirmimin e tyre”.

Sesioni i dytës së dytë, të shkollës për Lider të rinj “Peace Forum Dialogue” fillojë me ligjëratën e Zëvendës drejtorit të Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Njeriut, Dzeljo Hodzic me temë “Proceset integruese

Sipas tij, RMV para nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit diskriminonte bashkësitë e tjera etnike, ndërsa nënshkrimi i Marrëveshjes Kornizë së Ohrit e ndryshoi tërësisht vendin tonë.

Para nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, Republika e Maqedonisë së Veriut diskriminonte bashkësitë e tjera etnike, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit u ndryshua Kushtetuta, tani diskriminimi ka pushuar dhe është shumë më mirë. Marrëveshja Kornizë e Ohrit e ndryshoi tërësisht vendin tonë. Zhvillimi i shoqërisë varet nga integrimi i bashkësive në të, se diversiteti është pasuria jonë dhe synimi është të ndërtojmë një shoqëri me mundësi të barabarta,” tha ai.

Ndërkaq, profesori universitar, Jusuf Zejneli tha se falë Marrëveshjes së Ohrit, jemi vend i sigurt dhe nuk rrezikohemi nga luftërat që i ka rajoni përreth.

Falë Marrëveshjes së nënshkruar 21 vite më parë jemi anëtare e NATO-së dhe kemi lehtësuar rrugën e integrimit në Bashkimin Europian”, tha Zejneli.

Nga ana tjetër, ligjërata në temë “Inkluziviteti gjinor në politikë” e profesoreshës universitare Vedije Ratkoceri, u zhvillua përmes një diskutimi mjaft të frytshëm dhe konstruktiv.
Ajo përpara pjesëmarrësve nëpërmjet info-grafikonit dhe të dhënave statistikore, shpjegoi se Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë nga viti  1991 garanton barazinë e të gjithë qytetarëve për realizimin e lirive dhe të drejtave të tyre pavarësisht nga gjinia, raca, prejardhja nacionale dhe sociale, bindja politike dhe fetare, statusi pronësor dhe shoqëror .Ndërsa në fund pjesëmarrësit bashkë me profesoreshën Vedije Ratkoceri konkluduan se gratë sot në Republikën e Maqedonisë së Veriut janë të përfshira në politikë-bërje më shumë në mënyrë deklarative dhe përmes numrave dhe kuotave, ndërsa mungon përfshirja e tyre e vërtetë e bazuar në meritokraci dhe profesionalizëm.

Ish ministri, dhe profesori universitar  Prof. Dr. Rizvan Sulejmani, më tepër foli për benefitet e organizimeve të tilla duke shtuar se këto ngjarje dhe evente janë mënyra e vetme për veprim dhe njohuri për jetën multikulturore.

Jeta në një shtet multikulturor që të gjitha barrierat bashkë po i rrënojmë, nuk ka mënyrë më të mirë se nga ajo që shohim sot. Nga ai ambient që ju komunikoni bashkë i përjetoni ato vlera, kjo është mënyra e vetme për veprim sepse punët bëhen me menaxhim dhe kjo shkollë ju jep njohuri për jetën multikulturore, tregon çfarë është integrimi dhe vendi jonë është pikërisht shembull për mbarë botën,” tha Sulejmani.

Nga CivilMedia, Xhabir Deralla, në ligjëratën e tij tha se “Ura e Gurit në Shkup lidh qytetin dhe 8 vite ju është dashur turqve për të ndërtuar urën në atë kohë kurse 8 vite Çarshia ka qenë e shkëputur, është dashur 8 vite për të ndërtuar komunikimin mes dy popujve sepse kanë ndodhur dezinformata dhe pikërisht këto kanë ndikuar që thellohen ndasitë, për këtë shkak politika, mediat dhe propaganda janë të lidhura bashkë

Në ditën e tretë dhe të fundit, ish Ambasadori Arben Çejku, duke folur për figura të mëdha liderësh mori shembull kreun e Bashkimit Demokratik për Integrim për të cilin tha se nuk është një lider që lufton për një karrige ose zyrë por është një figurë që lufton për të gjithë shtetin.

Duke qenë komandant i UÇK-së Ahmeti garantoi zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Këtë e tregoi dhe dëshmoi edhe koha. Ai krijoi edhe institucione për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Ai është kryediplomati më i mirë që ka Maqedonia e Veriut. Ahmeti mund të krahasohet vetëm me Ibrahim Rugovën dhe me askënd tjetër, ai luajti një rol të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin e RMV-së”, tha Çejku.

Ndërkaq, në fund, gjatë fjalimit përmbyllës të pranishëm ishin Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi, ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri, si dhe Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.
Grubi përpara ndarjes së certifikatave për pjesëmarrësit falënderoi pjesëmarësit e rinj dhe ligjëruesit e Shkollës për liderë të rinj “Peace Forum Dialogue”

Mendoj se ne duhet që të rinjve të ju sqarojmë përfitimet që kemi nga Marrëveshja e Ohrit. E dini se përmes një shoqërie të barabartë për të gjithë përfitojmë të gjithë dhe sot pas 21 viteve shteti është kujdesur për bashkësitë që jetojnë në vend dhe të gjithë bashkësitë janë bërë të barabarta pasi që bashkë shqiptarët, maqedonasit, serbët, boshnjakët dhe të tjerë që jetojmë në një vend kujdesemi për sigurinë dhe perspektivën euroatlantike. Sot jemi anëtarë të NATO-s dhe muajin e kaluar filluam bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Europian. E dini se vendi fitoi statusin kandidat për në Bashkimin Europian pikërisht nga nënshkrimi i Marrëveshjes se Ohrit dhe sot jemi në vitin 2022 ku ministrat shqiptar, turq, serb, rom, vllah e boshnjak krah me ministrat maqedonas luftojnë për shtetin tonë që të shohin vendin të anëtarësuar në Bashkimin Europian. Dhe duhet bashkë përmes organizimit të ngjarjeve të këtilla të tregojmë dhe sqarojmë më mirë përfitimet që ka vendi dhe shoqëria nga Marrëveshja e Ohrit. Andaj jemi mbledhur këto ditë këtu që bashkë të ndajmë përvojën, të mësojmë dhe të njëjtën të ndajmë edhe me miqtë. Vendosëm që Shkolla për lider të rinj “Peace Forum Dialogue” dhe “Peace Festival” të organizohen bashkë që të bëhen si evente tradicionale, ndërsa vitin e ardhshëm presim që të jetë diçka akoma më madhore. Më vjen shumë mirë që keni vendosur të merrni pjesë në këtë shkollë dhe shpreh falënderim për të gjithë pjesëmarrësit dhe ligjëruesit që ishin pjesë e kësaj shkolle”, tha Artan Grubi në fjalimin e tij para pjesëmarrësve.

Të fundit