Ukraina po lufton për mbijetesën dhe tërësinë e territorit të saj dhe njohja e Kosovës sigurisht që nuk është ndër prioritetet e saj. Përveç kësaj, njohja e Kosovës do të ishte argument dhe justifikim për Rusinë, pra për pushtimin nga ana e saj të Donetskut dhe Luhanskut dhe njohjen e tyre si republika të pavarura,- citon KD deklaratën e Sonja Biserkos, kryetare e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut për të përditshmen e pavarur serbe Danas.
Biserko ka komentuar propozimin lidhur me njohjen e pavarësisë së Kosovës të Alexi Goncharenkos, deputet dhe nënkryetar i Komisionit ukrainas për Migrim, Refugjatë dhe Persona të Zhvendosur.
Goncharenko e ka dorëzuar propozimin në Parlamentin e Ukrainës dhe, siç ka shpjeguar, Volodymyr Zelenskiy ka shumicën në parlamentin ukrainas, kështu që fjala e tij do të jetë përfundimtare dhe vendimtare:
‘Më i rëndëndësishëm është pozicioni i Presidentit, sepse ai ka shumicën në parlament. Në diskutime private, për shkak se Parlamenti nuk është mbledhur që kur kam dorëzuar këtë rezolutë, shumë deputetë e mbështesin këtë rezolutë,’- ka saktësuar deputeti ukrainas Goncharenko.Sonja Biserko, ndërkaq rikujton se ky zhvillim ka për të përplasur rusët me serbët:
‘Rusia që nga fillimi i luftës në Ukrainë i është referuar pikërisht rastit të Kosovës dhe me këtë arsyeton përvetësimin e Krimesë dhe njohjen e pjesëve të shkëputura të territorit ukrainas. Duke iu referuar precedentit të Kosovës, Serbia e përjetoi këtë si tradhëti, sepse Rusia është garantuesi i vetëm që çështja e Kosovës të mbahet e hapur në Këshillin e Sigurimit,’ – thotë Biserko për të përditshmen Danas. Në këtë shtrirje ajo komenton edhe reagimin e shpejtë të ambasadorit rus, Aleksandar Bochan Kharchenko, i cili pohoi se Rusia nuk ka hequr dorë nga mbështetja e Serbisë kur është fjala për Kosovën, dhe po këtë e përsërisin edhe zyrtarë të tjerë rusë.Kjo, natyrisht se e vështirëson pozitën serbe:
‘Serbia është në një situatë skizofrenike. Nga njëra anë, mbështet tërësinë e Ukrainës për shkak të Kosovës, kurse nga ana tjetër e mbështet Rusinë dhe shpreson në fitoren e saj (atmosfera që mbizotëron nëpër elita dhe shoqëri), që kinse do të ndryshonte edhe pozitën e saj gjeostrategjik,’- vlerëson kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut me seli në Beograd duke përfunduar se kjo do të nënkuptonte, sikurse shpresojnë nacionalistët, të njëjtin skenar si dhe ai rus, përkatësisht aneksimin e territoreve serbe për shkak të rrezikimit të serbëve në të gjitha vendet fqinje./KDP/