Gjatë 150 ditëve të para të luftës në Ukrainë, u publikuan 1573 pohime të rrejshme dhe manipuluese. Mediat nga Serbia janë burimi më i shpesht i dezinformatave, para së gjithash edicioni serb i Sputnikut, Informeri, portali Večernje novosti dhe Alo. Sikurse transmeton KDP, paratë janë gjithashtu motivi i atyre që përhapin dezinformata, sipas hulumtimit të rrjetit SEE Check, të botuar nga media e pavarur në Beograd.
Rrjeti SEE Check ka publikuar hulumtimin “Narrativat globale dhe aktorët lokalë: 150 ditë lufte në Ukrainë dhe mbi 1.500 dezinformata në rajon”, i cili zbulon se gjatë pesë muajve të luftës në Ukrainë, 1.396 artikuj dhe shpallje në rrjetet shoqërore ishin ose manipulative ose të pasakta. Megjithatë, numri i atyre që u korrigjuan pas ndërhyrjes së portaleve të verifikimit të fakteve është vetëm 274.
Në këta artikuj dhe shpallje janë shënuar 1.573 pohime të pasakta dhe manipuluese.
Shumica e dezinformatave vijnë nga mediat nga Serbia. Në vend të parë për nga numri i artikujve të vlerësuar është edicioni serb i agjencisë ruse të lajmeve Sputnik me 33 artikuj, pastaj Informeri (32), Novosti.rs (30) dhe Alo.rs (28), – theksohet në kërkimin e këtij rrjeti në të cilin bëjnë pjesë pesë redaksi të cilat merren me verifikimin e të dhënave – Raskrikavanje.ba (BiH), Raskrikavanje.me (CG), Raskrikavanje.rs (SRB), Fakenews tragač (SRB) dhe Faktograf (HR), – transmeton kdpolitik.com.
Politikanët serbë janë viktima më të mëdha të pushtimit të Ukrainës sesa vetë ukrainasit!
Hulumtimi tregoi se në mesin e 20 burimeve individuale me më shumë artikuj të pasaktë ose manipulues, madje 16 janë nga Serbia dhe nga dy nga Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina.
Pesë portalet rajonale për verifikimin e fakteve gjatë 150 ditëve të para të luftës në Ukrainë, publikuan 313 analiza në të cilat 1.396 artikuj dhe shpallje nëpër rrjete u vlerësuan si manipuluese ose të pasaktë. Në to janë regjistruar 1.573 ppohime të pasakta dhe manipuluese
Në mesin e mediave nga Serbia dominojnë tabloidet të cilat pa përjashtim politikisht anojnë kah autoritetet aktuale. Një nga dezinformatat nga Serbia është ajo për presionin të cilit i është nënshtruar Beogradi zyrtar për shkak të mos vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, kështu që ndonjëherë në bazë të teksteve mediatike mund të konstatohet se autoritetet serbe janë viktima më të mëdha të luftës në Ukrainë sesa vetë populli ukrainas.
Ndër rrjetet sociale kryeson Facebook me numrin më të madh të dezinformatorëve, me 217 burime.
Kur është fjala për tipet e manipulimit, më i shpeshtë zakonshmi është “lajmi i rremë”, i cili paraqitet përmes dy vlerësimeve të ndryshme – “lajmi i rremë” kur është fjala për pohimet e pasakta dhe “transmetimi i lajmit të rreme”, kur flitet për të njëjtin pohim që transmetohet në burime të tjera. Ky lloj manipulimi është regjistruar mbi 640 herë.
Hulumtimi tregoi gjithashtu se në një numër të madh tekstesh dhe publikimesh manipulohet me fakte (331) dhe përmbajnë dezinformata (269), gjë që tregon se lajmet për luftën në Ukrainë shpesh nuk janë plotësisht të fabrikuara, por janë një kombinim i pohimeve të sakta dhe të pasakta, dhe se informacionet paraqiten në mënyrë manipuluese dhe selektive.
Paratë janë po ashtu motiv i atyre që përhapin dezinformata
Titujt e Clickbait (116) tregojnë se motivet ekonomike janë të pranishme gjatë dezinformimit mbi luftën në Ukrainë.
Pohime manipuluese dhe të pasakta kanë publikuar 698 burime të ndryshme në të gjithë rajonin. Përveç 342 burimeve nga rrjetet sociale, më alarmant është e dhëna se, sipas këtij hulumtimi, nëntë media përkatësisht publike dhe shtetërore plasojnë pohime të pasakta dhe manipuluese,- transmeton kdpolitik.com.
Hulumtimi është edhe një pasqyrë narrativash që përfshijnë gjithçka – nga arsyetimi i pushtimit rus të Ukrainës me akuzat për ekzistimin e biolaboratorëve, ekzistimin e nazizmit në Ukrainë ose mbrojtjen nga NATO-ja, përmes diskreditimit të presidentit të Ukrainës,e deri tek lidhja me teoritë ekzistuese konspirative të komplotit.
Dezinformimet pro-ukrainase të vëna re nga rrjeti SEE Check i shërbejnë kryesisht përhapjes së zërave të pabazë për heroizmin e ushtrisë dhe civilëve ukrainas.
Hulumtimi tregon se dallimi më i madh në raport me dezinformiet pro-ruse është se këso lajmesh ka më pak, se nuk janë aq virale, nuk kanë burime nga zyrtarët dhe institucionet, as as diapazon të gjerë temash, për dallim nga narrativat propagandistike ruse./KDP&Agjencitë/