E martë, 26 Shtator, 2023

DYMBËDHJETË TË VDEKUR PAS PËRPLASJES SË NJË AUTOBUSI NË KROACI

Dymbëdhjetë persona kanë vdekur të shtunën në Kroaci, pasi një autobus që po bartte pelegrinë polakë ka rrëshqitur nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal.

Të 32 pasagjerët tjerë të mbijetuar është thënë se janë të plagosur – 19 prej tyre seriozisht.

Në këtë udhëtim, të organizuar nga grupi katolik, Vëllazëria e Shën Jozefit, kanë qenë edhe tre priftërinj dhe gjashtë murgesha.

Ata kanë qenë duke udhëtuar në Megjugorje, ku gjendet një vend i shenjtë katolik në Bosnje-Hercegovinë.

Ministria e Jashtme polake ka thënë se të gjithë pasagjerët janë të rritur.

Ata kanë qenë pelegrinë nga një provincë afër Varshavës, kryeqytetit të Polonisë.

Aksidenti ka ndodhur në orën 05:40 të mëngjesit të së shtunës në verilindje të Zagrebit.

Ministria polake e Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm i kanë kërkuar Zyrës së Prokurorëve të Varshavës që të nisin hetime për shkakun e tragjedisë.

Dy ministra polakë tashmë janë nisur drejt Kroacisë.

Fillimisht ishte raportuar për 11 persona të vdekur, mirëpo një tjetër pasagjer ka vdekur në spital.

“Disa prej të plagosurve janë duke luftuar për jetë”, ka thënë ministri i Brendshëm i Kroacisë, Davor Bozhinoviq.

Ministria e Jashtme e Polonisë ka thënë se shoferi nuk është në mesin e të vdekurve

Kryeministri kroat, Andrej Pllenkoviq, u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave, duke thënë se ekipet e emergjencës janë duke e bërë më të mirën e tyre.

Pelegrinazhet në qytetin e vogël Megjugorje janë shumë të popullarizuara në Poloni, pas raportimeve se fëmijët lokalë kanë parë një imazh të Virgjëreshës Mari në vitet 1980.

Të fundit