E diel, 18 Maj, 2025

NISMA PËR REFERENDUM NUK DO MUND TA BLLOKOJË PROCESIN E INTEGRIMEVE EUROPIANE

VMRO-DPMNE insiston në mbajtjen e referendumit, ndërkohë që thekson se Kovaçevski nuk dëshiron referendum, sepse e di se populli nuk do ta mbështesë kornizën negociuese që po e shtyn, që do të thotë bullgarizim dhe asimilim. Analistët politikë theksojnë se referendumi është i panevojshëm, sidomos në këtë kohë të krizës ekonomike. Analisti politik, Xhelal Neziri, në një prononcim për Radio Evropa e Lirë, ka nënvizuar se VMRO DPMNE-ja, me nisma të tilla nuk do të mund që ta bllokojë procesin euro-integrues të vendit. Sipas tij, VMRO-DPMNE mundohet që të gjejë forma për të dalë nga situatat e krijuar më parë.

Shkruan: Enis Shaqiri

Edhe pse Parlamenti, deputetët, ministrat, dhe eksponentët e tjerë politik po shfrytëzojnë muajin gusht për pushime, VMRO-DPMNE, sot përmes një komunikate ka vazhduar me akuzat kundrejt subjektit politik në pushtet LSDM, rreth idesë së referendumit mbi të ashtuquajturin propozimi francez.

Sipas kësaj partie kryeministri Dimitar Kovaçevski nuk e dëshiron referendumin, me të vetmen arsye, sepse e di që populli nuk do ta mbështesë kornizën negociuese, ndërkaq sipas tyre, populli duhet të ketë mundësi të shprehë qëndrimin përmes referendumit.

Kovaçevski nuk dëshiron referendum, sepse e di se populli nuk do ta mbështesë kornizën negociuese që po e shtyn, që do të thotë bullgarizim dhe asimilim. Populli duhet të ketë mundësi të shprehë mendimin e tij, Kovaçevski, i cili nuk ka mandat nga populli, nuk mund të marrë vendim për bullgarizimin e vendit dhe vendosjen e tij në një pozitë të caktuar. Kovaçevski minon pozicionet maqedonase. Me kornizën e tillë siç i jepet mundësi Bullgarisë të bllokojë Maqedoninë sa herë që komisioni historik nuk pajtohet pas periudhave të caktuara, personave apo opinioneve. Me këtë Bullgaria mund ta bllokojë Maqedoninë derisa të pranohen tezat e saj për mohimin e gjuhës dhe identitetit maqedonas. Është bullgarizimi që fshihet pas protokollit”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Ndryshe, VMRO-DPMNE njofton se hapat e ardhshëm në lidhje me referendumin pritet që t’i vendosë në mbledhjen e radhës së Kryesisë Ekzekutive brenda partiake, të cilën e kanë në agjendë, ndërsa në këtë mbledhje do të definohet edhe pyetja konkrete e referendumit dhe detajet tjera të kësaj nisme.

Sipas analistëve politik, nisma e referendumit nga partia opozitare VMRO-DPMNE,  nuk do të mund që ta bllokojë procesin euro-integrues të vendit, dhe se jo për çdo vendim shtetëror duhet të shkohet në referendum.

Analisti dhe njohësi i çështjeve politike, Xhelal Neziri, në një prononcim për Radio Evropa e Lirë, ka nënvizuar se VMRO DPMNE-ja, me akte dhe nisma të tilla nuk do të mund që ta bllokojë procesin euro-integrues të vendit. Sipas tij, VMRO-DPMNE mundohet që të gjejë forma për të dalë nga situatat e krijuar më parë.

E ka thënë edhe më herët lideri i kësaj partie, Hristijan Mickoski se nuk është kundër përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutë, por se dëshiron të marrë garanci se kjo do të ishte kërkesa e fundit e palës bullgare. Unë nuk pres që VMRO DPMNE-ja të bllokojë procesin euro-integrues me bllokimin e ndryshimeve kushtetuese, por këtë e shoh si një tentim për t’iu shmangur qëndrimit të saj të fuqishëm se asnjëherë nuk do të votojnë ndryshimet kushtetuese apo asnjëherë nuk do të miratojnë zbatimin e propozimit francez,” ka thënë Neziri

Në ndërkohë, analisti Xhenur Iseni, në një prononcim për KDP, është shprehur se referendum i krijuar, kohës së fundit nga partia opozitare VMRO-DPMNE, është i panevojshëm përderisa vendi po përballet me krizën ekonomike.

“Me fillimin e negociatave për anëtarësim, referendumi është totalisht i panevojshëm, e sidomos në këto kohë të krizës ekonomike. VMRO-DPMNE me presionin për të mbajtur referndum, dëshiron të fitojë pikë politike por edhe të analizon se sa ka mbështetje si parti në elektoratin maqedonas. Qeveria ka legjitimitetin e plotë për të marrë vendime, dhe jo për çdo vendim shtetërorë duhet të shkohet në referendum. Nëse do të ishte ashtu, atëherë të krijojmë një Qeveri teknokratike dhe mos të mbajmë zgjedhje, ” thotë Xhenur Iseni.

Të fundit