E shtunë, 24 Maj, 2025

GRATË MBETEN TË ANASHKALUARA NË POZITAT UDHËHEQËSE TË UNIVERSITETEVE

Si në çdo sferë edhe në pozitat udhëheqëse të universiteteve dominojnë meshkujt. Sipas një publikimi të Portalb.mk, që nga themelimi i universiteteve në Maqedoninë e Veriut nga 53 rektorë në krye të universiteteve vetëm dy kanë qenë femra. “Momentalisht kolltukun e rektorit në universitetet tona e kanë vetëm burrat. Ky është një zakon akademik i pashkruar, madje duke i parë si zhvillohen këto procese, si i tillë do të mbetet edhe për një kohë të gjatë”, thekson profesoresha universitare, Arta Selmani- Bakiu. Ajo thotë se edhe pozitat e prorektorëve janë të uzurpuara nga  komuniteti i burrave. Ndërkohë përfaqësuesja dhe aktivistja e organizatës për të drejtat e grave “Mollëkuqja”, Rita Behadini problemin e sheh tek metodologjia e përzgjedhjes së një rektori. “Për të marrë atë detyrë duhet të votohesh nga dhjetëra burra të tjerë, që gjithmonë e kanë vërtetuar se do të zgjedhin një burrë në vend të një gruaje”, thekson Behadini.

Shkruan: Gentuar Ismaili

Si në çdo sferë tjetër në vendin tonë, edhe në pozitat udhëheqëse nëpër universitete, dominojnë meshkujt. Këtë e kanë konfirmuar edhe të dhënat që i publikoi portali “Portalb.mk”, sipas të cilave që nga themelimi i universiteteve në vendin tonë, prej 53 rektorëve në krye të universiteteve, vetëm 2 janë femra.
Organizatat e shoqërisë civile që merren me avancimin e të drejtave të grave dhe aktivistët për të drejtat e grave, këtë e shohin si të dhënë shqetësuese, ndërkohë profesorëve universitarë, u duket situatë normale pasi që këto pozita sipas tyre janë të rezervuara për burrat.
Profesoresha universitare Arta Selmani-Bakiu, shprehet se përveç pozitave të rektorëve në universitetet tona edhe pozita e prorektorëve, janë të uzurpuara nga burrat. Ndërkohë thekson se vetëm në UEJL dhe USHKM ka nga një prorektore grua.


“Momentalisht kolltukun e rektorit në universitetet tona e kanë vetëm burrat. Ky është një zakon akademik i pashkruar, madje duke i parë si zhvillohen këto procese, si i tillë do të mbetet edhe për një kohë të gjatë. Në universitetet tona edhe pozita e prorektorëve janë të uzurpuara nga komuniteti i burrave, aktualisht vetëm në Universitetin e Europës Juglindore dhe në Universitetin “Kirilli Metodi”, ka prorektore grua. Andaj me plot përgjegjësi e them që në botën e arsimit të lartë, menaxherë kryesorë janë burra dhe preferenca gjinore këtu e ka fjalën kryesore. Në shoqërinë akademike, ende mbisundojnë stereotipat e tipit se gratë janë shumë të brishta dhe nuk kanë fuqi ‘t’i bien tavolinës’ kur është fjala për vendime madhore. Andaj dominanca e burrave si udhëheqës dhe jo vetëm në arsimin e lartë, por në përgjithësi edhe në institucionet tjera, flet për diskriminim gjinor në ndarjen e pozicioneve udhëheqëse. Andaj stagnimi i gruas në pozita udhëheqëse mund t’i mveshet si vetë asaj, e cila nuk ka guxim të përballet me monarkin maskulist”, thekson profesoresha universitare Arta Selmani-Bakiu.

Ndërkohë përfaqësuesja dhe aktivistja e organizatës për të drejtat e grave “Mollëkuqja” Rita Behadini problemin e sheh tek metodologjia e përzgjedhjes së një rektori, ndërsa shton se ironia qëndron tek ajo që disa burra duhet ta zgjedhin një grua.


“Është statistikisht e vërtetuar se kemi mungesë të grave në pozita vendimmarrëse në çdo sferë; politikë, biznes, arsim, shkencë. Madje jo vetëm në vendin tonë, por edhe globalisht. Kështu që nuk më habit fakti që kaq pak gra kanë ushtruar detyrën e rektorit deri më tani. Për të marrë atë detyrë duhesh të votohesh nga dhjetëra burra të tjerë, që gjithmonë e kanë vërtetuar se do të zgjedhin një burrë në vend të një gruaje. Sidomos në vendin tonë, vendimet nuk merren në bazë të aftësive, por në bazë gjinore. Ne si shoqëri kemi standarde të dyfishta në çdo sferë, sidomos kur bëhet fjalë për çështje gjinore. Ne themi se duam  ‘ t’ua hapim rrugën’ grave për të qenë në këto pozita, por nga ana tjetër iu vendosim pengesa të pafundme”, thekson Beadini.

Përndryshe, numër minor të grave ka edhe në pozicione më të ulëta në hierarkitë e universiteteve. Shumicën e rasteve këto ndodhin për shkak të pabarazisë, ndërkohë që nuk respektohen parimet e meritokracisë. Përkundër faktit se në aspektin deklarativ promovohet barazia gjinore, ndërkohë shumë pak gra punësohen dhe udhëheqin me institucionet e shtetit.

Të fundit