E hënë, 19 Maj, 2025

19 GUSHT: SHKËLQIMI APO RËNIA E DRITAN ABAZOVIQIT?

Pas nënshkrimit në fshehtësi të marrëveshjes me Kishën Ortodokse Serbe, e cila i jep asaj të drejta ekskluzive, si eksterritorialitetin, Abazoviqi do t’i nënshtrohet më 19 gusht mocionit të votëbesimit në Kuvend, pasi partia e presidentit Milo Gjukanoviq ka kërkuar që ai të revokohet për shkak të braktisjes së agjendës evropiane,-transmeton KDP. Vëzhguesit thonë se me gjithë optimizmin e pushtetit në Podgoricë, akti nuk ka për të shënuar tejkalimin e dallimeve në shoqërinë e polarizuar malazeze.

Gjashtë orë pas nënshkrimit të Marrëveshjes Themeltare, ë parlamentin malazez është dorëzuar kërkesa për votim mosbesimi ndaj Qeverisë së kryeministrit Dritan Abazoviq.

Kërkesa është paraqitur nga Partia Demokratike e Socialistëve, Partia Liberale, Partia Socialdemokrate, Unioni Demokratik i Shqiptarëve, parti këto  që deri tani kanë mbështetur Qeverinë ose kanë pasur pjesëmarrje direkte në të, si dhe opozitarja socialdemokrate.

Nismëtarët e votimit për rrëzimin e Qeverisë kanë 36 deputetë, nga gjithsej 81 sa numëron legjislatura parlamentare malazeze.

Në kërkesë thuhet se kryeministri Dritan Abazoviq vendosi në plan të parë marrëdhëniet me Kishën Ortodokse Serbe dhe ‘me një veprim të  papërgjegjshëm bëri që të rriten tensionet në shoqëri’  duke shkaktuar një humbje të pakompensueshme të kohës të nevojshme për përmbushjen cilësore të detyrimeve na agjenda evropiane.

“Kjo Qeveri e ka humbur legjitimitetin,” -theksojnë  firmëtarët e nismës për shprehjen e mosbesimit ndaj Qeverisë.

Duke reaguar ndaj kësaj, Lëvizja Qytetare URA e Abazoviqit ka lënë të kuptohet se një veprim i këtillë për të nuk është shqetësues.

“Për votimin e mosbesimit ndaj Qeverisë nuk do të kenë shumicën, sepse besojmë se Kuvendi dhe partitë do të përcaktohen drejtë ndaj politikës së përgjegjshme shtetërore, përkundër intolerancës dhe ekstremizmit,” – ka komentuar URA.

Qeverinë e Abazoviqit gjatë zgjedhjes në Parlament e mbështetën Lëvizja e tij qytetare URA, Partia Popullore Socialiste pro-Serbe (SNP), Partia Socialdemokrate (SDP), partitë kombëtare të shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve, si dhe 29 deputetë të Partisë Demokrate të Socialistëve (DPS ) të presidentit malazez Milo Gjukanoviq, e cila nuk ka asnjë përfaqësues në Qeveri.Kundër ishin  deputetët e Frontit Demokratik dhe Demokratët.

Sipas paralajmërimeve të DPS-së së Gjukanoviqit, SDP dhe ndoshta  edhe disa nga partitë e pakicave nuk do ta përkrahin qeverinë, por është e mundur që pikërisht Fronti Demokratik pro-serb dhe pro-rus dhe Demokratët të mund të mbështesin qeverinë e Abazoviqit. Këto parti janë të afërta me KOS-in dhe insistuan për nënshkrimin e Marrëveshjes Themeltare me të.

REAGIME

Nënshkrimi i marrëveshjes me Kishën Ortodokse Serbe nga kryeministri Dritan Abazoviq, ka ngjallur reagime të shumta në Mal të Zi dhe jashtë tij.

Fatmir Gjeka, ministër i të Drejtave të Njeriut dhe Minoriteteve,, ka deklaruar se kjo organizatë fetare në një periudhë më të përparshme ka qenë nën ndikimin e elementeve që dikur në ish-Jugosllavi kanë qenë të inkriminuar në krime lufte, por në vitin 2022, kur jemi edhe si shtet para  bashkimit të integrimit evropian, janë disa procese të tjera të cilat janë më se të nevojshme, deklaroi  ai për RTK-në.

“Për mendimin tim është diçka e pritur. Siç e keni përcjellë edhe ju, kjo kontratë ka kaluar në qeveri para një muaji dhe opinioni i gjerë e ka pasur publikisht si do të rrjedhë ngjarja. Është kontrata e parë e cila para se të vijë në qeveri ta marrë aprovimin, ka dalë në publikun e gjerë. Ju e dini se kur ta përmendim Kishën Ortodokse Serbe, pa marrë parasysh si është kontrata, ndonjëherë njerëzit kanë reagimi të tilla me të drejtë, duke e ditur se kjo organizatë fetare në një periudhë më të përparshme ka qenë nën ndikimin e elementeve dikur në ish- Jugosllavi, që kanë qenë të inkriminuar në krime lufte, por në vitin 2022, kur jemi edhe si shtet para bashkimit të integrimit evropian, janë disa procese të tjera dhe të cilat janë më se të nevojshme”, – tha Gjekai.

Ish-ambasadori i Malit te Zi në Kosovë, Ferhat Dinosha, ka thënë se Marrëveshja me Kishën Serbe është hap i ngutshëm.

“E kam parë. Më duket si shumica e opinionit në Mal të Zi. E kam parë si hap të ngutshëm, më mirë thënë hap të pabesë, për arsye se askush sot nuk ka ditur se do të ngjajë kjo dhe askush sot nuk ka paralajmëruar se për të nënshkruar marrëveshjen në fjalë do të vijë nga Beogradi kreu i Kishës Ortodokse Serbe”- ka deklaruar Dinosha për RTK-në.

Milan Beshiq nga Dakulteti i Shkencave Politike në Beograd, ka deklaruar për televizionin e pavarur serb N1 se përkundër shpresave se nënshkrimi i Marrëveshjes Themeltare mes Qeverisë së Malit të Zi dhe KOS-it “i vuri pikë” çështjes së shumëpërfolur,  prapëseprapë akti është vetëm një “presje”:

“Jam thellësisht i bindur se është vetëm një presje, pas së cilës do të vijojë ajo çka do të vazhdojë,” -thotë Beshiq duke rikujtuar se çështja është aktuale tash disa dekada, ndonëse  në periudha të caktuara ishte vënë nën “qilim”.

“Çështja e KOS-së është çështja e identitetit të popullit serb në Mal të Zi, ndërsa tje ka ndarje të thella mes “forcave patriotike” dhe “strukturës serbe”. Ky konflikt ka ekzistuar një kohë shumë të gjatë, ekziston edhe sot, do të ekzistojë edhe pas nënshkrimit apo mosnënshkrimit të Marrëveshjes Themeltare.  Në këtë kontekst duhet parë  gjithë atë që ka për të ndodhur në skenën politike. Pra,  Marrëveshja Themeltare nuk do t’i zgjidhë problemet, ajo do të nxjerrë në pah ndarjet e thella që ekzistojnë në shoqërinë malazeze,” – transmeton KDP deklaratën e profesorit Beshiq për Tv N1.

Marrëveshja Themeltare me Kishën Ortodokse Serbe, pas publikimit të saj zyrtar më 26 qershor, shkaktoi konflikte brenda Qeverisë dhe në mesin e anëtarëve të shumicës qeverisëse, ndërsa u mbështet nga Fronti opozitar Demokratik pro-serb e pro-rus.

Për një pjesë të mazhorancës qeverisëse, DPS-së dhe Partisë Socialdemokrate, Traktati është kundër interesave kombëtare, në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet, në kundërshtim me karakterin laik të shtetit.

Edhe opinioni profesional kishte vërejtje serioze për përmbajtjen e Marrëveshjes. Kryeministri Abazoviq refuzoi zyrtarisht, më një gusht, të gjitha vërejtjet e organizatave joqeveritare, Akademisë së Shkencave të Malit të Zi dhe të institucioneve të tjera

Marrëveshja Themeltare që rregullon marrëdhëniet ndërmjet KOS-it dhe shtetit të Malit të Zi parasheh një sërë detyrimesh të shtetit ndaj KOS-it.

Me marrëveshje, shteti njeh vazhdimësinë juridike të KOS-it që nga viti 1219, gjashtë shekuj më shumë sesa Kisha Ortodokse Serbe e ka në Serbinë amë.

Me të KOS-it i jepen autorizime publiko-juridike dhe hapet mundësia e futjes së arsimit fetar në shkolla.

Përveç kësaj, organet shtetërore nuk mund të ndërmarrin masa sigurie nëobjektet kishtare pa lejen paraprake të organeve kompetente kishtare, ndërsa shteti është zotuar se do të regjistrojë edhe pronat e paluajtshme, të paregjistruara, në pronësi të dioqezave të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi. /KDP&Agjencitë/

Të fundit