E hënë, 19 Maj, 2025

REFERENDUMI E LARGON VENDIN NGA PROCESI INTEGRUES

LSDM dhe VMRO-DPMNE kanë vazhduar me përplasjet rreth idesë së referendumit. Ndërkohë, deputetja e ASH-së Ilire Dauti ka theksuar se Aleanca për Shqiptarët qartas është shprehur duke përkrahur propozimin francez edhe kur u propozua, por edhe duke votuar në Kuvend konkluzionet lidhur me propozimin francez. “Për Aleancën është e pranueshme çdo iniciativë që e afron më shumë vendin me perëndimin, NATO-n, BE-në, SHBA-të, njëjtë siç është e papranueshme çdo iniciativë e tillë që na largon nga perëndimi”, ka theksuar Dauti. Analistët vlerësojnë se nëse do të ketë referendum, do të shihnim polarizim të skenës politik, do të kishte tensione të reja në shoqëri që absolutisht nuk i konvenon procesit eurointegrues

Shkruan: Enis Shaqiri

Partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, nuk heq dorë nga ideja e referendumit kundër ndryshimeve kushtetuese.
Zëdhënësi i kësaj partie, Dimçe Arsovski, në lidhje me vendimet e pushtetit, tha se referendumi do të jetë shuplakë për pushtetin si dhe për politikat të cilat nuk janë në interes të qytetarëve.

Është e qartë se duhet të ketë referendum. Por edhe më e qartë është se pushteti frikësohet dhe e din se nuk ka të drejtë prandaj i ik kësaj teme. Ne sapo të përfundojmë me konsultimet brendapartiake do të dalim dhe do ta prezantojmë publikisht se cila do të jetë pyetja dhe si do të realizohet”, tha Dimçe Arsovski, nga VMRO-DPMNE.

Ndërkaq nga partia në pushtet, LSDM bëjnë të ditur se referendumi i paralajmëruar i VMRO-DPMNE-së, do të jetë vetëm me peshë brendapartiake.

VMRO-DPMNE-ja akoma nuk e ka definuar pyetjen për referendumin të cilin e propozojnë. Kjo është dëshmi se VMRO-DPMNE-ja, gjegjësisht Hristijan Mickoski, referendumin e shfrytëzon vetëm për përdorim të brendshëm, gjegjësisht për ruajtjen e kolltukut të tij në parti”, tha Bogdanka Kuzeska, LSDM.

Ideja e referendumit nga VMRO-DPMNE, erdhi pasi pushteti miratoi propozimin francez, për  të filluar negociatat me BE-në.

Kujtojmë se nga partitë politike të bllokut shqiptar, ende nuk ka ndonjë qëndrim  zyrtar në lidhje me idenë e referendumit që vjen nga VMRO-DPMNE, ndërkohë që të gjitha partitë shqiptare nga pushteti dhe opozita e pranuan propozimin francez.

Në një prononcim për KDP, Ilire Dauti, deputete nga radhët e Aleancës për Shqiptarët, e pyetur në lidhje me qëndrimet e ASH-së, për referendumin e paralajmëruar nga VMRO-DPMNE, ka theksuar se Aleanca për Shqiptarët qartazi e ka përkrahur propozimin prancez, ndonëse duke e votuar edhe në Kuvend.

“Aleanca për Shqiptarët qartas është shprehur duke përkrahur propozimin francez edhe kur u propozua, por edhe duke votuar në Kuvend konkluzionet lidhur me propozimin francez. Për Aleancën është e pranueshme çdo iniciativë që e afron më shumë vendin me perëndimin, NATO, BE, SHBA, njëjtë siç është e papranueshme çdo e tillë që na largon nga perëndimi”, tha Ilire Dauti.

KDP ka kërkuar prononcim edhe nga subjektet tjera politike shqiptare, por deri në momentin e publikimit të shkrimit nuk ka marrë përgjigje.

Analisti, dhe njohësi i zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, Riçard Kremer nga Organizata Aleanca SHBA-Evropë, lidhur me iniciativën e VMRO-DPMNE-së për mbajtjen e referendumit, thotë se nuk përbën problem referendumi, duke nënvizuar këtu se Maqedonia e Veriut ka një Qeveri e cila është zgjedhur në mënyrë demokratike dhe se kjo qeveri sipas tij është orientuar drejt anëtarësimit në BE.

Ka pasur kompromise. Bullgaria duhej të bënte lëshime, po ashtu edhe Maqedonia e Veriut. Kështu bëhet përparim. Jo të gjithë janë gjithmonë të lumtur të bëjnë kompromis, por ky është thelbi i negociatave. Kundërshtimet për pranimin e propozimit francez janë për shkak të emocioneve të shtuara për momentin. Por në plan afatgjatë, mendoj se të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut do ta vlerësojnë anëtarësimin në BE dhe NATO, që është një trajektore e natyrshme ku vendi po lëviz aktualisht”, ka thënë Riçard Kremer, për Zërin e Amerikës.

Nga ana tjetër, analisti politik Blagojçe Atanasoski, gjatë një interviste është shprehur se ideja e referendumit e VMRO-DPMNE-së do të ishte humbje kohe.

Edhe tani nëse opozita mbledh 150 mijë nënshkrime, dhe nëse kemi bojkot nga partitë maqedonase në pushtet dhe të gjitha partitë shqiptare që do t’u bëjnë thirrje anëtarëve, simpatizantëve dhe votuesve që të mos dalin në atë referendum, definitivisht referendumi nuk do ta ketë censusin e nevojshëm dhe kjo do të jetë kohë, energji, para, dhe mjete të shpenzuara të qytetarëve”, ka thënë Blagojçe Atanasoski,

Sipas tij, e rëndësishme është që të gjitha partitë politike, si ato nga blloku shqiptar  dhe maqedonas, kanë pranuar propozimin francez, dhe një referendum eventual do të nënkuptonte polarizim të skenës politike.

Nga ana tjetër të gjitha partitë në pushtet me përjashtim të një ose dy nga partnerët më të vegjël, por shumë më e rëndësishmja, të gjitha partitë shqiptare nga pushteti dhe opozita e pranuan këtë propozim francez ose evropian që Maqedonia të fillojë bisedimet dhe nëse tani ndodh referendumi, do të shihnim polarizim të skenës politike maqedonase, do të ketë tensione të reja në shoqëri që absolutisht nuk i konvenon procesit eurointegrues”, ka thënë Blagojçe Atanasoski-Analist politik.
Për miratim të referendumit duhen të paktën 61 vota në Kuvend. Ndërkaq VMRO-DPMNE-ja tani për tani ende nuk ka përcaktuar për çka do të jetë nisma e referendumit, ndërsa nuk e ka definuar as pyetjen.

Të fundit