Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar të martën në mbrëmje se do të udhëtojë për në Bruksel, por nuk pret asgjë nga takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i paralajmëruar për 18 gusht: “Do të shkoj në Bruksel, nuk e kam vështirë, nuk pres asgjë, kushdo që mendon se me Kurtin është e mundur të ruhet paqja, mendoj se gabon shumë, e di me kë kam të bëj,”- transmeton KDP deklaratën e Vuçiqit për RTS-në.
‘Kemi kaluar dy ose tri ditë tepër të vështira dhe kam frikë se do të kemi edhe shumë ditë tepër të vëshira… Albin Kurti dhe autoritetet prishtinase ndërmorën hapat në mënyrë të njëanshme,‘ – tha Vuçiq duke pranuar se qeveria e tij nuk e njeh marrëveshjen e para 11 vjetëve: ‘Ata i referohen Marrëveshjes nga viti 2011 që për ne është tejet e keqe. E nënshkroi Borko Stefanoviq, pra si i dërguar i Tadiqit në atë kohë në të cilën të dyja palët kanë të drejtë që për hyrje-dalje të vendosin reciprocitet. Ne nuk mund të lejojmë (hyrjen-shënimi i red) me letërnjoftime shqiptare të shtetit të Kosovës pa dokument shoqërues në territorin e Serbisë qendrore, sepse kështu do ta njihnim pavarësinë e Kosovës…Thelbi i problemit është se disa në rajon mendojnë se kur ka histeri të përgjithshme për shkak të luftës në Ukrainë të mund të realizojnë interesat e veta”,- citon KDP deklaratën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq i cili ka vënë në dukje se zhvillimet e fundit në kufirin Serbi-Kosovë kanë qenë ‘një hap nga katastrofa’./KDP/