Abdulah Ahmedi fillimisht ka punuar në institutin “MIS Trand” dhe ka qenë i angazhuar për të bërë sondazhe mbi opinionin e të papunëve. Aktualisht punon në departamentin ekonomisë, inovacionit dhe punëve sociale të Kantonit Vaud, institutin EVAM. Ai ka një biografi të pasur shkencore, ndërkohë që ka botuar dy libra në fushën e sigurimeve sociale. Magjistraturën e ka kryer në Fakultetin Juridik të Universitetit të Gjenevës, ndërsa më pas po në këtë universitet ka mbrojtur temën e doktoraturës “Pensioni një sfidë për sigurimin social: në rrafshin ndërkombëtar, evropian dhe nacional”. Është anëtar i Institutit zviceran-shqiptar në Lozanë-ISAL dhe anëtar i Shoqërisë së juristëve zviceran-SJZ. Në intervistën për KDP ai flet për shkaqet e migrimit, konceptin e sigurimeve, mbi idenë e “shtetit social familjar” dhe përgjithësisht mbi të drejtën e punës dhe tregun e integruar evropian.
Intervistoi: Ekipi i KDP-së
KDP: Çfarë ju shtiu që t’i futeni kësaj pune shkencore në Zvicër, sa e vështirë ishte trajektorja shkencore kemi parasysh që tashmë keni kryer magjistraturë dhe doktoraturë në Zvicër?
Abdulah Ahmedi: Kur kam filluar magjistraturën ndërkohë kam punuar për kantonin si funksionar kantonal në Institutin EVAM. Në atë kohë unë isha shumë i interesuar të bëj kërkime shkencore mbi migracionin se vetë isha pjesë e kësaj. Të mësoja pse këto njerëz migrojnë, shkaqet që i shtyjnë që kjo popullatë të migrojë, dëshirat, arsyet që ka e gjithë kjo popullatë që migron?. Dhe pikërisht kjo ishte arsyeja pse kam zgjedhur temën e magjistraturës “Lëvizja e popullatës në Bashkimin Evropian dhe koordinimi i sistemeve të sigurimeve sociale’’.
KDP: Pse njerëzit po migrojnë, cilët janë shkaqet ?
Abdullah Ahmedi: Shikoni janë dy teza që janë “kontradiktore” apo “komplemontuse” kur është fjala për shkaqet e migracionit të popullatës. Teza e parë është se njerëzit migrojnë për shkaqe të varfërisë, papunësisë, rrezikut, konflikteve, luftës, kërcënimeve politike, raciale, religjiozë, incestit, dhunës familjare. Ndërsa teza e dytë është se njerëzit migrojnë për shkaqe ekonomike për të gjetur jetë më të mirë, me pas një ekonomi më të mirë, për të konsumuar produkte që i shohim në media gjithë kohën (vetura, veshje me mark, iphonne) e që i gjejnë në vendin e imigracionit gjegjësisht në vendet e zhvilluar.
Për shembull, për ta ilustruar konceptin-vizionin: vendet e zhvilluara kanë inflacion, vendet në zhvillim me modelin ekonomik konsumues ( Shtetet e Evropës Qendrore dhe Lindore, të Ballkanit dhe më gjerë) dhe kjo nuk ka asnjë lidhje me standardin e jetës së vendeve ne zhvillim ( PBN, rogat etj). Një dispropocion-disparitet të forcës blerëse të qytetarëve të zhvilluara dhe të vendeve ballkanike dhe vendeve tjera. Pra në këtë stad kemi faktorët që luajnë një rol të rëndësishëm në lëvizjen e popullsisë, si më poshtë:
-Faktorët atraktiv/tërheqës (pull factors) bëhen ose janë më të fortë se faktorët shtytës (push factors)
-Faktorët ekonomiko-social: ai ekonomik determinues dhe ai social që është të një multiciteti ( stimulues ose frenues) gjithashtu luajnë një rol vendimtar për migracionin (distanca, gjuha, kompozimi familjar, martesat, bashkimi i familjes)
Si përfundim sa i përket formës se migrimit sot mund të themi që kemi një migracion që ka ndryshuar formën dhe mënyrën e veprimet. Ai vjen dhe bëhet shumë dhe më shumë një “migracion nomad” që unë e definoj si një lëvizje e popullsisë në BE dhe vendet e Ballkanit Perëndimor siç janë punëtorët, mobilitetiti i trurit; shkencëtarët, mjekët, avokatët, pastaj kemi studentët, pensionistët, të papunët .
KDP: Cilat janë perspektivat dhe vështirësitë e njerëzve që lëvizin brenda BE-së?
Abdulah Ahmedi: BE-ja është një organizatë “ sui generis” me një hapësirë gjeografike, me institucione, një korpus juridik, një popullsi ( article 8 e definon civitatis). Tash avantzhet në BE janë të shumta, por do ceki katër liritë: lëvizja e lirë e popullsisë, e mallit, shërbimeve dhe kapitalit. Migrimi në gjirinë e BE-së nuk është tragjike se nuk kemi të bëjmë me një migrim klasik, por me një lëvizje të krahut të punës, dijes, shërbimeve, kapitalit. Dhe, pikërisht qëllimi i BE-së është një treg ekonomik i lirë i përbashkët. Nuk ka vend për panik, por vetëm të ndërrojmë veset e vjetra, respektivisht mënyrën e jetesës.
Perspektiva mund të definohet si punë stabile, të drejtë në formacione, forca blerëse, ndërsa vështirësitë si njohja dhe ushtrimi i të drejtave në BE, ekonomia konkurruese, tatimet, pagesa e kontributeve të sigurimeve sociale etj.
KDP: Kemi një model të mbrojtjes sociale të fortë në BE, Zvicër. Për çfarë modeli social jeni ju në përgjithësi e në veçanti rasti RMV-së ?
Abdulah Ahmedi: Duhet bërë një sqarim në mes modeleve neoliberale, social-ekonomik të tregut dhe opsionit të tretë. Modeli neoliberal synon më pak influencën e shtetit, që do të thotë më pak tatime e taksa dhe më shumë konkurrencë në treg. Kurse modeli social-ekonomik i tregut insiston një prezencë të shtetit dhe që shteti të luajë një rol të kujdestarit për shpërndarjen e të mirave materiale. Dhe, modeli i tretë ose siç quhet ‘’ opsioni i tretë’’ pretendon një investim të theksuar në kapitalin social: formacione, stazh, formacione të vazhdueshme etj. Modeli social-ekonomik i tregut ka treguar që është një model i ngulitur në vendet evropiane dhe promovon një kulturë dhe është një element i civilizimit evropian. Në RMV modeli social ekonomik i tregut është shumë latent prandaj RMV ka aplikuar një përzierje me modelin e opsionit të tretë.
KDP: Plakja e popullsisë, pensioni , çfarë iu garanton e drejta BE-së personave të moshës së tretë?
Abdulah Ahmedi: Në rrafshinë e sigurimeve sociale në nivel të BE-së kemi rregulloren 883/2004, e cila garanton koordinimin e sigurimeve sociale, ku BE është një lider, në saje të katër principe për sigurimet sociale: Caktimi i së drejtës së aplikueshme, lex laboris (Uniciteti i së drejtë së UE-së), trajtimi i barabartë, totalizimi, eksportimi, ndihma administrative, p.sh personi që ka kontribuar në disa shtete, vendi i fundit i punës është kompetent për të bërë kërkesën e pensionit (lex laboris)
KDP: Plakja e popullsisë është një sfidë për shtetin?
Abdullah Ahmedi: Apriori, është shumë e vërtetë se pensionistët ( mosha e tretë) kanë të drejtë të bëjnë një jetë të hijshme, dinjitoze dhe të bukur. Arsyeja qëndron se ato kanë paguar kontributet duke punuar brenda një harku kohor mesatarisht 35 vjet ose deri në moshën 65 vjeçare. Përgjegjësia i takon shtetit, relativisht institucionit që administron financat e kontribuuesve të garantojë pensionet personave që kanë kaluar pension.
KDP: Sigurimet shoqërore në veçanti sigurimi i moshës, vitet e pensionimit dhe projeksionet për të ardhmen në nivel ndërkombëtar, BE dhe RMV, ka ndonjë risi?
Abdulah Ahmedi: Nuk kemi sigurime të moshës në nivel të BE-së. Çdo shtet i BE-së ka sigurim të pensionit nacional. Edhe RMV ka sigurim të pensionit për personat që kanë punuar dhe kanë arritur në moshë 62 për gra dhe 64 për meshkuj, kanë të drejtën të kalojnë në pension të moshës. Në Danimarkë është për gjininë femërore 65 vjet kurse për meshkujt 67 vjet, Suedi kemi një rritje për meshkuj 68 vjet, në Zvicër është për gratë 64 dhe për meshkujt 65 vjet.
KDP: Do të rriten vitet për të kaluar në pension të moshës, ju jeni pro apo kundër?
Abdulah Ahmedi: Vitet e daljes në pension të moshës në vitet e ardhshme do të rriten për disa arsye: falë të arriturave të mjekësisë njerëzit jetojnë më gjatë, kushtet e jetës dhe punës janë përmirësuar, mosha e jetës është zgjatur, personat që kanë poste të mira në punë kanë dëshirë të mbeten në punë më gjatë të bëjnë një karrierë në punë.
KDP: Cili është rreziku i personave që shkojnë në pension, cili është impakti i gjeneratës së Baby-boom.?
Abdulah Ahmedi: Gjenerata e Baby-boom tashmë arrin në pension dhe sikleti i shtetit për t’u siguruar atyre një pension korrekt do të jetë deri në vitet 2030/50. Ndryshimet në dispozitat ligjore duhet të jenë një imperativ. Një rritje e viteve për të kaluar në pension është e domosdoshme. Një aktivitet në sektorin terciarë për personat që do kalojnë në pension është i domosdoshëm për t’i ik varfërisë. Personat në pension kanë të drejtë të bëjnë një jetë dinjitoze.
KDP: Në RMV ka persona që kanë punuar në vendet të BE-së dhe vendet e AELE ( Islandë, Norvegji, Litenshtajn, Zvicër) si të veprojë kjo kategori shoqërore, që këta persona të fitojnë pensionet?
Abdulah Ahmedi: RMV ka nënshkruar konventën të sigurimeve sociale me vendet e BE-së dhe ato të treta p.sh. Zvicëra-CH Konventa e sigurimeve shoqërore 2002. Pra personat që janë të interesuar apo kanë pyetje të kësaj natyre mund të më kontaktojnë. Në këtë kontekst bëjë thirrje që çdo person që ka punuar në Zvicër ose BE të jetë vigjilentë për të ushtruar të drejtën e sigurimeve sociale për të pasur një pension të moshës apo të mbijetuarve ( si i ve ose vejushe ose fëmijë i moshës së mitur apo në formacion). Në Zvicër personi që ka punuar 1 vit ka të drejtë të ketë një pension të moshës. Por, në rast se shuma e pensionit nuk arrin më shumë se 10% të pensionit mesatar zviceranë ka të drejtë të jetë i paguar të marr shumën vetëm një herë. Kurse, nëse shuma e pensionit kalon 10% dhe jo ma shumë se 20% të pensionit mesatar zviceran personi ka të drejt të zgjedhë ose të paguhet një herë ose të ketë një pension, të bëjë një zgjedhje.
KDP: Sipas jush, cila do të jetë mosha korrekte që personi të kalojë në pension të moshës ?
Abdulah Ahmedi: Unë mbrojë tezën se shkuarja në pension të moshës duhet trajtuar nga rasti në rast. Dhe duhet që personi të përfitoj prej shtyllës së dytë dhe tretë ose me të drejtë të ketë një punë në sektorin terciar, sigurisht nëse shëndeti ju lejon. Kjo do të ishte ideale për të bërë një jetë të moshës së tretë me dinjitet.
KDP: A ekziston një solidaritet i gjeneratave nëse po për cilat është fjala?
Abdulah Ahmedi: Aktualisht kemi dy solidaritete, një solidaritet ligjor dhe atë në familje. Ligjor është ai i cili është në sistemin e pensioneve ( në mes atyre që janë aktiv dhe atyre që janë në pension). Por, solidariteti në familje është shumë i theksuar në shtetet në zhvillim e sipër siç është rasti me Maqedoninë e Veriut mundet dhe shtetet ballkanike.
KDP: A mund të flasim për një “shtet social të familjes” në vend të” shtetit social” që ne njohim ?
Abdulah Ahmedi: Shteti social i fortë që mbron të gjithë shoqërinë është në krizë në BE, Zvicër edhe RMV, prandaj mundet të themi po, shteti social i familjes zëvendëson shtetin social që ne e njohim. Në shtetin social të familjes kemi një solidaritet në mes gjeneratave dhe aq ma shumë luftohet varshmëria e pleqve si jetohet nën një kulm.
KDP: Migracioni i popullsisë, në veçanti të rinjtë, po shqetëson ky fenomen dhe po mbjellë frikë, si e shihni ju këtë fenomen?
Abdulah Ahmedi: Duhet fituar luftën me frikën se popullsia, rinia, migron-shpërngulet. Nuk është një migrim klasike, por një lëvizje e popullsisë. BE synon një treg të përbashkët dhe kompetitiv, një qasje për të gjithë krahun e punës, lëvizjen e krahut të punës aty ku ka punë, paga më të mira dhe lëvizja është multipolare etj. Pra, në vendet demokratike është ekonomia e tregut që vendos për tregun e punës për dallim nga shtetet komuniste ose diktatoriale ku kemi një ekonomi të planifikuar, ku komiteti komunist ose diktatori vendos ku do të punojë njeriu apo eksperti.
KDP: Cila do ishte porosia për mërgimtarët, për njerëzit që migrojnë?
Abdulah Ahmedi: Nuk ka aspak vend për panik, frikë, sepse mund të mbarojmë javën e punës në Zvicër, Francë, Danimarkë, Suedi dhe gjatë fundjavës të shkojmë të pimë kafe ku të duam dhe me kë të duam në Shkup, Prishtinë, Tiranë apo këtu me ju dhe këtë mundet ta bëjë çdo punëtorë që dëshiron !?