E hënë, 19 Maj, 2025

BEXHETI: SHTRENJTIMIN E ENERGJISË ELEKTRIKE S’DO TË MUND TA PËRBALLOJË ASKUSH, MUND TË EVITOHET KRIZA

Akademiku Abdulmenaf Bexheti ka paralajmëruar se në periudhën e ardhshme kompanitë do të humbin betejën me rritjen e vazhdueshme të çmimeve të energjisë. Në një intervistë për portalin në gjuhën maqedonase Lokalno.mk, ai  ka thënë se zgjidhja nuk mund të gjendet në marrëveshjen e arritur mes Qeverisë dhe Odës Ekonomike për ndihmë në kushtet e krizës energjetike.

“Nuk ka kompani, person juridik apo institucion që faturat e energjisë elektrike i ka sipas çmimeve të tregut (bursës) dhe që do të mund t’i përballojë ato. Dhomat reaguan me të drejtë, por nuk jam i sigurt se qeveria do të mund të gjejë potencial financiar për të subvencionuar edhe këtë sektor, nëse çmimet mbeten në këtë zonë të egër! Në afat të shkurtër (pesë-gjashtë muaj) qeveria mund të ndihmojë, por kjo nuk është zgjidhje”, thotë Bexheti, përcjell kdpolitik.com.

Zgjidhje ai e sheh në ndërtimin e rrjetit të gazsjellësit dhe procedura të shkurtra për investime në burimet alternative të energjisë.

“Nuk bëhet fjalë për vullnetin e mirë, por për mundësitë reale. Qeveria mund të ndihmojë në disa muaj, por jo përgjithmonë. Zgjidhjet duhet të jenë të qëndrueshme dhe ne duhet të mësohemi me një nivel tjetër të çmimeve të energjisë.”, ka thënë Bexheti.

Duke bërë një krahasim me vendet evropiane në të cilat tashmë po praktikohen masat e kursimit të energjisë elektrike, Bexheti tregon një shembull të reduktimit të konsumit në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL) kundrejt një shembulli nga përditshmëria jonë, siç është ndriçimi i rrugëve deri në orën 7 të mëngjesit.

“Nuk duhet një krizë energjetike për të ndryshuar këtë sjellje. Fatkeqësisht kjo është kultura jonë e sjelljes – edhe të gjorë, edhe të hazdisur! Dhe këtu jo vetëm Qeveria, por mbi të gjitha komunat dhe të gjitha institucionet e tjera duhet të sillen krejtësisht ndryshe. Ne duhet të bëhemi një shtet dhe ekonomi rezistente ndaj krizës energjetike, e cila do të jetë gjithnjë e më e pranishme për shkak të nevojave në rritje për energji në të ardhmen”, ka vendosur Bexheti.

Ndërkohë që ekspertët botërorë paralajmërojnë për një recesion serioz dhe një krizë të thellë financiare, Bexheti ka thënë se gjithçka do të varet nga zhvillimet në Ukrainë.

“Sigurisht që ka një rrezik, por gjithçka do të varet nga sa kohë do të zgjasë dhe si do të përfundojë agresioni ushtarak kundër Ukrainës. Ndryshe nga dy vite më parë kur u shfaq kriza e Covid-it, niveli i borxheve publike, mesatarisht dhe në nivel global, ishte rreth 12-13% e PBB-së më i ulët se niveli i sotëm dhe në disa vende u ngjit në mbi 15% të PBB-së. Ajo do të thotë se sot nga ky këndvështrim hapësira fiskale për ndërhyrje të mundshme në ekonomi është tretur. Nga ana tjetër, bankat qendrore, duke filluar nga FED Amerikane, Banka Qendrore Evropiane dhe pothuajse të gjitha bankat kombëtare, në vetëm tre deri në katër muaj, rritën normat bazë të interesit dy deri në tre herë si një masë stabilizuese për inflacionin. E gjithë kjo i bën “paratë më të shtrenjta”, dhe rrjedhimisht edhe më të kërkuara. Si pasojë e këtyre situatave, kur kërkesa (dhe për para) rritet më shumë se oferta, natyrshëm mund të kemi një krizë borxhi dhe financiare”, ka thënë Bexheti.

Situata në Maqedoninë e Veriut, sipas tij, është shumë e ngjashme, pasi inflacioni arriti pothuajse 15% dhe norma bazë e interesit e bankës qendrore gradualisht u dyfishua (nga 1.25 në 2.5%).

“Të njëjtin trend, nëse jo me intensitet më të madh, do ta ndjekin edhe bankat komerciale, me ç’rast paratë do të shtrenjtohen dhe do të ulen konsumi dhe investimet. Kjo situatë do të varet edhe nga prurjet e diasporës sonë, e cila të paktën pas prezencës fizike në vend, e cila këtë vit thuajse është në numër rekord, pas uljes së qëndrimit në dy vitet e mëparshme para së gjithash për shkak të pandemisë. Statistikat financiare dhe të xhiros në fund të tremujorit të tretë do të tregojnë se sa efekt financiar pati qëndrimi i tyre, por fakti është se kryesisht në pjesën veriperëndimore të vendit, bizneset e vogla dhe mikro u ringjallën gjatë kësaj periudhe”, ka deklaruar Bexheti.

Të fundit