Lideri çeçen Ramzan Kadyrov, i cili me besnikëri përsërit propagandën e Kremlinit për pushtimin e Ukrainës dhe kërcënon rregullisht me sulme ndaj vendeve të tjera, të hënën në mëngjes ka shprehur mendimin e tij për situatën e krijuar mes Kosovës dhe Serbisë. Si zakonisht, duke mbetur në anën e Putinit, ai për gjithçka fajësoi – NATO-n, transmeton KDP.
Kadyrov përmes një reagimi në Telegram tha se e njeh mirë presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe se beson se ai “e kupton shumë mirë se çfarë është NATO”.
“Kjo është një situatë shumë komplekse në të cilën ekziston një palë e tretë e nxitësve – NATO. Serbia është një vend që mbështeti hapur Rusinë në luftën kundër nazizmit dhe satanizmit në Ukrainë. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, të cilin unë e njoh mirë, e kupton shumë mirë se çfarë është NATO dhe çfarë metodash përdor aleanca për të nxitur konflikte,”- ka shkruar Kadyrov.
Ai thotë se NATO “po përpiqet t’i korruptojë vendet me vlera tradicionale në një tufë njerëzish të ligj me instinkt kafshësh pa fe dhe nder”.
“Djali” çeçen i Putinit ia qau hallin “popullit mysliman të Kosovës”, duke thënë se për ta pasojat “do të jenë të mjerueshme”, ndaj u ka bërë këtë thirrje shqiptarëve, por edhe serbëve :
“U bëj thirrje serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës që ta largojnë Iblisin e NATO-s nga ekuacioni dhe të mendojnë për të ardhmen e tyre”:
“Nxirrni shejtanët e NATO-s nga ekuacioni juaj dhe mendoni për të ardhmen. Pastaj do të arrihet mirëkuptimi për problemin dhe zgjidhjen e tij. Ka shembuj të shkëlqyer të bashkëjetesës së njerëzve të feve dhe kombësive të ndryshme. Megjithatë, nuk ka shembull të mirë të bashkëjetesës me intervencionistët e NATO-s,”- mendon Kadyrov.
Ai pohon se në rast të një konflikti mes Serbisë dhe Kosovës, fituese do të jetë “Evropa progresive”:
“Ndërsa Ballkani do të luftojë njëri me tjetrin, i gjithë Perëndimi do të qëndrojë pas tyre dhe do t’u japë armë derisa ata të jetojnë në paqe. Vetëm herë pas here do të protestojnë kundër shkatërrimit të të drejtave të satanistëve dhe do t’i diktojnë botës prioritetet e tyre”,- ka shkruar ai.
Kush është Ramzan Kadyrov?
Kadyrov erdhi në pushtet në vitin 2007, tre vjet pasi babai i tij, ish-presidenti çeçen, Akhmad Kadyrov, u vra. Të dy luftuan në Luftën e Parë çeçene (1994-96) në anën e forcave pro-pavarësisë, por në Luftën e Dytë Çeçene (1999-2000) ndërruan anë dhe ndihmuan ushtrinë ruse t’i mposhte ata. Si rezultat, Çeçenia humbi pavarësinë e saj jetëshkurtër dhe u bë një nga rajonet e Federatës Ruse.
Që nga ardhja në pushtet, Kadyrov ka zhdukur opozitën politike dhe ka frenuar të drejtat dhe liritë e njeriut. Ai është akuzuar për urdhër të torturës dhe vrasjeve pa gjyq. Një varg vrasjesh të gazetarëve rusë dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut kanë qenë të lidhura me Çeçeninë, duke përfshirë vrasjen e Anna Politkovskaya në 2006 dhe Nataliya Estemirova në 2009, të cilat të dyja kishin kritikuar Kadyrov.
Një numër i kritikëve të tij çeçenë që kishin kërkuar azil jashtë vendit gjithashtu janë sulmuar dhe disa janë vrarë, duke përfshirë Sulim Yamadayev, një ish-komandant ushtarak çeçen dhe ish-truproja e Kadyrov, Umar Israilov.
Në vitin 2017, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj presidentit çeçen për shkak të historisë së tij të të drejtave të njeriut. Departamenti i Thesarit gjithashtu e lidhi atë me vrasjen e Boris Nemtsov në vitin 2015, një lider i shquar i opozitës dhe kritik i presidentit rus Vladimir Putin.
Represioni i ashpër i Kadyrov në Çeçeni ka shkaktuar pak reagim nga Moska. Sipas gazetarit dhe komentatorit politik rus Konstantin von Eggert, kjo është për shkak të marrëveshjes politike që Putin bëri me Kadyrov.
“Rusia nuk i fitoi dy luftërat çeçene. Rusia u mund”, tha Eggert.
Gjatë gjithë mandatit të tij 15-vjeçar si president i Çeçenisë, Kadyrov është paraqitur si një garantues i paqes, duke goditur separatistët dhe duke nisur operacione “anti-terrorizmi”. Ai gjithashtu ka demonstruar rregullisht përkushtimin e tij ndaj Putinit në retorikën dhe veprimtarinë e tij politike.
“Roli i Kadyrovit që kur u bë president ka qenë të tregojë besnikëri ndaj Putinit… dhe të shërbejë si një hajdut, një kërcënim i vazhdueshëm për armiqtë e Putinit”,- tha Eggert.
Në këmbim, Republika Çeçene ka gëzuar subvencione të konsiderueshme nga qeveria federale ruse, duke shkuar deri në 87 për qind të buxhetit të saj, të cilat nuk janë reduktuar edhe kur masat shtrënguese ishin vendosur në të kaluarën./ Agjencitë/