E shtunë, 24 Maj, 2025

SERBËT PËR LUFTËN NË UKRAINË: NEUTRAL, POR JEMI ME RUSINË!

Qëndrimet e qytetarëve serbë ndaj gjithçkaje që lidhet me luftën në Ukrainë kryesisht përputhen me mesazhet dhe narrativën që marrin nga mediat. Kjo është gjetja e një sondazhi  të opinionit publik të kryer, kohë më parë, nga organizata “Rruga e Tretë e Re”. Në këtë kontekst, transmeton KDP njoftimin e Zërit të Amerikës, sipas mendimit të qytetarëve serbë, NATO -ja është më përgjegjësja  për luftën në Ukrainë – 41 për qind mendojnë kështu, 53 për qind fajësojnë Perëndimin për luftën, 18 për qind mendojnë se njësoj janë fajtorë Perëndimi dhe Rusia, ndërsa 23 për qind e qytetarëve mendojnë se fajtore është Rusia.

Nga këndvështrimi i Serbisë ndaj konfliktit në Ukrainë – 46 për qind kanë qëndrimin se, nëse Beogradi nuk do të jetë më në gjendje të balancojë në  politikën e tij të jashtme, duhet të jetë në anën e Rusisë, ndërsa një e treta mendon se duhet të përcaktohet për Perëndimin.

Rreth tre të katërtat e të anketuarve mendojnë se Beogradi nuk duhet të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

“Një nga të intervistuarit më të moshuar përmendi se si kursi ynë i politikës së jashtme u shënua më së miri duke ndjekur programin e mëngjesit të ndonjërit nga televizionet shtetërore dhe një nga analistët tha – rusët ne na falënderohen shumë pse ne jemi neutralë dhe që po i mbështetim! Kështu që ata e përceptojnë këtë pozicion në kuptimin –  ne mbetemi neutral, por jemi me Rusinë”,  – tha hulumtuesi Dragoslav Rasheta.

Nga 1.285 të anketuarit, shumica e qytetarëve janë të shqetësuar për pozitën e Serbisë, dhe 53 për qind besojnë se ajo mund të ketë probleme për shkak të qëndrimeve të veta për politikën e jashtme. Ata që mbështesin rrugën evropiane të Serbisë janë në pakicë – në një referendum eventual, 53 për qind e qytetarëve do të votonin kundër hyrjes së Serbisë në BE, ndërsa 70 për qind kundërshton aderimin në NATO.

Duke analizuar mediat në mars dhe prill, hulumtuesit e organizatës ‘Rruga e Tretë e Re’ vënë në dukje se mediat gravituan më shumë kah Rusia, se ishin shumë më kritike ndaj Perëndimit, se mund të thuhet se ishin më shumë antiperëndimore sesa proruse.

“Nga rreth 18.000 artikuj që kemi përpunuar, nuk kemi gjetur asnjë që të përmend nëse ka fare inflacion në Rusi dhe sa është ai. Ndërsa  patëm disa qindra,  ndoshta edhe një mijë artikuj që trajtonin këtë çështje në vendet e BE-së”, – transmeton KDP deklaratën e hulumtuesit Rasheta për seksionin serb të Zërit të Amerikës.

Në mediat në Serbi gjatë luftës në Ukrainë,  pozitivisht janë paraqitur vetëm regjimet autoritare- në Rusi, Kinë, Bjellorusi dhe Turqi, kurse vetëm Franca ndër vendet perëndimore u portretizua pozitivisht.

Sipas një modeli të ngjashëm, përgjithësisht janë prezantuar shtetet në media –  më pozitiveisht shkruhet në media dhe në mendimet e qytetarëve për Rusinë, Kinën, Bjellorusinë, Hungarinë dhe Turqinë, ndërsa për vendet perëndimore kryesisht shkruhet në një kontekst negativ – më së shumti për Britaninë e Madhe dhe SHBA-në.

Në të njëjtën mënyrë pak a shumë  përmenden edhe liderët e këtyre shteteve, por është interesant edhe fakti se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, paraqitet më keq se shteti i Rusisë dhe se ka më shumë artikuj negativë për të.

Për Ukrainën pikëpamjet janë të matura, por udhëheqja dhe presidenti i këtij shteti, Volodymyr Zelensky, portretizohen keq dhe paraqiten si kukulla të Perëndimit.

Përveç shumicës që fajëson NATO-n për luftën, 15 për qind e të anketuarve konsiderojnë se arsyeja e luftës është denazifikimi dhe çmilitarizimi i Ukrainës, ndërsa 12 për qind çmon  se Rusia dëshiron të parandalojë gjenocidet në Donbas.

Nga ana tjetër, 13 për qind e qytetarëve mendojnë se Rusia po udhëheq një politikë imperialiste dhe nga dhjetë për qind e të anketuarve mendojnë se Moska dëshiron të pengojë Ukrainën të shkojë në Perëndim ose se dëshiron të zgjerojë territorin e saj për të përmirësuar pozitën e vet.

Çdo i pesti pjesëmarrës në hulumtim mendon se lufta në Ukrainë nuk do të përhapet përtej territorit të këtij vendi dhe të lutur që të përshkruajnë me një fjalë emocionet e tyre kur përmendet ky konflikt, qytetarët thanë se ndjejnë keqardhje, zemërim, shqetësim, indiferencë, pasiguri, frikë, por edhe drejtësi, shpresë apo gëzim./ VOA/

Të fundit