Shkruan: Xhelal Neziri
Shkupi dhe Tirana nisën edhe zyrtarisht procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE). Pas shumë pritjeve dhe taktizimeve, 19 korriku duket se riktheu shpresat për një perspektivë evropiane në dy vendet e Ballkanit Perëndimor. Me këtë fillon të përmbushet edhe vakumi i krijuar pas mungesës së kapacitetit të liderëve të BE-së që zgjerimin ta çojnë drejt kompletimit edhe me gjashtë vendet e rajonit, të cilët ka kohë që presin para dyerve të Unionit.
Maqedonia e Veriut e para nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim-Associimit në vitin 2001 dhe fitoi statusin e vendit kandidat në vitin 2005, kur Serbia dhe Mali i Zi ende ishin një federatë. Në vitin 2009 mori rekomandimin e parë të Komisionit Evropian (KE) për fillimin e negociatave, i cili u përsërit çdo vit deri më tash, por negociatat u pamundësuan shkaku i vetos nga Greqia për emrin (2008-2018), nga Franca për Metodologjinë e re (2019-2020) dhe nga Bullgaria (2020-2022).
Shqipëria, ndërkaq, ka fituar statusin kandidat nëntë vite pas Maqedonisë së Veriut – në 2014, kurse rekomandimin e parë nga KE për hapje të negociatave e ka marrë në vitin 2018. Që atëherë, edhe Shqipëria është në pritje të nisjes së negociatave fillimisht shkaku i bllokadës franceze, e më pastaj të asaj bullgare, për shkak se ishte në dyshe me Maqedoninë e Veriut.
Mali i Zi fillimisht lëvizi më shpejtë drejt integrimit në BE: në 2006 shpalli pavarësinë, në 2010 mori statusin e vendit kandidat, në 2011 KE i rekomandoi nisjen e negociatave dhe në 2012 u realizua mbledhja e parë ndërqeveritare Bruksel-Podgoricë. Serbia, ndërkaq, në vitin 2012 mori statusin e vendit kandidat kurse në vitin 2014 filloi negociatat për anëtarësim me BE-në. Edhe pse kanë filluar negociatat para gati një dekade, të dy vendet kanë arritur një përparim të vogël në proces. Nga 33 kapituj, Mali i Zi ka mbyllur vetëm 3, kurse Serbia nga 35 kapituj ka mbyllur vetëm 3. Kapitulli i 35-të për Serbinë ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, që i bie se para se të arrijë anëtarësimin e plotë duhet të ketë një marrëveshje me Prishtinën.
Kosova dhe Bosnja e Hercegovina (BeH) janë në grupin që është më larg në procesin integrues. Kosova në vitin 2016 arrin Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në, kurse në vitin 2012 nis bisedimet për liberalizim të vizave. Përparim i vetëm ka qenë vendimi i KE-së në vitin 2018 se Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizim të vizave, por ky vendim ende është në pritje për miratim nga Parlamenti Evropian (PE). Për dallim nga Kosova, BeH në vitin 2016 ka aplikuar për statusin kandidat, me çrast Këshilli i BE i ka vënë si parakusht një listë me 14 prioritete, që nënkuptojnë reforma për funksionalizimin e shtetit para se të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim.
Të gjitha këto ngecje në integrimin e një rajoni 18 milionësh (sa gjysma e Rumanisë) kanë krijuar një vakum gjeopolitik, i cili tentohet të mbushet nga Rusia, Kina dhe aktorë tjerë të Lindjes. Lufta në Ukrainë e ka sjellë rrezikun gjithnjë më afër BE-së, e cila ka vështirësi të parandalojë këto ndikime malinje në një rajon turbulent që paraqet burim konfliktesh, siç është Ballkani. Në vlugun e luftës, pra në shkurt të këtij viti, Ukraina aplikoi për statusin kandidat në BE, duke kërkuar anëtarësim të plotë nëpërmjet një procedure të përshpejtuar. Në qershor Këshilli i BE i dha statusin e vendit kandidat, por nuk dihet se kur do të nisë negociatat dhe sa do të zgjasë i tërë procesi i integrimit.
Me këtë BE dhe Rusia u futën në një garë të hapur për të definuar kufijtë e zonave të interesit, gjë që sjell rrezik për ringjalljen e fantazmave të luftërave edhe në Ballkan, ku ndikimi rus mbetet i fuqishëm. Ky ndikim i aktivizoi të gjitha strukturat pro-Ruse në Maqedoninë e Veriut, të cilat tentuan të parandalojnë miratimin e Propozimit Francez për tejkalim të mosmarrëveshjes Shkup-Sofje, njëjtë siç tentuan të bllokojnë arritjen e Marrëveshjes së Prespës me Greqinë në vitin 2018. Lajmet e rreme u përdorën si katalizator për mobilizim të strukturave nacionaliste edhe në protestat e organizuara nga parti anti-NATo dhe anti-BE. Mediat dhe organizatat, që vlerësohet të kenë simpati ndaj Rusisë, fillimisht ndërtuan rrëfimin se marrëveshja Shkup-Sofje në fakt është marrëveshje shqiptaro-bullgare për zhbërjen e identitetit etnik të maqedonasve. Në ndërtimin e këtij narrativi u përdorën shumë lajme të rreme dhe propagandë sipas recetës ruse. Pati tentim që problemi të bartet në rrafshin ndëretnik dhe nëpërmjet nxitjes së një konflikti midis dy etnive më të mëdha në vend të arrihet synimi për bllokimin e Propozimit.
Për fat të mirë kjo nuk ndodhi. Megjithatë, një moment tjetër delikat do të jetë ndryshimi i Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut me qellim të përfshirjes së bullgarëve etnikë në të. Qeveria aktuale numëron 64 deputetë, kurse mund të llogarisë edhe në 10 deputetët e partive opozitare shqiptare. Për të ndryshuar Kushtetutën nevojitet shumicë e kualifikuar, apo dy të tretat e numrit të përgjithshëm të deputetëve, që në numra i bie së paku 80 vota nga 120 në total. Qeverisë i mungojnë 6 deputetë kurse ndryshimi i Kushtetutës është një nga obligimet kryesore që janë marrë me Propozimin Francez. Ky ndryshim pritet të ndodhë pas një viti, pasi të nisin negociatat me BE-në dhe të realizohet skriningu i ligjeve, ndërkohë që hapja e kapitujve apo klastereve kushtëzohet pikërisht nga ky ndryshim kushtetues. Ky moment mund të sjellë tensione të reja, të cilat ka rrezik të barten edhe në rrafshin ndëretnik.
Teksti fillimisht është publikuar në The Geopost