E shtunë, 24 Maj, 2025

ZIGZAG: THIRRAVAJET E AKADEMIKËVE MAQEDONAS

Këtyre ditëve të nxehta, kur reshtën protestat, kanë nisë të bëhen gjithnjë e më të zhurmshëm – akademikët! Maqedonas! Në emër të kauzës së ‘rrezikuar’ kombëtare! I pari i tyre, , Lupço Kocarev, paralajmëron ‘tërmet shkencor’ për në shtator! ‘Maqedonia dëshiron të jetë pjesë e familjes së BE-së, ajo tashmë është pjesë e NATO-s, por maqedonasit në llogari të kësaj humbën gjithçka – identitetin e tyre, gjuhën e tyre dhe përkatësinë e tyre etnike, veçori këto që kanë vlerë të paçmueshme për çdo qëllim. Prandaj,  e humbura duhet të rikthehet. Dhe duhet bërë patjetër. Në të kundërtën, pse dhe kujt i duhen BE-ja dhe NATO – ja – emri maqedonas nuk duhet dhe nuk do të humbasë. Kjo varet nga ne. Bashkohuni!’ – përfundon kushtrimin për në vjeshtë kryeakademiku maqedonas që për zgjerimin e radhëve të MANU-së me shqiptarë të cilët kanë emër e mbiemër, as që denjon të dëgjojë e lëre më të veprojë!

 

Shkruan: Seladin XHEZAIRI

 

Çfarë e bashkon SANU-në dhe MANU-në (Akademinë Serbe të Shkencave dhe Arteve dhe Akademinë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve)? Do thoni: Shkenca dhe Artet! N’cëk! I bashkojnë memorandumet që kush më shumë e kush më pak u mëshojnë shqiptarëve. Jo të tjerëve. Dhe, përderisa Memorandumi i SANU-t tashmë është emërtuar si guzhina e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, memorandumet maqedonase gëlojnë nga histeria ‘akademike’ antishqiptare! Logjika e thotë, se në shënjestër do të duhej të ishin, ta zëmë, serbët, bullgarët e grekët, për shkak se edhe nga Athina, edhe nga Sofja, edhe nga Beogradi, historikisht kanë ardhur stuhi e shtrëngata politiko-ushtarake për të mbytur e zhbërë ‘punët maqedonase’, ndërkohë që nga shqiptarët, po ashtu, historikisht nuk ka munguar dora e bashkëpunimit.

Thuaja se shqiptarët kanë ndërmarrë ndonjë pogrom, thuaja se shqiptarët kanë tentuar e tentojnë ndryshimin e historisë kombëtare të bashkëqytetarëve tanë maqedonas!

Në vlugun e përplasjeve për shkak të çeljes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe gjithë asaj që i parapriu këtij hapi historik, javën që lamë pas, anëtarja e MANU-së, Katica Qullavkova, e pyetur se si ka për t’u quajtur ky institucion i lartë – Akademia Kombëtare e Shkencave dhe e Arteve  apo Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Maqedonisë së Veriut, pa një pa dy, drejtoi gishtin, jo nga Marrëveshja e Prespës, jo nga Athina, por nga – shqiptarët, përkatësisht nga ‘Platforma e Tiranës’! Qullavkova në intervistën për Kanal5 qëllimisht i bishtnon detyrimit për ndryshimin e emrit  që del nga Marrëveshja me Greqinë dhe argumenton kundër kërkesës së shqiptarëve që emrat e institucioneve të reflektojnë përbërjen etnike të popullsisë. Për më tepër ajo bëhet zemërgjerë dhe u tregon udhën shqiptarëve që të bëjnë, sikurse thotë krijuesja dhe studiuesja e letërsisë, akademinë e tyre të tretë!

Dhe, margaritarët akademik nuk përfundojnë këtu dhe – me kaq: Kreu i MANU-së, Lupço Kocarev, në një kolumnë të fundit, sikurse pranon, i frymëzuar nga distopia e Orvellit, nisur nga hamendja e tij ‘se më 2084 Maqedonia pjesërisht do të bëhet anëtare me të drejta të plota e BE-së’, tërheq vërejtjen se atëherë, ‘duke marrë parasysh kushtet momentale, thuajse është e sigurt se në shtetin e Maqedonisë nuk do të jetojnë më maqedonas’! Ata, thotë kryeakademiku maqedonas, do të jenë tërësisht të zhbërë!

‘Maqedonia dëshiron të jetë pjesë e familjes së BE-së, ajo tashmë është pjesë e NATO-s, por maqedonasit në llogari të kësaj humbën gjithçka – identitetin e tyre, gjuhën e tyre dhe përkatësinë e tyre etnike, veçori këto që kanë vlerë të paçmueshme për çdo qëllim. Prandaj,  e humbura duhet të rikthehet. Dhe duhet bërë patjetër. Në të kundërtën, pse dhe kujt i duhen BE-ja dhe NATO – ja – emri maqedonas nuk duhet dhe nuk do të humbasë. Kjo varet nga ne. Bashkohuni!’ – përfundon kushtrimin për në shtator kryeakademiku maqedonas që për zgjerimin e radhëve të MANU-së me shqiptarë të cilët kanë emër e mbiemër, as që denjon të dëgjojë e lëre më të veprojë!

Të fundit