E enjte, 22 Maj, 2025

NEGOCIATAT ME SHUMË SFIDA, A DO TA PËRMBYLLË KJO DEKADË ANËTARËSIMIN NË BE?

Maqedonia sapo ka filluar zyrtarisht fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, pas një sage gati dy dekadëshe. Procesi i negociatave pritet të jetë i vështirë dhe me shumë sfida. Analisti Qenan Aliu thekson se procesi i integrimit përgjithësisht ka qenë dhe është zhvillim i gjatë dhe i mundimshëm. Praktika ka dëshmuar se negociatat zgjatin disa vite. Sipas tij, ky establishment duhet të kërkojë ndjesë për këtë vonesë dhe të reflektojnë të gjithë e jo të shesin broçkulla e të përvetësojnë merita. “Nëse punët vijojnë me bashkëpunim të ndërsjellë mes pozitës dhe opozitës për këtë rrugëtim, vendi ka gjasë të arrijë anëtarësimin e plotë këtë dekadë”, thekson Aliu

Shkruan: Enis Shaqiri

Saga e Maqedonisë së Veriut, që nga anëtarësimi në NATO, më 27 mars 2020, po vazhdon edhe me një hap tjetër të rëndësishëm, hapjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Pas miratimit me 68 vota për, dhe asnjë kundër, Kuvendi të shtunën, i tha PO propozimit francez, propozim ky, që për më tepër i hap rrugë integrimit të mëtejshëm evropian të Maqedonisë së Veriut.

Pas 17 viteve përpjekje, të martën, më 19 korrik në selinë e BE-së, në Bruksel, ka vijuar edhe Konferenca e parë Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian, ku Maqedonia e Veriut mori dritën jeshile dhe tashmë edhe zyrtarisht po negocion për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian.

Ndërkaq, sa do të jetë e lehtë ose e vështirë rruga drejtë BE-së, dhe kur realisht RMV mund të bëhet anëtare e plotë BE-së mbetet një pyetje që e preokupon opinionin. Në një prononcim për KDP, analisti Qenan Aliu, thekson se proceset integruese të Bashkimit Evropian, gjithmonë kanë qenë të gjata dhe përplot sfida, ndërkaq RMV sapo ka nisur procesin e screeningut , të sistemeve juridiko-politike dhe ekonomike dhe jo hapje të negociatave.

Procesi i integrimit përgjithësisht ka qenë dhe është zhvillim i gjatë dhe i mundimshëm. Praktika ka dëshmuar se negociatat zgjatin disa vite. RMV dikur ishte pas Kroacisë në procesin paraqasës, por zhvillimet e ndodhura në vend e bënë që të stagnojmë deri më tani në këtë rrugëtim. Ajo që duhet theksuar ka të bëjë me faktin se qeveritë risin pritshmëritë tek qytetarët për poenë politikë, ndërkaq ky rrugëtim kërkon transparencë dhe angazhim e dialogim të vazhdueshëm pozitë/opozitë që procesi të ketë mbarëvajtje, në të kundërtën gjithçka do të ishte në frenim të procesit. Pra edhe tani duhet thënë e vërteta e ajo konsiston me faktin se tani RMV nisi procesin e skriningut analitik të sistemit juridiko-politik dhe ekonomik të vendit e jo çelje të negociatave”,  thotë Aliu.

Ndryshe, sipas Aliut , në rast se do të ketë bashkëpunim të ndërsjellë ndërmjet pushteti dhe opozitës, vendi me shumë gjasë do të arrijë anëtarësimin e plotë këtë dekadë, ndërkaq, në të  kundërtën sipas tij, mund të jemi fatkeq që Bashkimi Evropian të pësojë reformatim në organizimin e saj.

Pra ky establishment duhet të kërkojë ndjesë për këtë vonesë dhe të reflektojnë të gjithë e jo të shesin broçkulla e të përvetësojnë merita. Nëse punët vijojnë me bashkëpunim të ndërsjellë pozitë/opozitë për këtë rrugëtim vendi ka gjasë të arrijë anëtarësimin e plotë këtë dekadë që pason. Në të kundërtën mund të jemi fatkeq që BE të pësojë reformatim në organizimin e saj dhe ku me ditë se në cilin rang të shteteve do të ishim”, thotë Aliu. Sipas tij, mbase RMV dhe Shqipëria janë vendet e para që do të negociojnë sipas metodologjisë së re të BE e cila në disa dimensione është më rigoroze. “Ndërkaq gjatë rrugëtimit secili shtet anëtarë ka mundësinë nëse ka argumentimin për të vendosur veto edhe atë gjatë hapje së kapitulli ,gjatë mbylljes së kapitullit për çdo kapitull të procesit dhe më në fund për mbylljen e negociatave, pra nëse ka veto nuk mbyllen negociatat. Metodologjia e re mbase mundëson ecje pak më të shpejtë por nga ana tjetër mundëson edhe rikthim në kapitullin e kaluar nëse vendi dështon në politikat përkatëse p.sh. të sundimit të së drejtës, demokracisë, liritë etj, ” thotë analisti Aliu

Ai më tej shton se me shumë gjasë procesi i screeningut  do të zgjasë deri në dy vite, dhe se opozita duhet që të kthjellet kundrejt këtij procesi shumë të rëndësishëm për vendin.

Pra procesi i skriningut do të zgjasë prej një e gjysmë deri në dy vjet edhe sikur MV ndryshimet kushtetuese për inkorporimin e komunitetit bullgar t’i bëjë pas pesë muajve. Ajo që ka të drejt qeveria ka të bëjë me faktin se filloi ky proces mjaft i rëndësishëm për vendin dhe asgjë më shumë e as më pak. Ndërsa eufemizmat e përdorura nga qeveria janë vetëm broçkulla politike dhe asgjë më tepër. Kurse opozita duhet të kthjellet dhe të kohabitojë me kapacitet të plotë për këtë proces shumë të rëndësishëm për vendin, ” ka thënë Qenan Aliu.

Kujtojmë që Shkupi zyrtar  për të hapur negociatat e pranimit do të duhet që të ndryshojë edhe Kushtetutën dhe ta bëjë pakicën bullgare, si pjesë përbërëse të vendit. Ndërsa shqetësimet kryesore të Sofjes kanë të bëjnë me zbatimin e ngadaltë të Traktatit të Miqësisë, të nënshkruar mes dy shteteve në vitin 2017.

Boris Georgievski, drejtues i redaksisë në gjuhën maqedonase në DW, ka theksuar se të diskutueshme nuk janë vetëm futja e bullgarëve në Kushtetutë, por sipas tij edhe çdo gjë tjetër që Bullgaria kërkon nga fqinji i tij në Ballkan.

Pjesa më e madhe e maqedonasve në Maqedoninë e Veriut janë ofenduar, sepse Bullgaria nuk i njeh ata si komb dhe nuk e pranon gjuhën e tyre. Me ndihmën e Francës, e cila mban kryesinë e BE dhe të vendeve të tjera europiane, Bullgaria ka arritur të imponojë interpretimet e veta të ngjarjeve historike si kusht për progresin e Maqedonisë së Veriut në negociatat me BE, Negotiating Framework, dokumentin bazë dhe udhërrëfyesin që duhet të shoqërojë Maqedoninë e Veriut në procesin e bisedimeve me BE. ” ka thënë Boris Georgievski.

Të fundit