Në një anketë të realizuar nga Forumi Rinor – Krushevë, në të cilën kanë marrë pjesë më shumë se 440 të rinj nga i gjithë vendi, 4 nga 10 të rinj thanë se do të largoheshin nga vendi për shkak të nivelit të korrupsionit. “Është e qartë se sipas kësaj analize, korrupsioni është një nga problemet më të mëdha të vërejtura nga të rinjtë dhe pjesë e zgjidhjes është angazhimi i plotë për ndërtimin e një shoqërie transparente”, ka theksuar Anelia Mitrova, koordinatore e projektit në Forumin Rinor. Nuri Bajrami nga Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit thotë se të rinjtë me përgjigjet e tyre nuk janë larg perceptimit të gjendjes reale me korrupsionin dhe pasojat prej tij në RMV. Ndërsa, sipas kryetarit të Këshillit Rinor Lokal – Tetovë, Olti Esatit, problemet me korrupsionin duhet të trajtohen në mënyrë serioze duke mbajtur trajnime nga organet kompetente për identifikimin dhe denoncimin e këtij problemi.
Shkruan: Fatjona Abdullahi
Në analizën e bërë nga Forumi Rinor – Krushevë, në të cilën kanë marrë pjesë më shumë se 440 të rinj nga i gjithë vendi, 4 nga 10 të rinj thanë se do të largoheshin nga vendi për shkak të nivelit të korrupsionit, ndërsa çdo i treti i ri u shpreh se korrupsioni është motivi kryesor për t’u bashkuar dhe për të kontribuar në luftën kundër veprimeve korruptive. Vetëm 4% janë shprehur se kjo situatë i bën ata të bëhen pjesë e zinxhirit të korrupsionit.
Të rinjtë e vlerësojnë luftën e përbashkët në nivel nacional kundër korrupsionit me dysh (2), ndërsa është inkurajues fakti që pothuajse dy të tretat e tyre (64%) kanë deklaruar se deri tani nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në aktivitete korruptive. Në pyetjen se si e identifikojnë korrupsionin, të rinjtë e anketuar në përqindjen më të madhe deklaruan se për ta, korrupsioni paraqitet si “para në indeks për profesorin” (57%), një e treta se është punësim partiak dhe përqindja më e vogël se është “kafe dhe bonbone për mjekun” (7%), d.m.th. “dhuratë deri në 1000 denarë” (3%).
Nga anketimi rezulton se të rinjtë më së shumti shqetësohen nga korrupsioni në sferën e drejtësisë (58%), të shëndetësisë (27%) dhe të administratës shtetërore (18%), ndërsa më së paku e identifikojnë si problematikë me policinë (7%). Pothuajse të njëjtë në numër ishin ata që thanë se janë të njoftuar me kanalet përmes të cilave mund të luftohet korrupsioni me ata që deklaruan se nuk kanë informacion të tillë.
Sa i takon udhëheqësisë, për të rinjtë është më e rëndësishme që drejtuesit të jenë të vendosur dhe të drejtë (mbi 50%), transparentë (mbi 15%) dhe më së paku duan të jenë autoritativë (6%).
“Është e qartë se sipas kësaj analize, korrupsioni është një nga problemet më të mëdha të vërejtura nga të rinjtë dhe pjesë e zgjidhjes është angazhimi i plotë për ndërtimin e një shoqërie transparente. Promovimi i aktivitetit rinor dhe ngritja e zërit të të rinjve është synimi ynë kryesor në realizimin e këtij projekti. Përveç kësaj, përmes këtyre dhe aktiviteteve të ngjashme, ne kontribuojmë në ngritjen e njohurive dhe ndërgjegjësimit tek të rinjtë për rëndësinë e proceseve të transparencës dhe llogaridhënies në vendimmarrje nga autoritetet në nivel kombëtar dhe lokal”, thotë Anelia Mitrova, koordinatore e projektit në Forumin Rinor.
Sjellja korruptive rrënon besimin në institucionet e sistemit
Nuri Bajrami nga Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit thotë se korrupsioni është dukuri devijante dhe e shëmtuar që paraqitet në më shumë forma dhe lidhet me faktorë të ndryshëm ekonomikë, juridikë, politikë, sociologjikë, e të tjerë në shumë vende të botës. Efektet negative shtrihen në sektorin publik, privat dhe shoqëror. Sjellja korruptive e rrënon besimin në institucionet e sistemit, shfrytëzimin efikas të resurseve publike dhe paraqet kërcënim për demokracinë dhe realizimin e të drejtave njerëzore për arsye se shkakton erozionin e sistemit shtetëror dhe të vlerave shoqërore. Ai shprehet se integriteti dhe korrupsioni janë dy dukuri të kundërta, gjegjësisht çdo veprim korruptiv nënkupton cenimin e integritetit, qoftë individual apo institucional. “Ndërsa integriteti dhe kualiteti i veprimit në pajtim me vlerat morale dhe normat e gjithëpranuara janë në dobi të interesit publik që nënkupton mbrojtjen e lirive themelore dhe të drejtave të njeriut dhe qytetarit të njohura me të drejtën ndërkombëtare dhe të përcaktuara me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë. Me korrupsion, në aspekt të Ligjit për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesave, nënkuptohet keqpërdorimi i funksionit, autorizimit publik, detyrës apo pozitës zyrtare për realizimin e dobisë, drejtpërdrejt ose nëpërmjet ndërmjetësuesit, për vete ose për tjetër person”.
I pyetur nga KDP-ja për rezultatet e dala nga analiza e sipërpërmendur, Bajrami shprehet se të rinjtë me përgjigjet e tyre nuk janë larg perceptimit të gjendjes reale, me korrupsionin dhe pasojat prej tij në RMV.
“Korrupsioni sipas indikatorëve që burojnë nga analizat e bëra nga më shumë faktorë relevantë në shoqëri, në formën e vetë aktive dhe pasive, është prezent në RMV në nivel akoma shumë të lartë. Korruptimi, kriminalizimi, përfitimi i dobisë në favor të personave të caktuar dhe dështimi i Prokurorisë speciale është indikator eklatant që tregon se në RMV ekziston një kontaminim kolektiv korrupriv në të gjitha sferat e nivelet e sektorit publik, për shkak të politikave të gabuara partiake dhe kadrovike, si dhe mungesës së integritetit moral, intelektual dhe profesional.”
Dominimi i interesit partiak mbi atë shtetëror
Bajrami konsideron se në vazhdimësi dominon në mënyrë të vrazhdë interesi partiak mbi atë shtetëror dhe se nde nuk është e qartë deri ku shtrihet kufiri i rrezikut apo vija e kuqe në mes të interesit partiak dhe shtetëror.
Gjatë punës së deritanishme të Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit janë konstatuar një mori dobësish sistemore të cilat Bajrami i thekson si në vijim:
– Rregullativë ligjore voluminoze, kontradiktore, jokoherente dhe jokonzistente;
– Administratë e politizuar dhe e pareformuar;
– Ndikim politik gjatë punësimeve në sektorin publik, punësime të përkohshme me keqpërdorimin e autorizimeve diskrecionale pa kritere të qarta të përzgjedhjes së kandidatëve, pa arsyetim të qartë të nevojave, një ngarkesë kjo irracionale për buxhetin shtetëror;
– Mosistemimi në vende pune i rreth 1500 të punësuarve sipas Marrëveshjes kornizë të Ohrit, që me vite mbetën në shtëpi dhe merrnin rroga nga buxheti i shtetit, paraqet shembull të keq për të rinjtë pasi është formë e vrazhdë e korrupsionit në politikë;
– Angazhimi në mënyrë jotransparente i këshilltarëve të jashtëm dhe të posaçëm të bartësve të funksioneve shtetërore dhe publike;
– Jotransparencë dhe joefikasitet në procedurat e punësimit dhe punën e organeve të rendit, me arsyetim në emër të informatave të klasifikuara;
– Hetuesi joefikase, selektive dhe procedura të stërzgjatura gjyqësore,
-Shpenzime joracionale, jotransparente dhe të paargumentuara në emër të kompensimeve dhe shtesave në rroga të bartësve të autorizimeve publike;
– Sistem jokonsistent i menaxhimit të furnizimeve publike;
– Shfrytëzim jorracional dhe jotransparent i automjeteve zyrtare;
– Rezistencë në implementimin e vendimeve dhe veprimit sipas iniciativave të KSHPK-së.
Por sa i takon qasjes së të rinjve sipas rezultateve të analizës së bërë nga Këshilli Rinor – Krushevë, rezulton se ata nuk janë pesimistë dhe kjo mund të jetë edhe si rrjedhojë e mosinformimit me gjendjen reale në mënyrë të mjaftueshme. “Institucionet shtetërore, publike si edhe trupat e pavarur në RMV deri më tani lidhur me edukimin e të rinjve në sfera dhe fusha të ndryshme më tepër veprojnë sipas projekteve të financuara nga mjete të shoqatave dhe fondacioneve të ndryshme sesa në mënyrë sistemore dhe edukim të rregullt si pjesë e procesit edukativo-arsimor, andaj edhe rezultatet e perceptimit dhe rekrutimit të të rinjve në luftën kundër korrupsionit dhe ndërtimit të integritetit personal janë me tepër të rastit dhe stihike, sesa sistemore”, deklaron Bajrami.
Nevoja për ngritjen e vetëdijes për luftën kundër korrupsionit
I pyetur se si mund të ndikohet drejtpërdrejt në edukimin e të rinjve rreth akteve korruptive, detektimit të tyre dhe parandalimit, Nuri Bajrami si përfaqësues i Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit në vend, thotë se KSHPK-ja në bazë të punës me projekte të caktuara si dhe gjatë punës së rregullt rrjedhëse ka realizuar fushata konkrete për ngritjen e nivelit të vetëdijes, përforcimin e njohurive lidhur me korrupsionin dhe dukuritë devijante si pasojë e tij me nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në disa komuna në RMV.
Megjithatë për rezultate më të dukshme ai konsideron se nevojitet një përpjekje e gjithanshme e institucionale, kolektive dhe gjithsesi individuale. “Për një luftë efikase kundër korrupsionit dhe konfliktit të interesit në formën e nepotizimit, kronizmit dhe klientelizmit që paraqet derë të hapur për veprime korruptive, Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit është vetëm një pararojë në luftën kundër korrupsionit dhe konfliktit të interesave. Për një luftë efikase kundër korrupsionit përkrah KSHPK-së duhet të formohet një front i gjerë shoqëror, medial dhe publik që do të kontrollonte çdo hap dhe veprim të personave zyrtarë dhe paraqitjen e rasteve me dëshmi konkrete në organet kompetente dhe tek KSHPK-ja, front i cili do të rekrutonte në vete një forcë progresive, kritike, apolitike dhe civile që do të ishte një korrektor koherent i dukurive devijante korruptive që cenojnë rendin dhe interesin publik. Për momentin për fat të keq një front i tillë nuk ekziston, rreshtimi ende është politik dhe klientelist, reagimi ndaj dukurive korruptive akoma bëhet për favore dhe nevoja personale e individuale, e jo në favor të interesit publik.
“Vazhdon agonia dhe folklori lidhur me reformat në sektorin publik. Duhet qasje krejtësisht ligjore dhe profesionale në konceptimin, hartimin dhe zbatimin e reformave, veçanërisht në sektorët më të ndjeshëm publik, siç janë MPB, sistemi hetues dhe gjyqësor, doganat, arsimi dhe shëndetësia të bazuara kryesisht në vendosjen pa alternativë të sistemit të punësimeve, avancimeve dhe përsosjes profesionale në bazë të meritave dhe vendosjen sipas principit të njëjtë të udhëheqjes dhe menaxhimit me institucionet shtetërore dhe publike, si themel për qeverisje të mirë dhe sundimin e së drejtës. Duhet të vendoset vijë e kuqe e qartë që do të shenjëzojë ku mbaron politika dhe ku fillon menaxhimi profesional me interesin publlik”, rithekson Bajrami.
Ai më tej shton se të gjitha dobësitë, me aktivitete dhe masa konkrete janë vendosur në Strategjinë nacionale kundër korrupsionit dhe konfliktit të interesave të hartuar nga KSHPK-ja dhe të sjella nga Kuvendi i RMV-së në prill të vitit 2020. Për implementimin e saj dhe për ecurinë e punëve gjatë realizimit të kompetencave të veta, KSHPK-ja deri më tani ka hartuar dhe dorëzuar në kuvend 3 raporte vjetore pune dhe raportin e parë për implementimin e aktiviteteve dhe masave të përcaktuara në Strategjinë nacionale për vitin e parë pas sjelljes së saj, ku shihet qartë se implementimi nuk tejkalon 20% dhe flet qartë se ende jemi larg luftës së mirëfilltë kundër korrupsionit të manifestuar me shkelje dhe implementim joadekuat të ligjeve, keqpërdorime të autorizimeve publike, ndikim politik në punësime dhe menaxhim të institucioneve.
Identifikimi dhe denoncimi i korrupsionit
Ndërkaq, sipas Olti Esatit kryetarit të Këshillit Rinor Lokal – Tetovë, këto rezultate janë të përfillshme dhe të konsiderueshme dhe identifikimi i korrupsionit në instanca të ndryshme shtetërore dhe ato lokale nga të rinjtë është problematik për shkak se gjatë akteve korruptive palët e përfshira hezitojnë të denoncojnë korrupsionin në organet kompetente, kështu që të dyja palët janë të kënaqura dhe puna kryhet sipas marrëveshjeve interne.
“Nga rezultatet 40% (4/10) të rinj janë deklaruar që do të largohen nga vendi shkaku i nivelit të korrupsionit, që do të thotë se kjo nuk është një arsye e mirëfilltë për të migruar. Problemet me korrupsionin duhet të trajtohen në mënyrë serioze duke mbajtur trajnime nga organet kompetente për identifikimin dhe denoncimin e këtij problemi. Nga të rinjtë lufta kundër korrupsionit është vlerësuar me (2/10), që do të thotë se aparatet shtetërore janë në nivele jashtëzakonisht të ulëta rreth luftimit të kësaj dukurie, edhe në raportet e Bashkimit Evropian problemet me korrupsionin vendosen si ndër problemet më serioze që ka Republika e Maqedonisë së Veriut”, shprehet Esati.
Sipas tij për t’u vlerësuar është fakti që 64% nga të rinjtë e anketuar kanë deklaruar që deri tani nuk kanë qenë drejtpërdrejt pjesëmarrës në akte korruptive, por megjithatë ngelet 36% tjetër, që sipas tij është vlerë shqetësuese.
“Në pyetjen se si identifikohet korrupsioni, janë përgjigjur simbolikisht, që do të thotë se të rinjtë identifikojnë korrupsione vetëm në sferën ku ata janë të kyçur drejtpërdrejt si për shembull në sferën e arsimit, shëndetësisë duke anashkaluar drejtësinë, policinë, administratën etj. Sa i përket përgjegjësisë së udhëheqësive, plotësisht pajtohem me përgjigjen e tyre por duhet të kemi parasysh që jo gjithmonë udhëheqësitë kanë kontrolle të plota mbi të punësuarit sepse marrëveshja e akteve korruptive në shumicën e rasteve arrihet jashtë institucioneve shtetërore dhe janë shumë të vështira për t’u identifikuar nga organet kompetente. Lufta kundër korrupsionit ka qenë, është dhe do të jetë një ndër sfidat më të mëdha si për shtetin ashtu dhe për ne si të rinj. Bashkëpunimi i të rinjve me organet kompetente dhe rritja e nivelit të besueshmërisë në këto organe (mbajtja e informatave në konfidencë) besoj që do të ishin një ndër hapat e parë të zinxhirit për luftimin ndaj kësaj dukurie” thotë Olti Esati.
Analiza në të cilën morën pjesë mbi 440 të rinj u realizua nga Forumi Rinor – Krushevë në periudhën prill-qershor 2022, me mbështetjen e Institutit Nacional Demokratik (National Democratic Institute) NDI dhe NED.