E premte, 19 Korrik, 2024

AKADEMIK BEXHETI: JAM KUNDËR AMNISTIVE FISKALE, POR EDHE EVROPA KOT I BIE NË QAFË RAMËS

Akademiku Abdulmenaf Bexheti, i cili është Rektor i Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL) me qendër në Tetovë, ka alarmuar autoritetet shqiptare se amnistia fiskale mund t’iu sjellë më shumë dëm sesa përfitime.   

Në një intervistë për KDPolitik.com, e realizuar në kuadër të projektit “Balkanview” të Institutit BIRC, Bexheti rendit edhe arsyet se pse ky projekt është i rrezikshëm për Shqipërinë.

“Në parim jam kundër aministive fiskale si koncept për tre arsye: e para – sepse nëse një herë e jepni atë krijoni pritshmëri për një tjetër të radhës, e dyta – i sanksiononi të rregulltit apo të disiplinuarat, kurse i shpërbleni të çrregulltit apo abuzuesit, dhe e treta – janë lëvizje që nxisin larje parash, sidomos në këto përmasa që i parasheh Shqipëria që shkojnë deri në 2 milionë euro me një tarifë prej 7-10 për qind”, nënvizoi Bexheti.

Qeveria e Shqipërisë, e drejtuar nga Edi Rama, në fillim të muajit ka shpalosur projekt-ligjin për amnisti fiskale, i cili parasheh të ftojë shtetas shqiptarë apo të huaj të deklarojnë para që supozohet se janë fituar përmes evazionit fiskal, kontrabandës apo mashtrimit fiskal, me kushtin që të paguajnë një taksë minimale që fillon nga 5 deri në 10 për qind të shumës së deklaruar. Propozohet që subjektet përfituese të mund të deklarojnë deri në 2 milionë euro për familje dhe do të përfitojnë automatikisht amnisti nga përndjekja penale për krimet që janë kryer në krijimin e kësaj pasurie.

I gjithë projekti u shpalos disa ditë para se Shqipëria, bashkë me Maqedoninë e Veriut, të fillojë negociatat për anëtarësim përmes mbajtjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare në Bruksel. Paraprakisht, Komisioni Evropian shprehu shqetësime serioze për projektin e qeverisë shqiptare, ndërkohë që ambasadorë të vendeve evropiane në Tiranë lëshuan demostrativisht debatin mbi këtë ligj në momentin kur Rama mori fjalën.

“Komisioni nënvizoi shqetësime serioze për draftin aktual të ligjit për amnisti fiskale. Ai do të dobësonte kontrollet e Shqipërisë kundër pastrimit të parave, ndërkohë që do të bënte pak për të rritur aftësinë e administratës tatimore për të përmirësuar pajtueshmërinë e ardhshme lidhur me kërkesat tatimore,” thuhet në njoftimin për shtyp”, thuhet në njoftimin e Komisionit Evropian.

Ndërkohë që Rama nuk tërhiqet nga projekt-ligji, Akademik Bexheti thotë se nuk është dakord me Evropën që “i bie në qafë kryeministrit Rama se kinse po shembet bota për shkak se bëhet kjo amnisti”. Bexheti, i cili më parë ka qenë edhe Ministër i Financave, vlerëson se ky është vendim politik i elitave politike shqiptare që kanë marrë mandat, të cilat kanë të drejtë absolute të analizojnë, të gjykojnë, të vlerësojnë dhe të marrin rrezikun.

“Është çështje e zgjidhjes”, thotë Bexheti dhe shton: “Prandaj, nuk guxon këtu as Bankë Botërore, as Fond Monetar Ndërkombëtar, aq më pak Brukseli të akuzojë se kinse me larjen e parave po shpërthyeka Shqipëria.”

Sipas tij, sa i përket politikave fiskale vendet e Ballkanit janë më resktriktive në krahasim me Evropën. “Çfarë po ndodh në Lihtenshtajn?  Çfarë po ndodhë në Monako? Çfarë po ndodhë në ato oazat e tyre fiskale? Ku e kemi ne në Ballkan një oazë fiskale? Ma thoni! Ku janë ato? Ato janë andej! Si është e mundur një gjë e tillë. Ju e dini shumë mirë se Zvicra, deri para katër vitesh, ishte temë e trajtimit nga Komisioni Evropian për këtë çështje. Asokohe nuk i jepte dhe raportonte pasqyrat e kursimtarëve në bankat e Zvicrës që ishin të ndjekur në shtetet e tyre amë. Pra, kur një vend me atë traditë financiare, me atë fuqi institucionale tregohet i padëgjueshëm ndaj qendrave evropiane, ka mbetur tani të kritikohet Shqipëria për një gjë të tillë?!”, thotë Bexheti.

Sidoqoftë, ai thekson se këtu duhet pasur parasysh elementet e kostove dhe përfitimeve për një projekt të tillë, ndërkohë që si çështje potencon se “nuk është bardhë e zi”.

“Të gjithë pushtetarët në Shqipëri e argumentojnë me efektet pozitive. Jo, këtu duhet nënvizuar edhe rreziqet. Rreziqet janë ato që ua përmenda. Ne kemi pasur dy-tre amnisti fiskale këtu në Maqedoninë e Veriut. Rezultatet e fundit kanë qenë negative. Më shumë është humbur në pritjen e amnistisë së re sesa është përfituar nga mundësia e dhënë. Prandaj jam skeptik dhe kundër një iniciative të tillë”, deklaron Bexheti.

Në intervistën e dhënë për kdpolitik.com ai flet edhe për temat që kanë të bëjnë me integrimin e Ballkanit në BE, nismat që kanë për qëllim nxitjen e bashkëpunimit rajonal, mundësinë e shpërthimeve sociale si rezultat i krizave të njëpasnjëshme ekonomike dhe tema të tjera. Të gjitha këto përgjigje do të jenë pjesë e dokumentareve “Balkanview”, një produksion i Institutit BIRC dhe TVM-së.

Të fundit