E martë, 25 Mars, 2025

INSPEKTIM PËR KOMPANITË QË KANË NGRITUR ÇMIMET DHE MASA TË RIKONCEPTUARA ANTIKRIZË

Zëvendëskryeministri për Çështjet Ekonomike, Fatmir Bytyqi ka theksuar se së shpejti do të fillojnë aktivitetet e shërbimeve inspektuese për të gjitha kompanitë të cilat tre ditët e fundit kanë rritur çmimet dhe po manipulojnë qytetarët. Gjithashtu kryeministri i vendit, Dimitar Kovaçevski ka theksuar se qeveria do të vazhdojë që t’i aplikoj disa nga masat paraprake si dhe do të rimodelojë disa masa  tjera. Qytetarët të shqetësuar nga rritja e vazhdueshme e çmimeve.

 Shkruan: Puhiza Osmani

Zëvendëskryeministri për Çështjet Ekonomike Fatmir Bytyqi u shpreh se kompanitë e vendit ditëve të fundit kanë treguar sjellje jokorrekte dhe të pamoralshme duke rritur çmimet për 20 për qind në 24 orë. Ai gjithashtu theksoi se gjithçka që po ndodh në tregun e lirë në tre ditët e fundit po monitorohet nga afër dhe shtoi se së shpejti do të ketë një reagim të duhur nga institucionet.

“Mendoj se ky është vetëm një manipulim që po u bëjnë qytetarëve tanë dhe për këtë sigurisht që shërbimet inspektuese duhet të reagojnë siç duhet. Pres së shpejti një raport nga shërbimet inspektuese me masa për të gjithë ata që e kanë bërë këtë”, u shpreh Bytyqi

Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike në lidhje me masat kundër krizës tha se Qeveria me buxhetin plotësues parasheh mjete të caktuara financiare, që sipas tij janë rreth 73 milionë euro.

“Tashmë jemi duke bërë të gjitha analizat, sapo të kalojë buxheti suplementar, mendoj se do të miratohen, por masat kundër krizës nuk do të jenë masa gjithëpërfshirëse. Ato duhet të kenë pikësynim grupe specifike, si dhe kompanitë që janë më të rrezikuara”,  tha Bytyqi.

Sa i përket rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore dhe derivateve të naftës, gjithashtu kryeministri i vendit, Dimitar Kovaçevski u shpreh se për mbrojtjen e segmenteve më të cenueshme të shoqërisë qeveria ka ndërmarrë shumë plane, ku përfshihet buxheti si dhe stabiliteti i sistemit financiar dhe për këtë arsye, disa masa do të vazhdojnë të mbeten në fuqi dhe disa masa të tjera do të rikonceptohen.

“Një pjesë e masave do të zgjaten deri në fund të vitit, e një pjesë do të rikonceptohen për të mbështetur standardin e jetesës së qytetarëve që janë më të prekur nga kriza. Masat do të përgatiten me kohë dhe do të prezantohen në kohën e duhur”, tha Kovaçevski.

Gjithashtu ai njoftoi se aktualisht Ministria e Ekonomisë dhe Ministria e Financave janë duke punuar mbi rikonceptimin e masave. Sipas tij, çdo masë do të miratohet në konsultim e sipër me Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore dhe të gjitha institucionet e tjera financiare, të cilat do të analizohen nga ekspertë vendor dhe ndërkombëtar,

“Masat do të përgatiten dhe do të prezantohen me kohë për të mbrojtur standardin e jetesës së qytetarëve. Të gjitha masat e marra në mars të këtij viti ishin të planifikuara në detaje me qasje analitike dhe konsultime me institucionet financiare ndërkombëtare dhe kishin për qëllim uljen e të hyrave tatimore. Ulja e TVSH-së për rrymë, shpenzimet direkte të kategorive më të rrezikuara të qytetarëve me nga 1000 denarë në muaj, shpenzimet direkte të pensionistëve me nga 1000 denarë në muaj, ofrimi i skemave të garancisë, kreditë pa interes dhe kreditë e favorshme me shumë norma të ulëta interesi për transformimin energjetik të kompanive, si dhe masa të tjera”, tha Kovaçevski.

Sa i përket rritjes së çmimeve, në tri ditët e kaluara, përfshirë edhe rritjen e fundit të derivateve të naftës, benzina u rrit për 14 denarë, ndërsa derivatet e dizelit për 11 denarë për litër. Qytetarët gjithashtu ndjehen të pasiguritë se cilat nga burimet e energjisë për ngrohjen e amvisërisë në vend do të kenë çmim më të ulët. Por është e qartë, se ngrohja e shtëpive në dimrin e ardhshëm do të jetë më e shtrenjtë për të gjitha burimet e energjisë.

Të fundit