Procesi i integrimit të Ballkanit Perëndimor duket se po kalon në një fazë projektimesh të reja, të cilat kanë ngjallur debat. Presidenti francez ka folur për një “organizatë të re politike, për të bashkuar vendet e kontinentit që ndajnë vlerat e BE-së, por që nuk janë pjesë e bllokut”. Analistë europianë kanë theksuar vendet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i bashkohen Bashkimit Europian në fillim duke hyrë në një treg të përbashkët ekonomik dhe më pas të anëtarësohen tërësisht. Ndërkohë Toby Vogel, analist dhe ekspert për BE-në dhe Ballkanin Perëndimor me bazë në Bruksel, vlerëson se ideja e presidentit Macron nuk do të përkrahet nga shtetet e bllokut.
Shkruan: Enis Shaqiri
A po zhvendoset “Open Ballkan” në agjendat e anëtarësimit në dy faza për Ballkanin Perëndimor në BE?
Eksperti për çështjet evropiane Knaus, u përgjigj se bashkëpunimi rajonal është gjithmonë i mirëpritur, por nuk zëvendëson tregun e përbashkët evropian, ndër më të mëdhenjtë në botë. Open Ballkan është një proces i mirë, por vetëm tri shtete janë të përfshira. Përse jo? Por nuk është e njëjta gjë nëse mundësohet plotësisht tregtia dhe investimet pa kufi me vendet e Bashkimit Evropian.
“Anëtarësimi në BE i Ballkanit Perëndimor, përfshirë Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është në një ‘dead end’, një rrugë qorre. Nëse duhet të tregohemi të ndershëm, duhet ta pranojmë se premtimet për Ballkanin nuk u mbajtën”
Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i bashkohen Bashkimit Europian në fillim duke hyrë në një treg të përbashkët ekonomik dhe më pas të anëtarësohen tërësisht.
Kjo tezë është shpjeguar nga Gerald Knaus, president i Iniciativës Europiane për Stabilitet.
Ai shpjegoi tezën e tij të anëtarësimit më dy faza në BE, ashtu siç është vepruar në 1994 më Finlandën, Suedinë dhe Austrinë. Mes tjerash theksoi se “nëse duam të tregohemi të ndershëm duhet ta pranojmë se premtimet e bëra ndaj Ballkanit nuk u mbajtën”.
“Ne propozojmë të bëhemi realistë dhe të ndershëm. Bashkimi Evropian dëshiron që Ballkani të jetë i qëndrueshëm dhe i integruar. Ekonomitë e Ballkanit kanë nevojë të integrohen në një treg të përbashkët evropian. Përndryshe nuk ka asnjë shans që të arrihet në nivelin e Rumanisë, vendet Baltike, Polonia dhe Sllovakisë, që të konvergojnë me mesataren e të ardhurave për frymë me vendet e gjera të Bashkimit Evropian”, u shpreh Gerald Knaus në “#BalkansDebrief” të “Atlantic Council”.
Por, nëse procesi nuk ecën përpara për arsye politike atëherë duhet të shohim eksperiencat e së kaluarës dhe ta kthejmë në një proces me dy faza, ku hapi i parë, që është ofrimi i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor edhe Ukrainës edhe Moldavisë do të jetë një shans për t’iu bashkuar një tregu të përbashkët dhe t’i gëzojnë katër liritë, ku njerëzit mund të lëvizin lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian si qytetarë të Ballkanit, njësoj siç lëvizin norvegjezët, islandezët dhe rumunët apo bullgarët.
Nga ana tjetër Presidenti francez Emmanuel Macron propozoi krijimin e një organizate të re politike, për të bashkuar vendet e kontinentit që ndajnë vlerat e BE-së, por që nuk janë pjesë e bllokut.
Në vend të kësaj, Macron propozoi atë që e quajti “Komunitet Politik Evropian”, që mund të jetë i hapur për shtetet që nuk i janë bashkuar BE-së, sikurse Mbretëria e Bashkuar, e cila është larguar nga blloku.
“Kjo organizatë e re evropiane do t’u mundësojë të gjitha shteteve evropiane, që u përmbahen vlerave tona thelbësore, që të gjejnë një hapësirë të re për bashkëpunim politik, siguri, bashkëpunim energjetik, në fushën e transportit, investimeve, infrastrukturës dhe lëvizjes së njerëzve”, tha Macron.
Ndërkohë, njohësit e politikave të Bashkimit Evropian thonë se propozimi i presidentit të Francës, Emmanuel Macron, për krijimin e një organizate të re politike me qëllim të bashkimit të vendeve që ndajnë vlerat e BE-së, por që nuk janë pjesë e bllokut, është një përpjekje e tij për ndaluar zgjerimin e BE-së.
Toby Vogel, analist dhe ekspert për BE-në dhe Ballkanin Perëndimor me bazë në Bruksel, vlerëson se ideja e presidentit Macron nuk do të përkrahet nga shtetet e bllokut.
“Është e qartë se zgjerimi [i BE-së] nuk po shkon askund, sigurisht jo për Ballkanin Perëndimor dhe një nga arsyet për këtë është presidenti [Emmanuel] Macron. Ka qenë ai i cili ka bllokuar, për shembull, hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, thotë Vogel në një intervistë për REL.