Me tone polemizuese edhe njëherë është hapur çështja e zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoninë e Veriut. Opozita ka kërkuar që sa më parë të mbahen zgjedhjet e parakohshme për shkak se shteti po dështon në shumë drejtime. Ndërkohë, partitë qeveritare kanë theksuar se nuk është koha për zgjedhje të parakohshme dhe se shteti po menaxhohet mirë në kohë krize. Ftesë për takim dhe zgjedhje të parakohshme i ka bërë kryeministrit Kovaçevski, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski, i cili ka paralajmëruar hapa tjerë pas 10 majit, ndërkohë që kryeministri ka theksuar se nuk pranon shantazhe
Shkruan: Enis Shaqiri
Së fundmi, partitë politike në RMV kanë shfaqur qëndrimet e tyre të ndryshme lidhur me temën e zgjedhjeve të parakohshme.
Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, sërish përsëriti se partia që përfaqëson ai kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ai mes tjerash ftoi kryeministrin Dimitar Kovaçevski në një takim të përbashkët, për të caktuar një datë për zgjedhjet të parakohshme parlamentare.
“Është përgjegjësi sa më parë të ketë zgjedhje të parakohshme pasi shteti po mbytet në krizë ekonomike dhe nga pandemia me KOVID, njerëzit po e humbin jetën, kriza energjetike është duke trokitur në derë, arsimi është katastrofal, ndërsa deficiti buxhetor për vetëm 40 ditë është më shumë se 11,2 miliardë denarë”, tha Mickoski.
Ndryshe, lideri i opozitës maqedonase i dha ultimatum Kovaçevskit deri më 10 maj, në të kundërtën paralajmëroi se do të pasojnë veprime serioze që nuk janë ndërmarrë deri më tani.
Në përgjigjen ndaj ftesës së Hristijan Mickovskit, Dimitar Kovaçevski tha se nuk është koha për zgjedhje të parakohshme parlamentare e aq më pak të pranojë shantazhe.
“Si Qeveri kemi punë të përgjegjshme ndërsa kjo është menaxhimi me krizën më të madhe ekonomike pas Luftës së Dytë Botërore. Nuk janë të nevojshme as takime për zgjedhje dhe as zgjedhje por sjellje e përgjegjshme nga të gjitha partitë politike. Është i nevojshëm Kuvendi të funksionojë dhe të sillen ligje dhe shpenzim racional të buxhetit në këto kohë krizash”, ka shkruar Kovaçevski.
Kovaçevski mes tjerash ka deklaruar se nuk pranon shantazhe dhe se kjo është hera e dytë që shantazhohet nga numri një i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski. Kovaçevski ka thënë se ambiciet vetjake të Mickoskit nuk i interesojnë, por i intereson gjendja e qytetarëve dhe shtetit.
“Destruktiviteti është sinjal mbrojtës i Mickoskit dhe partisë së tij, por këtë qytetarët po e shohin dhe paralajmërimet e tilla fuqishëm i dënojnë”, ka thënë Kovaçevski
Nga ana tjetër kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, potencon se qeveria aktuale nuk ka aftësi për të menaxhuar vendin. Ai vlerëson se dalja nga kriza është e mundur vetëm përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
“Kur krizat janë të shumta, kur kemi qeveri e cila nuk ka aftësi se si t’i menaxhoj dhe në vend që t’i menaxhoj çdo ditë del një krizë tjetër shtesë, natyrisht gjëja e parë që duhet të ndodhë është që kjo qeveri të largohet dhe të krijohet një shumicë e re e cila pastaj vendin do ta dërgoj në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Vetëm në këtë formë do të nis që kriza gradualisht të gjejë zgjidhje”, deklaroi Sela.
Nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim, Artan Grubi Zv.kryeministri i parë i RMV-zë, ka potencuar se BDI është për zgjedhje të parakohshme parlamentare në prill të 2024 bashkë me zgjedhjet presidenciale.
”BDI si pjesëmarrës në këtë koalicion konsideron që zgjedhjet e parakohshme parlamentare mund të mbahen në Prill të vitit 2024 bashkë me zgjedhjet Presidenciale. BDI si pjesë e këtij koalicioni e përkrah fuqishëm shumicën parlamentare, koalicionin qeverisës dhe jemi këtu për ti realizuar këto projekte. Për mua, në 100 ditët e para te para të kësaj qeveria, gjëja më e rëndësishme është stabiliteti. Në kohë të vështira për vendin tonë , për rajonin dhe botën, qytetarët kërkojnë një qeveri stabile, me partneritet të fortë me NATO-n dhe SHBA-të. Një qeveri që udhëheq një koalicion progresiv dhe i përgjigjet nevojave të qytetarëve.
Zv/kryeministri shtoi se 110 ditë më parë u bë përpjekje për të krijuar shumicë të re pro-ruse, por falë vullnetit të mirë dështoi. Sipas tij, zgjedhjet e parakohshme u duhen vetëm agjendave destabilizuese të rajonit
“Nuk është Qeveri e cila konsideron që agresioni rus ndaj Ukrainës është legjitim dhe është i drejtë. Jo një qeveri dhe një koalicion që konsideron që territoret e okupuara të Ukrainës duhet të shpallen të pavarura dhe ti bashkëngjiten Rusisë. Jo një Qeveri e cila dëshiron që RMV-ja të largohet nga NATO dhe BE-ja, ti prish marrëdhëniet me Kosovën duke mos njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, ti prish marrëdhëniet me Republikën e Shqipërisë dhe ti prishë marrëdhëniet me fqiun tonë Greqinë”, tha mes tjerash Grubi.
Kujtojmë se sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari. muaj më parë paralajmëroi edhe protesta në rrugë për rrëzimin e qeverisë.
“Do të veprojmë si opozitë, do të jemi shumë më të ashpër, shumë më të vrazhdë, shumë më agresiv kështu që do ta kërkojmë drejtësinë me çdo kusht”, ka thënë Taravari.