Presidenti i Turqisë, Recep Tajip Erdogan, ka marrë duartrokitje nga të dyja palët – ukrainase dhe ruse, vendet e të cilave më shumë se një muaj zhvillojnë luftime të ashpra në Ukrainën lindore, jugore dhe veriore, përcjell KDP.
“Si Turqi, ne kurrë nuk jemi shmangur nga marrja e përgjegjësisë për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë dhe më gjerë”, shkroi Erdoğan në faqen e tij në Facebook.
“Zgjatja e konfliktit nuk është në interesin e askujt. Nuk do të ketë humbës në një paqe të drejtë.”, nënvizoi ai.
Sipas presidentit turk, çdo njeri që vdes, çdo ndërtesë e shkatërruar, çdo pasuri e hedhur në erë dhe e groposur në tokë, e cila duhet të ishte shpenzuar në rrugën e prosperitetit, është një vlerë që është hequr nga e ardhmja jonë e përbashkët.
“I takon palëve ta ndalin këtë tragjedi. Do të jetë në interesin e të gjithëve që të arrihet një armëpushim dhe paqe sa më shpejt të jetë e mundur. Mendojmë se kemi hyrë në një periudhë ku duhet të merren rezultate konkrete nga negociatat”, tha Erdoğan.
Është e mundur, theksoi ai, “të arrihet një zgjidhje që do të eliminojë shqetësimet legjitime të të dy vendeve dhe që komuniteti ndërkombëtar do ta pranojë si të besueshme”.
“Si Turqi, ne do të vazhdojmë të ofrojmë mundësitë e nevojshme lehtësuese”, përfundon postimin Erdoğan.
David Arakhamia nga delegacioni ukrainas për bisedimet e paqes ka deklaruar se Ukraina dëshiron tetë vende, përfshirë Turqinë, si garantuese në një marrëveshje me Rusinë, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas bisedimeve të paqes në Stamboll, Arakhamia këtë e njoftoi para mediave.
Ndërkohë, Mykhailo Podolyak, krye-negociatori ukrainas dhe këshilltar i presidentit Volodymyr Zelenskyy, tha se Krimea do të jetë çështje e një pjese të veçantë të negociatave me Rusinë.
Kreu i delegacionit rus, Vladimir Medinsky, u tha gazetarëve jashtë zyrës presidenciale Dolmabahçe se bisedimet në Stamboll ishin “konstruktive”.
Medinsky po ashtu tha se presidentët e dy vendeve mund të takohen kur të miratohet një draft i një traktati të paqes.
Dita e parë e një raundi të ri të bisedimeve dy-ditore të paqes midis Rusisë dhe Ukrainës, të ndërmjetësuara nga Turqia, sapo përfundoi.
Negociatorët rus dhe ukrainas dje mbërritën në Stamboll.
Dje, presidenti Erdoğan tha se bisedimet telefonike me homologun e tij ukrainas dhe atë rus po vazhdojnë në “drejtim të favorshëm”.
Para bisedimeve të paqes në Stamboll, krerët e delegacioneve ukrainase dhe ruse zhvilluan një takim kokë më kokë.
“Delegacionet po punojnë paralelisht në të gjithë spektrin e çështjeve të diskutueshme”, shkroi Podolyak në Twitter, duke shpërndarë një foto nga takimi.
Në këto bisedime i pranishëm është edhe miliarderi rus, Roman Abramovich. Ai zhvilloi bisedime në Moskë dhe Lviv në fillim të këtij muaji në përpjekje për të ndërmjetësuar midis dy vendeve.
Sipas mediave amerikane, oligarku rus nuk u përfshi në listën e sanksioneve të SHBA-së për shkak të përpjekjeve të tij si ndërmjetës.
Më herët, Wall Street Journal pretendoi se Abramovich së bashku me negociatorët ukrainas të paqes pësuan një helmim të dyshuar në Kiev, ndërsa pala ukrainase mohoi akuzat, duke theksuar se negociatorët po punojnë normalisht.