Inspektorati i tregut ka kryer rreth 160 kontrolle dhe ndërkohë ka shqiptuar rreth 33 dënime për subjekte tregtare që nuk i kanë respektuar masat. Ekspertët të fushës së ekonomisë thonë se qeveria ka reaguar me kohë, por gjithashtu ata thonë se tjetër gjë është të dizajnohen politikat dhe tjetër të zbatohen ato. Sipas tyre, shumë pak institucione shtetërore kanë kapacitet të bëjnë kontrollin dhe mbikëqyrjen efikase të masave. Sipas tyre, qeveria duhet që t’i orientojë këto masa tek ato segmente të shoqërisë që janë më të goditura nga valët e kësaj krize, ndërsa kompanitë në raste të këtilla krize duhet të kenë përgjegjësi më të madhe shoqërore
Shkruan: Puhiza Osmani
Nga dita e miratimit të ligjit për masat anti-krizë, Inspektorati i tregut ka konstatuar se rreth 33 subjekte tregtare nuk i kanë respektuar masat për uljen e marzhit tregtar. Dënimi u shoqërua me gjoba nga 60 deri në 7000 euro, varësisht nga madhësia e kompanisë, ndërsa deri më tani janë kryer rreth 160 kontrolle.
Përveç tregtarëve kontrolle do të bëhen edhe te prodhuesit, ku do të shikohet nëse çmimi i një produkti të caktuar është në përputhje me kostot që ato kanë.
Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi deklaroi se shkelja e ligjit për konsumatorët parasheh mbylljen e objektit për një vit.
Ekspertët e fushës së ekonomisë, rektori i Universitetit të Evropës Juglindore Abdylmenaf Bexheti dhe profesori i Kolegjit Amerikan, Marjan Petreski, u shprehën se vendosja e masave në një aspekt të përgjithshëm ka qenë në kohën e duhur, duke e krahasuar atë me periudhën kur për herë të parë goditi pandemia në mars të vitit 2020, kur pati një debat në lidhje me masat të cilat u miratuan pothuajse pas një muaji. Sipas tyre, tani e shohim që kemi reagim dy javët e para që është aspekt pozitiv.
Akademiku Bexheti thotë se qeveria dhe institucionet e shtetit ditë për ditë duhet t’i ndjekin radhët, trendet, tendencat e kështu me radhë, dhe mundësisht të reagojë çdo ditë në mënyrë fleksibile, me masa me të cilat mund të reagohet. Sipas tij, një pjesë e institucioneve duhet të jenë shembull për të ftuar qytetarët dhe për t’i vetëdijesuar ata për gjendje lufte, sepse lufta ekonomike ndonjëherë është po aq goditëse dhe e dhimbshme.
“ Qeveria siç e dini ju që prej 3 apo 4 muajve që kur e ka përgatitur buxhetin, e ka përgatitur me një prudencë fiskale të theksuar. Megjithatë nuk mjafton vetëm qeveria, sepse ka qindra institucione shtetërore që janë shfrytëzues buxhetor, të cilët jo me prudencë të mjaftueshme fiskale operojnë dhe janë të përgjegjshëm, llogaridhënës, transparent dhe efikas ndaj vijave buxhetore që ato i marrin. Këtë duhet ta bëjë qeveria dhe në ngritjen e kapaciteteve tjera në kuptim të organeve mbikëqyrëse. Para se gjithash konsideroj inspektoratet në këtë aspekt”, thotë Bexheti.
Profesori Marjan Petreski, lidhur me kompozicionin e masave dhe aspektin linear, u shpreh se nga 26 masat që u publikuan vetë 4 apo 5 prej tyre janë me rëndësi aktuale, këto janë masat që kanë të bëjnë me uljen e akcizës dhe TVSH-së, shfuqizimin e normave doganore të disa produkteve, dhe vauçerët për kategoritë e cenueshme. Ai thotë se me përjashtim të vauçerëve të gjitha masat tjera janë lineare, që do të thotë kanë të bëjnë me të gjithë, por normalisht që kuptohet se goditja nga kjo krizë është e ndryshme për segmente të ndryshëm të popullatës, dhe më e madhe do të jetë për ata më të cenueshmit.
Profesor Bexheti gjithashtu theksoi se qeveria duhet që t’i orientojë këto masa tek ato segmente të shoqërisë që janë më të goditura nga valët e kësaj krize, por nga ana tjetër duhet të ketë parasysh edhe kapacitetin e institucioneve se sa kanë mundësi për t’i zbatuar masat e targetuara që qeveria i bën, sepse, sipas tij, është një gjë që të dizajnohen politikat dhe është gjë tjetër që të zbatohen ato.
“Siç është rasti për masat në lidhje me kufizimin e marzhave, pra ato të tregtisë me shumicë dhe të tregtisë me pakicë, jam shumë i bindur se pakkush ka kapacitet institucional të bëjë kontrollin dhe mbikëqyrjen efikase të tyre. Edhe ata vetë që i kanë dizajnuar nuk e kanë të qartë se çfarë është marzha neto dhe marzha bruto për t’u ballafaquar në realitet, por në anën tjetër ne nuk kemi një armatë strukturash për t’i kontrolluar ata. Dhe në rast se nuk kanë mundësi për t’i realizuar më mirë të mos i bëjnë. Ndodh që shumica e kompanive të kërcënojnë institucionet për mbylljen e pompave të benzinës dhe kjo tregon se ata nuk kanë nivel të përgjegjësisë shoqërore korporative ”, thotë Bexheti.
Sipas tij, të pasurit duhet të tregojnë një dozë të sakrificës në kohë lufte, prandaj Qeveria duhet të ndërmarrë instrumente që t’ua imponojë atë përgjegjësi shoqërore.
Me vendimin e fundit marzhet në tregtinë me pakicë janë ulur në 3 për qind ndërsa në tregtinë me shumicë deri në 4 për qind. Qëllimi është që të parandalohet rritja më e lartë e çmimeve.