E shtunë, 9 Nëntor, 2024

GJITHËÇKA SHTRENJTOHEN, QYTETARËT KËRKOJNË SHPËTIM NGA KOMPETENTËT

Shkruan: Matilda Bakiu

 

Një valë shtrenjtimi ka kapur si prodhimet ushqimore bazike, poashtu edhe ilaçet. Kjo shkakton frikë dhe pakënaqësi te qytetarët. Një numër i madh i tyre, në bisedë me KDP, shprehen hapur se rritja e çmimeve po u krijon shumë vështirësi.

“Nuk mund ta mbaj familjen vetëm me paratë e pensionit dhe rritja e qmimeve ma vështirëson ktë gjë. Ndoshta për shtetin nuk duket e madhe kur rriten çmimet për 10-20 denar, por për mua edhe rritja më e vogël e qmimeve bën ndryshim të madh.”, tha një qytetar.

“Çdo ditë çmimet vijnë e rriten. Po normal që qeveria nuk interesohet për këtë. Po të më pyesni mua nuk besoj qe do të arrihet gjë edhe me inspektimet që bëjnë.”

“Sa për rritjen e çmimeve dihet se qytetarët e pësojnë më keq. Mirë do ishte po të gjobiteshin të gjithë këto që rrisin çmimet”.

Nga data 1 mars ka përfunduar vendimi për ngrirjen e qmimeve të produkteve. Në të njëjtën kohë, është futur në fuqi vendimi ku në tregtinë me pakicë, norma maksimale e fitimit do të jetë 10 për qind, ndërkohë në tregtinë me shumicë, norma e fitimit nuk do të jetë më e lartë se 5 për qind.

Ky vendim ka filluar të zbatohet nga 1 marsi i vitit 2022 dhe do të vazhdoj deri me 31 maj të vitit 2022. Me këtë vendim do të kontrollohet rritja e çmimeve të produkteve themelore në mënyrë që ndikimi të jete sa me i vogël në konsumin e qytetarëve, pra të mos rriten harxhimet e qytetarëve për produktet themelore.

Tregtarët të cilët nuk do i përmbahen vendimit do të goditen me gjoba nga 800 deri në 10.000 euro. Në ditët e fundit ka pasur shumë inspektime por se sa do të jetë efektive kjo mbetet të shihet në javët në vijim.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut,  Dimitar Kovaçevski, ka thënë se në rast se gjendja përkeqësohet atëherë shteti do të ndërhyjë në parandalimin e rritjes së çmimeve dhe mbrojtjen e bizneseve dhe konsumatorëve, ashtu siç ka vepruar gjatë pandemisë COVID-19.

“Ne jemi këtu për të ndihmuar, ashtu siç vepruam gjatë krizës me pandeminë kur qeveria bëri gjithçka për të ndihmuar qytetarët e bizneset, ashtu do të veprojmë dhe tani në rast të nevojës. Ne jemi këtu që t’i shërbejmë qytetarëve, ekonomisë dhe të ruajmë vendet e punës”, ka deklaruar ai.

Pa marrë parasysh rritjen e përditshme të çmimeve të produkteve ushqimore, të faturave mujore, gjithashtu edhe të transportit, Qeveria thotë se për momentin nuk ka ndonjë ndryshim madhor përsa i përket standardit jetësor të  qytetarit.

 

Të fundit