Përmes fotografisë dhe mesazhit që fotografia përçon, të premten, në Galerinë e Arteve në Tetovë u mblodhën dashamirë të artit për të lënë “shenjën” e tyre në mesin e 37 vajzave dhe grave të cilat iu bashkuan idesë së një artisteje të re Shega Memetit, për të realizuar ekspozitën me fotografi të emëruar “Sinjal”. “Temat që e trajtojnë rolin e gruas në shoqëri gjithmonë e kanë pasur fokusin tim”, thotë artistja Memeti. Ekspozita përfshin 37 fotografi dhe secila prej tyre bart një histori, një histori që është “sinjal” për të kuptuar se një grua mund të ndryshojë botën dhe jetën e një vajze tjetër, nëse u thotë “mjaft” paragjykimeve, dhunës, ngacmimeve dhe keqardhjes
Shkruan: Fatjona Abdullahi
Nëse në antikitet arti konsiderohej si formë e imitimit të realitetit ose si shkalla e tretë e realitetit, në ditët e sotme arti mund të konsiderohet edhe si pasqyrimi më real i botës dhe i së vërtetës.
Jo rrallë përjetimet që i përçon madhështia e artit, kanë forcën për t’u dhënë krah kauzave shumë të rëndësishme për shoqërinë… Jo rrallë një fotografi a një pikturë shkakton hapa revolucionarë për të cilët edhe ahet e një pene të mprehtë mund të mos ishin të mjaftueshme…
Përmes fotografisë dhe mesazhit që fotografia përçon, të premten, në Galerinë e Arteve në Tetovë u mblodhën dashamirë të artit për të lënë “shenjën” e tyre në mesin e 37 vajzave dhe grave të cilat iu bashkuan idesë së një artisteje të re Shega Memeti, për të realizuar ekspozitën me fotografi të emëruar “Sinjal”.
E pyetur se cilat ishin motivet që çuan deri në konkretizimin e idesë, ajo thotë se dëshira ka qenë e kahmotshme por se duhej të merreshin parasysh rrethanat për realizimin e së njëjtës, në mënyrë që e gjithë kjo ekspozitë të kishte impaktin e synuar në shoqëri. “Temat që e trajtojnë rolin e gruas në shoqëri gjithmonë e kanë pasur fokusin tim. Ka kohë që po planifikoja një event të tillë derisa erdhi momenti i realizimit në prag të festës së 8 Marsit. Kësaj radhe ekspozita u paraqit përmes artit te fotografisë dhe ideja ishte që të ekspozojmë segmente të ndryshme të jetës së grave ku ato operojnë në vendet e tyre të punës. Grave dhe vajzave që guxojnë, luftojnë dhe arrijnë të tregojnë se janë të afta dhe mund t’ia dalin pavarësisht peripecive me të cilat ballafaqohen ato çdo ditë”, thotë Shega Memeti.
Në Galerinë e Arteve në Tetovë, fillimi i vitit u shënua edhe me ekspozita të tjera të cilat deri diku kanë qenë të kushtëzuara edhe nga rrethanat e pandemisë, por në muajt në vijim pritet të ketë evente të cilat përkojnë me data të shënuara siç ishte ekspozita e djeshme që ka simbolikën edhe të festës së 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Megjithatë qëllimi i ekspozitës së emëruar “Sinjal” shkon edhe përtej aktualitetit të festave të tilla dhe sipas Shega Memetit e cila në këtë ekspozitë është bartëse e projektit dhe kuratore arti, fotografitë janë thirrje për çdo grua që të mos ketë frikën të lërë shenjën e saj në botë dhe të guxojë të ndjekë gjurmët e një tjetre që po si ajo e ka pasur të vështirë rrugën, por megjithatë ia ka dalë…
“Ekspozita përfshin 37 fotografi dhe secila prej tyre bart një histori… një histori që është “sinjal” për të kuptuar se një grua mund të ndryshojë botën dhe jetën e një vajze tjetër, nëse u thotë “mjaft” paragjykimeve, dhunës, ngacmimeve dhe keqardhjes. “Sinjal” i dedikohet pikërisht pozitës së gruas në shoqëri dhe shpresoj që kjo ekspozitë të jetë një ogur i mbarë për të vetëdijesuar të gjitha vajzat dhe gratë në rrugën drejt aftësimit profesional. Falënderoj drejtorin e Galerisë së Arteve Ilir Kurtishin, i cili ma besoi këtë projekt, ma mbështeti idenë dhe ishte iniciatori i parë për të realizuar një aktivitet të tillë në hapësirat e galerisë”, thotë Memeti.
Shega Memeti është e diplomuar në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Tetovës dhe kjo është ekspozita e saj e tretë si kuratore arti në bashkëpunim me Galerinë e Arteve në Tetovë. Ajo konsideron se përmes këtyre fotografive të vajzave dhe grave me ndikim në jetën shoqërore, bëhet thirrje për fuqizim të dëshirës për arritje dhe suksese dhe se projektet e saj në këtë drejtim nuk përfundojnë këtu. Ajo paralajmëron se aktivitetet e Galerisë së Arteve në Tetovë do të vazhdojnë edhe në muajin prill, se punohet për një projekt për shënimin e Ditës Botërore të Artit dhe do të ketë 5 ekspozita në ambiente të hapura brenda qytetit (11- 15 prill).
Ndërkaq ekspozita “Sinjal” do të jetë e hapur për publikun dhe për adhuruesit e artit nga data 4 deri më 11 mars 2022.