Që nga paralajmërimi i dy javëve më parë për ndërprerjen e punës, mjekët amë sot i janë rikthyer grevës për rritjen e kapitacionit për pacient. Kryetari i Kuvendit të Odës së Mjekëve thotë se bisedimet vazhdojnë ende me Ministrinë e Shëndetësisë, dhe se brenda një periudhe të shkurtër kohore ministria pritet të realizojë kërkesën e mjekëve amë
Shkruan: Puhiza Osmani
Dr. Lilija Çolakova Dervishova nga Shoqata e mjekëve të familjes ka paralajmëruar për mbajtjen e grevës nga ana e mjekëve amë, me ç’rast nuk do të kryhet shërbim për pacientët dhe përshkrimi i recetave, por do të merren vetëm rastet urgjente.
Kryetari i Kuvendit të Odës së Mjekëve të Maqedonisë së Veriut, Dr. Xhabir Bajrami thotë se rreth dy javë kryetarja e Shoqatës së mjekëve privat Dr. Lilija Çolakova Dervishova, së bashku me kryetaren e kësaj shoqate nga Kërçova Gjullsha Ejup dhe me kryetaren e Odës së Mjekëve të Maqedonisë, Dr. Kalina Grivçeva Stardellova, kanë qenë në bisedime me ministrin e Shëndetësisë, Bekim Sali, për rritjen e pikës së kapitacionit për pacient.
“ Me aq sa jam unë i informuar ka disponim nga ana e ministrisë që vlera e pikës së kapitacionit tek mjekët amë për pacient të rritet. Problemi është se fëmijët në moshën 6 vjeçare dhe të moshuarit nga mosha 65 vjeçare kanë nga 3 pikë, dhe kërkesa është që kjo vlerë nga 65 denar të rritet në 90-95 denar, që për mendimin tim mjekët amë apo të familjes kanë të drejtë, sepse mjekëve të cilët punojnë në shëndetësinë publike rrogat u janë rritur, ndërsa tek mjekët privat deri më tani nuk ka pasur ndonjë rritje”, thotë Bajrami.
Ai e sheh të arsyeshme që vlera e pikës për pacient tek mjekët privat të rritet. “Në qoftë se shteti nuk ka mundësi, për shkak se ky vit është vit krize, që rritja të bëhet në 90 denar, të paktën të ketë një rritje, një lëvizje tek 70 apo 80 denar, pra të tregohet një vullnet nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë se qëndron pranë mjekëve të mjekësisë private”, thotë Bajrami.
Sipas tij, do të ishte jo profesionale mbyllja e klinikave private nga ana e mjekëve amë. Është e nevojshme, thotë ai, të paktën të trajtohen pacientët në raste urgjente.
“Nuk është e arsyeshme që klinikat private të mbyllen, unë këtë nuk e mbështes, kjo formë ekstreme që të mos shërbehen pacientët edhe qëndrimi i ngurtë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Fondit për mbrojtjen shëndetësore sipas mendimit tim nuk është në rregull d.m.th duhet të ketë një fleksibilitet. Pacientët patjetër që duhet të shërbehen të paktën rastet urgjente, sepse pacienti këtu nuk është fajtor, pra mjekët amë duhet të kuptojnë problematikat shëndetësore të pacientëve të vet të gjejnë një mënyrë, unë nuk them të mos ta reduktojnë punën mirpo raste të cilat me të vërtetë janë urgjente unë mendoj se duhet të trajtohen”, thotë Bajrami.
Tashmë shihet se tepër e nevojshme që të vazhdohen bisedimet me ministrinë të delegacioneve nga Shoqata e mjekëve privat dhe nga Oda e Mjekëve të Maqedonisë së Veriut, si dhe me pjesëmarrjen e një përfaqësuesi nga Fondi për Mbrojtje Shëndetësore.
“Në bazë të informatave të mia besoj që brenda një periudhe të shkurtër Ministria e shëndetësisë do ta realizojë këtë kërkesë, d.m.th do të arrihet një mesatare për rritjen e kësaj vlere”, thotë ai.
Nga qyteti i Rollit në Zvicër Dr. Cai Fang, mjeke e Mjekësisë së Brendshme të Përgjithshme FMH, u shpreh për kushtet e mira të punës dhe për vlerën e pagës mujore që ajo merr. Ajo theksoi se të gjitha të ardhurat e mjekëve të Zvicrës janë të publikuara në OFSP – Zyrën Federale të Shëndetit Publik. Në një studim të bërë nga Zyra Federale e Shëndetit Publik (OFSP) tregon se të ardhurat mesatare të mjekëve specialistë të vetëpunësuar janë 257,000 franga në vit. Në disa disiplina është mbi 600.000 franga.