Gjithnjë e më tepër po aktualizohet roli i gruas në jetën politike. Fuqizimi i përfaqësimit të grave ka qenë pjesë edhe e panel diskutimit “ Roli i gruas shqiptare në politikë në Republikën e Maqedonisë së Veriut” , pjesë e të cilit ishin figura të njohura të jetës politike në Maqedoninë e Veriut. Analistet dhe aktivistet e shoqërisë civile theksojnë nevojën për përfaqësim të barabartë, por edhe për tejkalim të skemës së kuotave. Ato theksojnë nevojën jo vetëm për sasi, por edhe për cilësi në përfaqësimin politik dhe në vendimmarrje
Shkruan: Fatjona Abdullahi
Pavarësisht të drejtave të grave për të marrë pjesë në mënyrë të barabartë në qeverisjen demokratike dhe pavarësisht aftësive dhe vullnetit të tyre për t’u dëshmuar si udhëheqëse të suksesshme, praktikat në shoqërinë tonë, kanë tendencë që t’i japin gruas pak zë politik dhe t’i japin fuqi të kufizuar vendimmarrëse. Si rrjedhojë shpesh hasim në numra të kufizuar të grave qoftë në pushtetin legjislativ qoftë në pushtetin ekzekutiv të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa edhe kur këta numra plotësojnë kuotën e paraparë për barazi gjinore në përfaqësimin politik, sërish vihet në pikëpyetje autonomia e grave qoftë në qëndrimin e tyre qoftë në vendimmarrjen politike.
Në kuadër të aktiviteteve që ka në programin e vet, Leadership Development Association Balkan – dega e Maqedonisë së Veriut, në Komunën e Tetovës, më 2 mars 2022 në hapësira e Komunës së Tetovës, organizoi një panel diskutimi rreth temës “Roli i gruas shqiptare në politikë në Republikën e Maqedonisë së Veriut” , pjesë e të cilit ishin figura të njohura të jetës politike në Maqedoninë e Veriut.
Nënkryetarja e LDA-së Liridona Kuçi në pyetjen se a janë të mjaftueshme aktivitetet që i drejtohen kësaj problematike në RMV dhe se cilat janë konkluzat që dolën nga diskutimi publik rreth çështjes së përfaqësimit politik të barabartë në aspektin gjinor, u shpreh se LDA si organizatë ka një plan-program vjetor të aktiviteteve, por temat i caktojnë varësisht nga koha kur mendojnë t’i organizojnë dhe analizojnë atë që është aktuale ose çka mund të aktualizohet.
“Në këtë rast, ky event qëllimisht është lënë për muajin mars edhe për simbolikën e ditës së shënuar të 8 Marsit që njihet si Dita Ndërkombëtare e Gruas. Po meqenëse kjo temë është me interes publik dhe shumë relevante për zhvillimet politike në vend, pa dyshim se kanë edhe plane të tjera, ku janë të parapara panele të ngjashme që përfshijnë target-grupe të ndryshme”. thotë Liridona Kuçi.
Në këtë panel morën pjesë përfaqësuese nga parti politike të RMV-së si Fatmire Isaku nga radhët e PDSH-së, Vjollcë Berisha nga radhët e ASH-së, Imrane Morina nga BDI dhe Melinda Rushiti nga Lëvizja “Besa” .
Evente të tilla, dukshëm e rrisin ndërgjegjësimin për rolin e gruas në politikë dhe për fushëveprimin e saj si pjesë e barabartë e shoqërisë në rrethana kur kjo e drejtë u sigurohet me ligj.
“Nga ky event konkluduam se lufta e vërtetë bëhet mes grave dhe janë po ato që duhet ta ngrenë zërin për ndryshime, mos shihen vetëm si kuota, por të vlerësohen si cilësi, e jo sasi. Unë falënderoj KDP-në për interesimin që të shkruajë për këtë ngjarje dhe shpresoj që përmes mediumeve dhe paneleve që ne organizojmë të rritet zëri kritik për shumë çështje që përbëjnë problem në vendin ku jetojmë e veprojmë”, shprehet Liridona Kuçi, nënkryetare e LDA-së dhe organizatore e panel diskutimit në Komunën e Tetovës.
Qëndrim skeptik mban analistja dhe diplomatja Adelina Marku, e cila është e pakënaqur me përfaqësimin e grave në politikë, në një kontekst jo sasior por cilësor. Për përfshirjen politike të grave në RMV ajo shprehet se “ka gra të anëve tona të cilat bëjnë se janë në politikë, por e dëmtojnë kauzën tonë për sa më shumë femra në politikë dhe si rrjedhojë kauza e prezencës së femrës në politikë ka të bëjë me çdo gjë përveçse korrupsionit, varshmërisë libidiane e machoiste për postet që mbajnë, varshmërisë egotrip për famë dhe sipërfaqësi… Këto gra vetëm e ngufasin lirinë e garës së vërtetë të femrës për jetë më të mirë të femrës, të fëmijëve dhe të shoqërisë.”
Ndërkaq, diskutimi i panelisteve i cili orientohej kryesisht rreth përfaqësimit politik të grave në pushtetin qendror ekzekutiv dhe në atë lokal, kishte nota optimizmi dhe u referohej ndryshimeve të cilat bëhen çdo ditë për t’u përmirësuar gjendja për një barazi gjinore në përfaqësim politik, duke aluduar në gatishmërinë e subjekteve politike që ato përfaqësonin dhe që e përmbushnin sidomos kuotën prej 40% të grave deputete që është e drejtë e garantuar me ligj. Megjithatë, pika rreth së cilës u bashkuan gjatë diskutimit, është se akoma ka vend për përmirësime dhe për ndryshime qoftë duke u organizuar seminare, aktivitete dhe madje edhe akademi të tëra për krijimin e “politikaneve gra”, por gjithmonë duke iu referuar meritës dhe jo vetëm faktit se duhet plotësuar kuota.